BE-ja ka hequr dorë nga ai, Banjska po i rri mbi kokë. Tani ai bëri lëvizjen e vetme të mundshme

Aktuale

BE-ja ka hequr dorë nga ai, Banjska po i rri mbi kokë. Tani ai bëri lëvizjen e vetme të mundshme

Më: 18 tetor 2023 Në ora: 18:45
Aleksander Vuçiq

I ndrydhur nga problemet e shumta, sidomos pas “luftës” afër manastirit të Banjskës në veri të Kosovës, kur një grup terroristësh serbë të armatosur u përpoqën të kryenin një “revolucion trungu”, Aleksandar Vuçiq vendosi të mbajë zgjedhje të parakohshme deri në fund të këtij viti për të siguruar edhe katër vjet të tjera sundimi, shkruan gazeta kroate “Jutarnji List”.

Duke marrë parasysh se si po zhvillohet situata politike, dhe Brukseli dhe Uashingtoni po bëjnë gjithnjë e më shumë presion për dialog me Kosovën dhe për “përafrimin” përfundimtar me politikën evropiane ndaj agresionit rus (lexo: futjen e sanksioneve), Vuçiq padyshim arriti në përfundimin se është më mirë që ai të shkojë në zgjedhje në mes të dimrit, më 17 dhjetor, sesa të presë pranverën politike (inflacionin assesi  nuk po mund ta frenojë në masën të cilën vazhdimisht po premton, me sanduiçe nga parisienët e lirë dhe kushedi se si do të kalojë sezoni i ngrohjes, veçanërisht pasi Bullgaria rriti çmimet e tranzitit të gazit rus për në Serbi me 20 për qind, që do të thotë automatikisht gazi më i shtrenjtë për familjet) që mund të prishë planet e tij.

Vuçiq është në depresion, Banjska ende i gumëzhin në vesh dhe së fundi ai dërgoi kryeministren Ana Bërnabiq në takimin e Tiranës, ku ishte ajka e Brukselit, për zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit, sepse ai fluturoi në Pekin ku është planifikuar takimi me presidentin kinez Xi Jinping dhe kryekomandantin rus Vladimir Putin. Duke vepruar kështu, ai megjithatë ka treguar se çfarë është për momentin prioriteti strategjik më i rëndësishëm për Serbinë.

Në të njëjtën kohë, ai dëshiron të përfitojë nga lodhja e protestave kundër regjimit që përfshiu Serbinë këtë pranverë pas dy masakrave të tmerrshme. Protestat civile u shuan dhe nuk patën efektin e dëshiruar, pra përshtypja është se nuk e dëmtuan në asnjë mënyrë Vuçiqin apo imazhin e tij. Një mundësi e madhe u humb. Kujtojmë se protestat kundër Sllobodan Millosheviqit zgjatën me vite të tëra, dhe nuk dhanë rezultate, ngjashëm është edhe tani me Vuçiqin.

Në fakt, hulumtimet e pavarura tregojnë se rejtingu i Partisë Përparimtare Serbe po bie, por jo personalisht rejtingu i tij, prandaj me siguri, gjë që i përgjigjet, do të bëjë një fushatë tjetër me “gjoksin” e vet. Siç tha për Radion Evropa e Lirë Ognjen Radonjiq, profesor në Fakultetin Filozofik në Beograd, Vuçiq vazhdimisht i përsërit zgjedhjet për të dëshmuar pathyeshmërinë e tij.

Domethënë, disa besojnë se ai do të mposhtet nga votuesi i demoralizuar apo i dëshpëruar që nuk do të votojë, e jo nga opozita, e cila tashmë është gjithnjë e më e përçarë. Së fundmi, një pjesë e partive kanë nënshkruar koalicionin parazgjedhor të ashtuquajtur Marrëveshja për fitore, por të nesërmen u shfaqën mosmarrëveshjet e para dhe pavarësisht se kërkuan zgjedhje, pasi i shpalli Vuçiqi ato, ata  kërkuan shtyrjen e tyre deri në pranverë. Andaj, drejtori i Qendrës për Politikë Praktike nga Beogradi, Dragan Popoviq, tha për Radion Evropa e Lirë se Vuçiq po ndërton qëndrimin se është i paprekshëm. Ai është mbi partinë e tij dhe natyrisht mbi partitë e tjera. Një pozicion të tillë dikur e ndërtoi edhe Millosheviqi, i cili ishte mbi sistemin politik dhe Vuçiqi, sipas Popoviqit, “këtë e ka çuar në përsosmëri”.

Sido që të jetë, Serbia po shkon drejt Orbanizmit dhe autokracisë gjithnjë në rritje, dhe Vuçiqi qartë synon të jetë president i përjetshëm, i cili gjithnjë e më shumë paraqitet në mediat e pro regjimit si “zëri i popullit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat