Konjufca dhe dy deputetë të VV-së votojnë pro futjes në rend dite të Rezolutës për Policinë/ Mirëpritet rezoluta e PE-së

Aktuale

Konjufca dhe dy deputetë të VV-së votojnë pro futjes në rend dite të Rezolutës për Policinë/ Mirëpritet rezoluta e PE-së

Më: 19 tetor 2023 Në ora: 07:31 Përditësuar në ora: 12:19 më 19.10.2023
Blerta Deliu

Selmanaj thotë se e mban mend kur Kurti i gjakoste policët rrugëve të Prishtinës

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Driton Selmanaj,ka thënë se policia janë vet shteti.

Selmanaj gjatë fjalimit të tij se mbështetje për organet e rendit nuk duhet të jetë sezonale.

Deputeti i LDK-së e kritikoi mospjesëmarrjen e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje në seancë ku po diskutohet draft-rezoluta për mbështetjen financiare të policisë.

“Uniforma e Policisë nuk duhet të trajtohet si punonjës së zakonshëm publikë. Por, ka menduar që është qasje sezonale, e një klase politike të pamatur e të pamenduar”, tha ai.

Deputeti Humolli për bojkotimin e Vetëvendosjes: Ky është një lloj grushtshteti

Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Humolli, ka deklaruar se sjellja e Lëvizjes Vetëvendosje – deputetëve dhe qeverisë – është mosrespektim i institucioneve të Kosovës.

“Ky është një lloj grushtshteti që bëhet kundër institucioneve. Kemi parë grushtshtete që bëhet nga opozita…”, është shprehur Humolli.

“Siguria po goditet dhe jo rastësisht kemi parë grupe nga Serbia që kanë marrë guximin të futen. E kanë bërë këtë sepse kanë parë dobësimin e institucioneve të sigurisë. Këto veprime çojnë mesazh për destabilizim”.

Humolli ka ftuar deputetët, sidomos ata të shumicës parlamentare që ta mbajnë fjalën e dhënë gjatë fushatës zgjedhore.

Hoti thotë se mazhoranca nuk e voton rezolutën për Policinë sepse “nuk do që opozita t’i marrë meritat”

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, pohon se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, nuk dëshiron që të marrë pjesë e as të votojë rezolutën për fuqizimin e Policisë së Kosovës, sepse nuk dëshiron që opozita t’i marrë meritat si propozuese e rezolutës.

“Seanca e sotme jep një pasqyrë jo të mirë për vendin, një seancë e thirrur nga opozita. Kjo nuk ka kuptim për ballafaqimin parlamentar. Nëse e shihni me kujdes, rezoluta e propozuar nga opozita është shumë parimore. Janë tri kërkesa shumë të arsyeshme dhe parimore të propozuara nga opozita. Por, ju nuk doni që opozita t’i marrë këto kredi – thënë në aspektin politik”, tha Hoti.

Mazhoranca nuk është e pranishme në seancën ku po flitet për rezolutën për fuqizimin e Policisë së Kosovës. Ajo edhe herën e kaluar e ka bojkotuar seancën e jashtëzakonshme.

Në këtë Rezolutë të punuar nga Grupet Parlamentare, kërkohet nga faktori ndërkombëtar që të ushtrojë ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me mbështetjen që i ka bërë këtij grupit terrorist.

Bekë Berisha: “Pozita ka hallin se i mbesin meritat opozitës për Rezolutën për Policinë – këta dojnë veç pushtet, s’ju intereson bash kërkush

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha ka kritikuar Qeverinë Kurti në seancën e jashtëzakonshme sot të thirrur nga PDK për Rezolutën e Policisë së Kosovës, duke thënë se në qeveritë e kaluara orët shtesë të policëve janë paguar, ndërsa kjo qeveri i ka ndalë.

Sipas Berishës, pozita nuk është në Kuvend sot, sepse siç tha ai ata mendojnë se “edhe rrejnë, edhe mashtrojnë, edhe e marrin votën apet”.

Tutje ai ka thënë se pozita kanë hallin se i mbesin meritat opozitës lidhur me Rezolutën e Policisë.

“Kjo situatë e policisë do të ishte ndreq nëse do i kishim trajtu më mirë. Orët shtesë janë pagu ma përpara, prej që osht kjo Qeveri këto shtesa janë ndalë. Tash duhet me gjetë forma alternative. Rrezikshmëria osht obligim i shtetit, duhet me ua pagu policisë. Mujmë me bo një fond të posaçëm për policët. Pse nuk është pozita ktu, pse nuk përgjigjet Kryeministri e Ministri në pyetjet parlamentare. Se menojnë që edhe rrejnë, edhe mashtrojnë, edhe e marrin votën apet. Këta dojnë veç pushtet, s’ju intereson bash kërkush. Pozita e kanë kasavetin se s’dojnë që i lon meritë kërkujt, që mos t’ju jetë edhe opozitës që po bëjnë diçka”, tha Berisha.

Pikë e vetme e rendit të ditës sot është “Shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës”, ku partia në pushtet ka bojkotuar seancën.

Në seancë sërish nuk janë të pranishëm deputetët e pushtetit, të cilët njëjtë si herën e kaluar bojkotuan seancën, ndërsa kanë thirrur konferencë për media në ora 11:00.

Berisha: Duhet të ndodhë ngritja e pagave, policët po ikin në perëndim për një jetë më të mirë

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga partia ku ai bën pjesë ka folur edhe për kushtet e policisë, sipas të cilit ato duhet të ndryshojnë.

Berisha i PDK-së tha para deputetëve në Kuvend, se Policisë duhet t’u rriten pagat, duhet bërë sigurimi shëndetësor, e paguar orët shtesë.

Tutje në fjalën e tij ai tha se policët po ikin në moshë të re, e siç tha ai vetëm po e fillojnë karrierën e në rastin e parë po largohen në perëndim përshkak të kushteve jo të mira këtu.

“Duhen rregulluar kushtet e shërbimit, duke ua rritur pagat në nivel dinjitoz, sigurimin shëndetësor, duke ua paguar shtesat e rrezikshmërisë edhe për orët shtesë që tash e sa muaj nuk po iu ekzekutohen. Duke ua mundësuar që me ligj penzionimin e parakohshëm. Po ikin policët kryesisht në moshë të re, e fillojnë karrierën që në rastin e parë të largohen në perëndim për jetë më të mirë. Kjo është për shkak problemeve financiare të policisë, pa e amnistu asnjë qeveri. Duhet të ndodh ngritja e pagave”, tha Berisha.

Pikë e vetme e rendit të ditës sot është “Shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës”, ku partia në pushtet ka bojkotuar seancën.

Në seancë sërish nuk janë të pranishëm deputetët e pushtetit, të cilët njëjtë si herën e kaluar bojkotuan seancën, ndërsa kanë thirrur konferencë për media në ora 11:00.

Qalaj prezanton Rezolutën: Për 15 ditë të paguhet rrezikshmëria

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që ta miratojë rezolutën e propozuar nga ta për përmirësimin e kushteve në Policinë.

Përmes kësaj rezolute, PDK-ja kërkon që 15 ditë nga miratimi i saj të ndahen mjetet për shtesat e rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës.

Po ashtu, brenda 60 ditëve të miratohet projektligji për pensionim të parakohshëm të zyrtarëve policorë, kurse nga 1 janari 2024 të mbulohet pagesa e sigurimit.

Sipas kësaj rezolute kërkohet që policisë t’u kthehen shtesat, të bëhen me sigurim shëndetësor dhe të mundësohet dalja e tyre në pensionim të parakohshëm.

Ai ka përmendur aksionin e 24 shtatorit dhe suksesin e policëve në përballje me terroristët serbë. Ndaj sipas fjalët që janë thënë për këtë suksese, duhet të kthehen në vepra.

“Miratimi i saj do të ishte dëshmia më e mirë për përkushtimin ndaj policisë, kur puna e tyre na bënë krenarë të gjithëve”.

Nis seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit

Kuvendi i Kosovës ka nis seancën e jashtëzakonshme, në të cilën seancë pikë e rendit të ditës do të është “Shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës”.

Deputetët e pozitës sërish nuk ka marr pjesë në seancë.

Kryetatari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se janë dashur disa konsultime në mënyrë që të vendoset për mbajtjen e kësaj seance.

“Pas disa përfundimeve në mbledhje të Kryesisë vendosëm që të mbahet kjo mbledhje e jashtëzakonshme”, tha ai.

Kuvendi sot mban dy seanca plenare

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot një seancë të jashtëzakonshme, në të cilën seancë pikë e rendit të ditës do të është “Shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës”.

Kurse në seancën e dytë, të rregullt parlamentare, e cila pritet të fillojë në orën 13:00 , në rend të ditës janë, miratimin i procesverbalit nga seanca plenare e mëparshme, pyetjet parlamentare, Votimi i Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFW, Frankfurt Am Main (KFW) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit dhe shumë pika të tjera

Deputetët e Kuvendit, gjithashtu pritet të diskutojnë, shqyrtojnë dhe votojnë edhe për shumë pika të tjera të rendit të ditës, si: Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”, si edhe Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat