Besnik Bislimi udhëton për vizitë zyrtare në Francë

Aktuale

Besnik Bislimi udhëton për vizitë zyrtare në Francë

Më: 19 tetor 2023 Në ora: 09:26
Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar drejt Parisit në një vizitë zyrtare, ka konfirmuar Zyra e Kryeministrit të enjten.

Gjatë qëndrimit në Francë, Bislimi do të takohet me sekretaren e Shtetit për çështje evropiane të Francës, Laurence Boone, diplomatë nga shtetet anëtare dhe deputetë të Parlamentit francez.

Vizita e Bislimit në Francë vjen pak ditë pasi presidenti Emmanuel Macron kërcënoi Kosovën me liberalizimin e vizave pasi sipas tij “liderët kosovarë nuk po e mbajnë fjalën”.

Gjatë ditës së djeshme nga Ambasada franceze në Prishtinë, në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, sqaruan se theksi i deklaratës së Macron më tepër ka qenë te presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, duke i kërkuar që të marrë përgjegjësi për sulmin terrorist të 24 shtatorit, në Banjskë.

“Gjatë konferencës për medie me Kryeministrin shqiptar, Edi Rama, Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, theksoi nevojën që të dyja palët të dëshmojnë një frymë përgjegjësie. Ai nënvizoi qartë pritshmëritë e tij nga presidenti serb Vuçiq: të dënojë me vendosmërinë më të madhe aktet e 24 shtatorit dhe të ndihmojë në rivendosjen e qetësisë në kufi”.

“Ai kërkoi nga të dyja palët që të angazhohen për riorganizimin e zgjedhjeve në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e serbëve dhe kthimin e tyre në institucionet kosovare”, u tha ndër të tjera në përgjigjen e Ambasadës së Francës në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat