A mori letër Kurti nga Scholz dhe Macron për dialogun pas zhvillimeve në Banjskë?

Aktuale

A mori letër Kurti nga Scholz dhe Macron për dialogun pas zhvillimeve në Banjskë?

Më: 19 tetor 2023 Në ora: 09:58
Macron dhe Scholz

Kosova më 24 shtator u përball me agresion e sulm terrorist nga një grup serbësh në veri të vendit, saktësisht në Banjskë të Zveçanit ku u sulmua Policia e Kosovës dhe mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Në këtë grup terrorist të serbëve pjesëmarrës ishte edhe Milan Radoiçiq, njeri i afërt me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

E pas situatës së krijuar në vend, Telegrafi merr vesh që kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe presidenti francez, Emmanuel Macron i kanë dërguar një letër të përbashkët, kryeministrit Albin Kurti me disa kërkesa specifike.

Kjo letër nuk është bërë publike, gjersa media ka kontaktuar me Qeverinë e Kosovës, por nuk ka marr përgjigje se e kanë pranuar ose jo një letër të tillë.

Në ndërkohë në pyetjen e Telegrafit drejtuar Zyrës së kancelarit gjerman Olaf Scholz, nuk mohohet as nuk po pohohet një gjë e tillë.

“Ju lutemi kuptoni se për çështje parimore ne nuk komentojmë ose informojmë për komunikime konfidenciale ndërkombëtare. Vetë kancelari e bëri shumë të qartë se çfarë pret nga Serbia dhe Kosova. Shihni komentet e tij të dhëna të hënën në konferencën për shtyp”, thuhet në përgjigjen.

Pyetje të njëjtë, Telegrafi i ka shkruar edhe Zyrës së presidentit francez, Emmanuel Macron, por deri në këto momente nuk ka pranuar përgjigje.

Ndryshe, dyshja më e rëndësishme e BE-së, Scholz dhe Macron kanë kërkuar të hënën nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq që t’i mbajnë premtimet që kanë dhënë e që kanë të bëjnë me dialogun dhe t’i kthehen marrëveshjes bazë, të njohur si Plani franko-gjerman. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat