​PDK kërkon miratimin e rezolutës për Policinë e Kosovës

Aktuale

​PDK kërkon miratimin e rezolutës për Policinë e Kosovës

Më: 19 tetor 2023 Në ora: 12:37
Rashit Qalaj

Partia Demokratike e Kosovës, (PDK) ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që ta miratojë Rezolutën për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.

Në seancën e jashtëzakonshme ku nuk po marrin pjesë deputetët e Vetëvendosjes, deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj gjatë prezantimit të rezolutës, tha se miratimi i saj është dëshmia më e mirë e përkushtimit për mbështetjen e Policisë së Kosovës në kohën kur puna profesionale e tyre i bënë krenar të gjithë.

Përmes kësaj rezolute kërkohet që policisë t’u kthehen shtesat për rrezikshmëri, të kenë policia me sigurim shëndetësor dhe t’u mundësohet dalja e tyre në pensionim të parakohshëm.

Qalaj derisa ka prezantuar Rezolutën tha se kjo parti bashkë me opozitën, të vetmin qëllim kanë të mbështesin Policinë.

Qalaj: Miratimi i Rezolutës është dëshmia më e mirë e përkushtimit për mbështetjen e PK-së

“Të vetëdijshëm për rolin kyç të PK-së, për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në tërë territorin e Kosovës, duhet të veprojnë të gjithë njerëzit përballë domosdoshmërisë për të mbështetur përveç moralisht edhe financiarisht nevojat që kanë zyrtarët e saj. Për këtë qëllim PDK ka iniciuar një draft rezolutë e mbështetur nga gjithë deputetet e opozitës dhe deputetë tjerë që janë në këtë parlament, dhe mendoj se sot është dita më e mirë që përveç të diskutojmë edhe të miratojmë rezolutën në fjalë. Është dëshmia e përkushtimit për mbështetjen e PK-së në kohën kur puna profesionale e tyre na bënë krenar të gjithëve. PDK por edhe opozita të vetmin qëllim kanë që me ketë Rezolutë ta mbështesin PK-në.”, tha Qalaj.

Deputeti Qalaj përmendi edhe sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, dhe suksesin e policisë në përballje me terroristët serbë.

Qalaj: Terroristët u zbuluan, u penguan, luftuan dhe u munden nga Policia e Kosovës

“Me 24 shtator shteti i Serbisë tentoi aneksimin e një pjese të Kosovës, ajo shkeli integritetin territorial të Republikës së Kosovës duke futur në Kosovë nëpërmjet rrugëve ilegale një formacion paraushtarak. Ky formacion kreu një sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit, ky formacion i stërvitur në Serbi, i mbështetur me logjistikë, i financuar nga shteti serb, padyshim se ishte i sponsorizuar nga shteti i Serbisë. Terroristët u zbuluan, u penguan, luftuan dhe u munden nga Policia e Kosovës, disa ua rreshtuan, disa u eliminuan e disa të tjerë arritën të ikin nga Kosova. Ishin Policët e Kosovës ata që me përkushtim të pashoqë, me vetëmohim dhe përgjegjësi të lartë, me një guxim të madh, e një profesionalizëm të rrallë, i dolën përballë këtij formacioni paraushtarak terrorist. Në mbrojtje ra heroi i Kosovës, Afrim Bunajku dhe u plagos një polic tjetër. Të tillë kanë qenë PK që nga themelimi. Të kujtojmë operacionin e PK-së në veri të vendit në vitin 2011, të kujtojmë daljen e futjes se trenit serb në Kosovë, të kujtojmë shumë e shumë raste tjera të luftës kundër narkotikëve e krimit të organizuar, të kujtojmë edhe policët që dhanë jetën duke ofruar siguri popullit të Kosovës”, vijoi Qalaj.

Qalaj ka shprehur sërish shqetësimin e tij lidhur me mosekzekutimin e shtesave të rrezikshmërisë.

Qalaj: Mos ekzekutimi i shtesave për PK është vendim i padrejtë

“Fatkeqësisht nga hyrja në fuqi me 5 shkurt 2023 e ligjit për paga në sektorin publik, zyrtari policor i është ndaluar shtesa e rrezikshmërisë, shtesë kjo që gjithmonë e kanë marrë në të kaluarën. Ky është një vendim i padrejtë, dhe ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e tyre e të familjes, por edhe në vullnetin dhe motivin përballë punës së përditshme sfiduese. Shuma totale vjetore e shtesave për rrezikshmëri që kanë marrë PK ka qenë 16 milion në vit, që nëse ndajmë në muaj i bie mbi 1 milion e 300 mijë. Që nga fillimi i ndalimit të kësaj shtese ka pasur paqartësi dhe premtime të mbajtura nga zyrtaret qeveritar. PK është në pritje të ekzekutimit të kësaj pengese”, shtoi Qalaj.

Ndërkaq, në këtë seancë nuk po marrin pjesë Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat