Bytyçi thotë se Serbisë duhet t’i suspendohet statusi i kandidatit për anëtarësimin në BE

Aktuale

Bytyçi thotë se Serbisë duhet t’i suspendohet statusi i kandidatit për anëtarësimin në BE

Më: 19 tetor 2023 Në ora: 18:39
Aleksander Vuçiq

Profesori nga Londra, Seb Bytyçi, thotë se Rezoluta e miratuar në Parlamentin Evropian është e rëndësishme dhe ka ardhur në kohën e duhur për Kosovën.

Duke folur për masat që janë paraparë të ndërmerren ndaj Serbisë, Bytiçi, thotë se duhet të ndodh de-facto suspendimi i statusit të kandidatit të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Të paktën do të duhej të ishte një listë e masave që është e njëjtë me masat të cilat i janë vendosur Kosovës, d.m.th minimumi do të duhet të ishin masat e njëjta. Por, duhet të shkohet edhe më tutje, që të pezullohet anëtarësia apo statusi i kandidatit i Serbisë që e ka, apo de-facto të ndodh ky pezullim, ku Serbia nuk mund t’i shijojë benifitet që ia jep ai status i kandidatit. Pra, duhet të ketë masa të mirëfillta që e trajtojnë thelbin e çështjes… Kjo nuk ka ndodhur deri më tash, do të duhej të ndodhte de-facto suspendimi i statusit të kandidatit të Serbisë”, tha ai.

Bytyçi, thotë se Rezoluta e miratuar në PE i ndihmon opinionit publik se pas sulmit terrorist të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës nuk mund të vazhdohet më me dialogun ashtu siç ka qenë deri tash.

“Mendoj që është mjaftë e rëndësishme, vjen në një moment mjaftë të duhur për Kosovën, ku pas sulmit të 24 shtatorit ende nuk kemi parë një reagim formal nga BE-ja, nga Komisioni, apo nga Këshilli dhe një Rezolutë nga Parlamenti mendoj se është e duhur dhe i ndihmon krijimit të opinionit publik se ky sulm ishte pikë kthese, ku më nuk mund të vazhdohet me dialogun, me trajtimin e Serbisë dhe Kosovës ashtu siç është vazhduar deri më tash”, tha ai.

Sipas tij, kjo Rezolutë ka rëndësi, pasi që bënë thirrje për masa ndaj Serbisë, pas përfundimit të hetimeve.

“Është një thirrje, mjaftë e qartë edhe pse ndoshta nuk shkon ndoshta aq lartë sa është e nevojshme, sepse duhet të ketë dënim të menjëhershëm të glorifikimit të terroristëve, të sulmit terrorist që e ka bërë Serbia pas ndodhjes së sulmit, por vetë Rezoluta si e tillë duke bërë thirrje për masa pas përfundimit të hetimeve është mjaft e rëndësishme”, deklaroi profesori.

Parlamenti Evropian, të enjten ka miratuar rezolutën me të cilën dënon sulmin në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Në këtë rezolutë, sulmi cilësohet terrorist dhe do të kërkojë përgjegjësi nga Serbia nëse dëshmohet lidhja e drejtpërdrejtë e Beogradit me këtë ngjarje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat