Ibishi: Policia e Kosovës gjithmonë ka qenë e diskriminuar

Aktuale

Ibishi: Policia e Kosovës gjithmonë ka qenë e diskriminuar

Më: 19 tetor 2023 Në ora: 19:39
Nuredin Ibishi

Sot në Kuvendin e Kosovës, nuk është votuar rezoluta për ndihmë financiare për Policinë e Kosovës. Njohësi i sigurisë në vend, Nuredin Ibishi, tha se as opozita nuk ka bërë asgjë për Policinë  e Kosovës sa ka qenë në pushtet.

“Ligji është miratuar në vitin 2008, kam qenë kryesues i projektit ku i kam parashikuar të gjitha benificionet, e tash dilet me një rezolutë ku përshkruhen tri çështje: çështja e parë është se nuk  është përfshi rrezikshmëria në punë e zyrtarëve policorë, çështja tjetër është pensionimi i parakohshëm e mandej çështje tjera që lidhen me nivelin e pagës. Sido që të jetë mendoj se kjo nuk është fare e ndershme, dhe nuk i bënë nderë as pozitës, e as opozitës. Në këtë rast pozitës që po i bojkoton këto, mirëpo edhe opozitës që kanë qenë mu ata që flasin sot me të madhe dhe nuk kanë bërë asgjë në të kaluarën kur kanë qenë në pushtet”, tha ai në Info Plus në RTK.

Sipas tij, Policia e Kosovës gjithmonë ka qenë e diskriminuar. Ai konsideron se rezoluta për Policinë e Kosovës është bërë paushall dhe pa një bazë të mirë të trajtimit.

“Sa herë që Ligji për pension të parakohshëm është sjellë në disa legjislatura, ai nuk është miratuar për shkak të implikimeve buxhetore. Duhet të shkohet në një sistem tjetër të punës. Pra sistemi i stazhit të benificuar që kush i plotëson kushtet mund të shkojë në pension me kohë, e jo tani të futemi në implikime buxhetore që kanë kosto të pambuluara dhe të mbesim në deficit të zyrtarëve policorë”, tha ai.

Lidhur me miratimin e rezolutës në Parlamentin Evropian në të cilën dënohet sulmi i 24 shtatorit, në Banjskë, Ibishi tha se kjo është në gjë e mirë pasi që sulmi është përkufizua si akt terrorist.

 “Tash priten hetime me qëllim të marrjes së masave dhe sanksioneve ndaj Serbisë për implikim të mundshëm. Ato iu kanë besuar institucioneve hetuese të Kosovës në hapat e mëtejmë. Këtu kërkohet edhe aspekti i mbështetjes ndërkombëtare, megjithëse ne kemi kapacitetet të mjaftueshme që kjo të dëshmohet, e mandej të ndërmerren masa. Mirëpo, mendoj që prapë do të luhet një lojë e reciprocitetit. Do të mbesin në fuqi sanksionet ndaj Kosovës, do t’i shpallen Serbisë, e kjo do të vazhdojë deri në arritjen e një marrëveshje që po pritet”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat