Memli Krasniqi: I papranueshëm bojkoti që VV po i bën rezolutës për Policinë e Kosovës

Aktuale

Memli Krasniqi: I papranueshëm bojkoti që VV po i bën rezolutës për Policinë e Kosovës

Më: 19 tetor 2023 Në ora: 19:43
Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka zhvilluar sot dy takime të ndara me Kryesinë e partisë dhe kryetarët e Degëve të PDK-së nëpër Kosovë, me të cilët ka biseduar mbi zhvillimet aktuale politike dhe organizimi i Partisë Demokratike të Kosovës në nivel vendi.

Krasniqi e ka quajtur të papranueshme dhe papërgjegjësi të plotë politike, bojkotin që pushteti po i bën Rezolutës së propozuar nga PDK, përmes së cilës do të mbështetej konkretisht Policia e Kosovës.

Sipas tij, ky bojkot vjen në kuadër të veprimeve të papërgjegjshme dhe hakmarrëse të këtij pushteti përgjatë gjithë mandatit deri sot.

Regresi ekonomik, sanksionet ndërkombëtare dhe përkeqësimi i mirëqenies së qytetarëve janë vetëm disa nga pasojat të cilat vijnë si rezultat i keqqeverisjes, arrogancës dhe aferave të vazhdueshme korruptive të zyrtarëve qeveritarë.

Në takim u diskutua edhe për mosdekretimin e kryeprokurorit të shtetit nga ana e presidentes Vjosa Osmani, vendim të cilin po e shqyrtojnë ekspertët ligjorë të PDK-së, të cilët me kohë do të propozojnë veprimet për trajtimin e kësaj çështje, thuhet në komunikatë.

Gjatë këtyre takimeve, kryetari Krasniqi e ka përshëndetur edhe Rezolutën e miratuar në Parlamentin Evropian, në të cilën dënohet sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Heroi Afrim Bunjaku.

“Kërkesa e Parlamentit Evropian, që krahas hetimit të këtij rasti, të kërkojë edhe heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, është lajm inkurajues për qytetarët dhe shtetin tonë”, tha Krasniqi.

Kryetari Krasniqi njoftoi Kryesinë dhe kryetarët e Degëve të PDK-së për hapat e ardhshëm të opozitë-bërjes dhe kërkoi përkushtimin e tyre në implementimin e vizionit të partisë, duke thënë se Kosova ka nevojë për një qeveri kredibile, e cila rikthen vendin në kursin e duhur të integrimit euro-atlantik.

Kryesia dhe kryetarët e Degëve të PDK-së shprehën gatishmërinë dhe përkushtimin e tyre për t’u angazhuar në mobilizimin e PDK-së në të gjithë vendin. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat