Gërxhaliu: Pandemia demografike, problemi më i madh i Kosovës - njerëzit po ikin

Aktuale

Gërxhaliu: Pandemia demografike, problemi më i madh i Kosovës - njerëzit po ikin

Më: 20 tetor 2023 Në ora: 21:03
Safet Gërxhaliu

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu thotë se pandemia demogratike, është problemi më i madh sot në Kosovë.

Në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, Gërxhaliu u shpreh se nga Kosova nuk po ikin vetëm të papunët, por edhe familjet me stabilitet ekonomik.

Sipas Gërxhaliut, inflacioni në Kosovë është i pakontrolluar dhe ka ngrirje të pagave në sektorin privat dhe publik.

“Duhet të kuptohet që vërtet ne do të kemi samite të suksesshme, do kemi takime të shumta, por nëse nuk do të arrihet një stabilitet politik dhe një pajtueshmëri në shtetet e Ballkanit Perëndimor, ekonomia do të mbetet në hije dhe në agjendën politike. Kosova këtë po e paguan shumë, e them këtë pa marrë parasysh deklaratat qeveritare për rritje apo për trende pozitive ekonomike. Sot, indikatori kyç i matjes së situatës ekonomike në Kosovë, është qytetari. Vërtet, unë jam i asaj që të kemi një rritje shumë më të ulët, 2% sesa 4%, por ky 2% të ndërtohet në disa parametra pozitivë. Këto nuk po ndodhin në Kosovë, po shfrytëzohet vetëm një indikator për matjen ekonomike dhe ai indikator, është konsumi. Duhet të kuptohet që termi ndërkombëtarizim kërkon kritere.

Na presin sfida, por Kosova në aspektin ekonomik, nuk ka arsye për eufori dhe për pompozitet ekonomik. Kemi inflacion të pakontrolluar, kemi një ngritje dhe një ekonomi spekulative, kemi ngrirje të pagave në sektorin privat dhe publik. Më e keqja që po i ndodh Kosovës, është pandemia demografike. Nga Kosova po iket. Nuk ikin vetëm të papunët, po fillojnë edhe familjet që kanë stabilitet”, theksoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat