Kurti jep detaje të reja për sulmin terrorist në Banjskë, tregon vendndodhjen e terroristëve të Radoiçiqit – ka një thirrje për BE-në dhe SHBA-në

Aktuale

Kurti jep detaje të reja për sulmin terrorist në Banjskë, tregon vendndodhjen e terroristëve të Radoiçiqit – ka një thirrje për BE-në dhe SHBA-në

Nga: A.M. Më: 23 tetor 2023 Në ora: 10:44
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar sërish në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.

I pari i qeverisë përmes një postimi në Facebook tha se këtë sulm paramilitar e ka organizuar Klani i Novi Sadit, në krye me ministrin e Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq.

Po ashtu, Kurti bëri të ditur se grupi terrorist në arrati i udhëhequr nga Millan Radoiçiq po qëndron në Rashkë, ku për ta po kujdeset MUP-i famëkeq serb.

Krahas kësaj, kryeministri Kurti tha se Vuçiq është “capo-di-tutti-capi”, që në shqip do të thotë shefi i shefave.

Ndër të tjera, ai kërkoi nga BE dhe ShBA ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit.

“Mirëpo, Kosova nuk ka jurisdiksion në Serbi. A nuk do të duhej që BE-ja dhe ShBA-të ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit? Mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni i Ballkanit do të hapej i tëri për demokraci evropiane, drejtësi ligjore, paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të përshpejtuar”, shkroi ndër të tjera Albin Kurti, përcjell “Bota sot”.

Postimi i plotë

Klani i Novi Sadit

Sulmin paramilitar e terrorist në Banjskë të Zveçanit e ka organizuar Klani i Novi Sadit. Në krye të tij ndodhet Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq. Ai është kryetari i partisë-shtet SNS, tri herë i zgjedhur kryebashkiak i Novi Sadit me ndihmën e Zvonko Veselinoviqit, dhe miku më i afërt i vëllaut të Presidentit të Serbisë, Andrej Vuçiq.

Rreth 40 pelegrinë ortodoksë në Manastir të Banjskës me 24 shtator ishin nga Novi Sadi. Ndoshta e rastësishme, hetimet duhet ta tregojnë. Grupi terrorist në arrati i udhëhequr nga Millan Radoiçiq po qëndron në Rashkë. Atyre MUP-i famëkeq serb iu ka ndarë vetura të tipit Shkoda Oktavia me ngjyrë të bardhë dhe të zezë e me tabela regjistrimi BG dhe… NS.

Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiq, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin.

Në katër komunat veriore të Kosovës po merr fund terrori, kriminaliteti dhe kultura e dhunës e paramilitarëve të Delije (tifozët e Cërvena Zvezdës) që shprehet me nofkat e ekstremistëve si: Mami, Llune, Daco, Rusi, Nemac, Gile, Drago, Aco, Comi, Belli, Micko, Prki, Mrki etj.

Mirëpo, Kosova nuk ka jurisdiksion në Serbi. A nuk do të duhej që BE-ja dhe ShBA-të ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit? Mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni i Ballkanit do të hapej i tëri për demokraci evropiane, drejtësi ligjore, paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të përshpejtuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat