Minxhozi në largim të detyrës: E kam pranuar postin e ambasadorit, në një kohë të tensionuar për Kosovën

Aktuale

Minxhozi në largim të detyrës: E kam pranuar postin e ambasadorit, në një kohë të tensionuar për Kosovën

Më: 23 tetor 2023 Në ora: 10:53
Qemal Minxhozi

Ambasadori i Shqipërisë i cili aktualisht është në kryerje të mandatit, Qemal Minxhozi, ka ndarë eksperiencën e tij si promovues të politikave të shtetit fqinj për 9 vjet e 8 muaj në Kosovë.

Në “Mirëmëngjesi Kosovë” ai ka thënë se fillimet ishin me plot pikëpyetje nëse mund të bëhej diçka në shtetin ku populli është i njëjtë. Mirëpo për gati 10 vjet veprimtari ndryshimet janë të dukshme.

“Fokusi kryesor ishte përmirësimi i marrëdhënieve në fushën e ekonomisë sepse merreshim shumë me patriotizmin. Unë pata fatin e mirë që erdha në janar të 2014 kur mbahej mbledhja e parë mes dy shteteve. Ne pak a shumë kemi të njëjtën industri, dallojmë nga Kosova se kemi më tepër territor, kemi det. Ka pasur marrëdhënie jo shumë optimiste në atë kohë, tani ne arrijmë te rreth 450 milionë euro që shkëmbejmë me njëri tjetrin”, ka thënë ambasadori Minxhozi

Minxhozi pohoi se kishte pranuar postin e ambasadorit në një kohë të tensionuar për Kosovën. Ai ka thënë se kur ka pranuar detyrën, ka kuptuar se është një vend ku mund të punohet në shumë drejtime.

“Kosova në atë kohë ishte në një presion ndërkombëtar, të cilat ende janë të pazgjidhura, siç janë asociacioni, problemi i zbatimit të marrëdhënieve të ndërsjella që ishin miratuar një vit më parë, ende s’po zbatoheshin nga Serbia dhe kishte një qëndrim jomiqësor. Pastaj u futa në një rutinë të zakonshme me Qeverinë, komunat dhe të vazhdoj deri sot e tutje me të njëjtin tempo”, ka thënë Minxhozi për fillimet e pranimit të detyrës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat