Problemet me ujin nga Badoci: “Nëse zgjatet kështu, duhet të rrimë edhe pa ujë”

Aktuale

Problemet me ujin nga Badoci: “Nëse zgjatet kështu, duhet të rrimë edhe pa ujë”

Më: 23 tetor 2023 Në ora: 21:14
Foto ilustrim

Prej se qytetarëve që furnizohen me ujë nga fabrika e Liqenit të Badocit iu kërkua të mos e përdorin atë për ujë dhe gatim, Agim Halili blen thuajse çdo ditë nga disa litra.

“Që disa herë kam blerë ujë… nëse zgjatet kështu, duhet të rrimë edhe pa ujë, sepse nuk kemi mundësi të blejmë çdo ditë e për çdo gjë”, thotë ky banor i lagjes Hajvali, e cila gjendet rreth 6 kilometra larg Prishtinës.

Kur REL-i bisedoi me të, ai po dilte nga dyqani me dy bidonë nga dhjetë litra, që kushtojnë rreth 3 euro – varësisht firmës që i prodhon dhe dyqanit që i shet.

Më 19 tetor, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) kërkoi nga qytetarët që furnizohen me ujë nga fabrika e ujit në Badoc, të mos e përdorin atë për pije dhe gatim, si pasojë e sasisë së madhe të elementit kimik, mangan, që është detektuar në liqen.

Thirrjen e ngjashme, IKSHPK-ja e përsëriti edhe të hënën, duke thënë se vlerat e manganit kanë nisur të bien, por jo në nivelin e kërkuar.

Nga fabrika e ujit në Liqenin e Badocit furnizohen qytetarët e pjesës më të madhe të Prishtinës dhe të komunave dhe fshatrave përreth.

Qe nga paralajmërimi i parë i IKSHPK-së, katër ditë më parë, kompania rajonale e ujësjellësit “Prishtina” ka nxjerrë autobote me ujë nëpër lagje të ndryshme, ku qytetarët kanë mundur të furnizohen.

Njoftimet janë bërë kryesisht nëpër rrjetet sociale, por Halili thotë se nuk ka qenë në dijeni.

“Nuk e kam parë… ku është ai kamion që e ka sjellë ujin”, pyet Halili, i cili tregon se merr ndihmë sociale nga shteti, por nuk ofron më shumë detaje për jetesën e familjes së tij.

Bashkëqytetari i tij, Besim Gashi, thotë po ashtu se ka blerë ujë.

“Ne, edhe kur ka qenë uji i pijshëm, kemi pasur probleme me furnizim”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Rreth 7 kilometra larg Prishtinës gjendet Graçanica, komunë e banuar më shumicë serbe.

Pasditen e së hënës atje – kryesisht në lagje më të varfra – lëvizi një autobote me ujë për rreth dy orë.

Zhivka Steviq nga kjo komunë e cilëson si “mjaft problematike” situatën.

“Nuk mund as të pastrosh, as të përgatisësh ushqim. E blejmë ujin, çfarë të bëjmë”, shprehet ajo.

E paqartë se kur mund të kthehet normaliteti

IKSHPK-ja tha se uji nga Liqeni i Badocit mund të përdoret për pastrim, mirëmbajtje të higjienës dhe të ambienteve të banimit, si dhe për nevoja të tjera.

Radio Evropa e Lirë pyeti në këtë institucion se deri kur mund të zgjasë kjo situatë, por zëdhënësja Era Pireva nuk mundi të ofrojë ndonjë afat.

“Sa i përket çështjes së ujit në Badoc, ekipet e IKSHPK-së, bashkë me kompaninë rajonale të ujësjellësit ‘Prishtina’, janë në terren dhe kanë ngritur shkallën e gatishmërisë dhe kontrollit të cilësisë së ujit për pije”, tha shkurt Pireva.

Ngjashëm edhe nga ujësjellësi “Prishtina” – pa informacione se kur situata do të mund të kthehet në normalitet.

“Jemi duke bërë përpjekje maksimale për t’i furnizuar qytetarët me ujë të pijshëm përmes autoboteve në zonat e prekura. E kemi edhe obligim ligjor. Shpresojmë që situata të përmirësohet shumë shpejt”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësja Arieta Mjeku.

Sipas saj, gjendja “nuk është alarmante”.

Çfarë thonë ekspertët?

Ekspertët e ujërave thonë se vlerat e shtuara të manganit në ujin e Liqenit të Badocit janë pasojë e faktorëve natyrorë dhe njerëzorë.

“Ajo është një zonë relativisht e pasur me minerale. Liqeni e ka pasur një problem teknik prej fillimit, marrja e ujit bëhet relativisht ulët, afër fundit të liqenit. Dhe kjo e bën gjithmonë problematike prezencën e metaleve në tokë, në krahasim me liqenet e tjera”, tha Skender Bublaku gjatë një bisede me Radion Evropa e Lirë të premten.

Për t’u zgjidhur ky problem, sipas tij, Kosova duhet të investojë në atë mënyrë që “të mundësohet ndërrimi i marrjes së ujit nëpër nivele të ndryshme të liqenit”.

Por, deri kur të bëhet një investim i tillë, Bublaku tha se “aktivitetet njerëzore duhet të reduktohen, për shkak se në kuptimin natyror, ky liqen është pak më i rrezikuar si pasojë e përbërjes gjeologjike të tokës”.

Sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mangani është një element esencial për shumë gjallesa, përfshirë këtu edhe njerëzit.

Por, “efekte të padëshirueshme në shëndetin e njerëzve mund të shkaktohen nga marrja e pamjaftueshme ose ekspozimi i tepërt [ndaj manganit]”.

Departamenti qeveritar i Kanadasë për Shëndetësi, HealthCanada, thotë se mënyra më e lehtë e absorbimit të këtij elementi është përmes ujit të pijes.

Por, ky departament shton se nëse uji që ka nivele më të larta të manganit sesa që lejohet konsumohet vetëm për periudha të shkurtra kohore, “nuk ka gjasa të shkaktohet ndonjë problem shëndetësor”.

Kjo nuk është hera e parë që zona të Kosovës përballen me këso problemesh. Edhe në të kaluarën ka ndodhur shpesh që qytetarëve u është kërkuar të mos pinë ujë nga ujësjellësi, sidomos në periudha vërshimesh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat