Bërnabiq në Këshill të Sigurimit akuzon Kosovën për spastrim etnik të serbëve

Aktuale

Bërnabiq në Këshill të Sigurimit akuzon Kosovën për spastrim etnik të serbëve

Më: 23 tetor 2023 Në ora: 22:25
Ana Bërnabiq

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka pretenduar se prej që ka ardhur në pushtet kryeministri Albin Kurti, 11 për qind e serbëve të Kosovës e kanë braktisur vendin.

Sipas saj kjo ka ndodhur si pasojë e "fushatës sistematike dhe të dhunës ndaj serbëve", që ajo ka thënë se ushtrohet nga institucionet e Kosovës.

Bërnabiq në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku po diskutohet për Kosovën e ka akuzuar Prishtinën për fushatë të spastrimit etnik të serbëve.

“Situata në dy vitet e fundit, sidomos në 12 muajt e fundit është bërë aq e rëndë sa që ne të gjithë duhet të përpiqemi ta kuptojmë jo si politikanë, por si qenie njerëzore se çfarë po ndodhë”, është shprehur Bërnabiq, derisa Kosovës i është referuar si “krahinë autonome e Republikë së Serbisë”.

Ajo ka thënë se zyrtarët në Prishtinë, kanë vetëm tri mesazhe kyçe për serbët dhe bashkësinë ndërkombëtare.

Mesazhi i parë që institucionet e Kosovës kanë për serbët që janë larguar nga Kosova, sipas Bërnabiqit, është “mos u ktheni sepse nuk jeni të mirëpritur”.

“Mesazhi i parë – ata serb që janë larguar pas vitit 1999 dhe gjatë spastrimit etnik në vitin 2004 nuk duhet të kthehen më, nuk janë të mirëpritur, është thellësisht shqetësuese”, është shprehur Bërnabiq, duke shtuar se Kosova ka regjistruar shifrën më të ultë të personave të kthyer.

Sipas saj ata që kthehen arrestohen e përndiqen nga organet e shtetit të Kosovës.

Mesazhi i dytë që sipas Bërnabiqit, u dërgohet serbëve në ”mënyrën më brutale”, është “që ata që kanë mbetur aty, që vazhdojnë të qëndrojnë në territorin e Kosovës e Metohisë, duhet të largohen”.

Sipas saj serbëve në Kosovë u mohohen të drejtat elementare dhe jetojnë me frikën se "kur do të arrestohet e torturohen nëpër burgje". Madje sipas saj, ata frikësohen edhe nga vrasja.

“Në Kosovën e sotme të jesh serb, mund të arrestohesh në mënyrë arbitrare, të akuzohesh e të mbahesh në paraburgim, për aq sa dëshirojnë politikanët e tyre dhe kjo ndodh në prani të KFOR-it, UNMIK-ut dhe EULEX-it”, është shprehur Bërnabiq, duke pyetur se a mund ta imagjinohet se si do të ishte jeta për serbët nëse ajo do të qeverisej vetëm nga institucionet e Kosovës e pa ndërkombëtarët.

Mesazhi i tretë që sipas saj dërgon Prishtina zyrtare është se marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut me Serbinë nuk do të zbatohen.

“Ato marrëveshje ose pjesë të marrëveshjeve që në fakt janë implementuar do të anulohen, bllokohen ose çmontohen ... kjo duhet të ndryshojë, është momenti i fundit që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe”, ka theksuar Bërnabiq.

Ajo ka folur edhe sulmin terrorit të një grupi të armatosur të serbëve ndaj Policisë së Kosovës, në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë reshteti i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku.

“Ka ndodhur një konflikt i armatosur midis një grupi të armatosur të serbëve nga Kosova, Policisë dhe formacioneve paramilitare në Banjskë, hetimet janë në vazhdimësi për të hedhur dritë mbi të gjitha paqartësisë, përfshirë edhe mënyrën në të cilën dy nga tre serbët që kanë humbur jetën e tyre, që duket të jetë ekzekutim gjakëtoftë pasi që janë dorëzuar”, është shprehur Bërnabiq.

Ajo ka thënë se Serbia dhe organet e sigurisë në Serbinë nuk kanë qenë të përfshirë në këtë rast.

Sipas Bërnabiqit ngjarja në Bansjkë është pasojë logjike e “terrorit që Prishtina ka vazhduar ta ushtrojë ndaj serbëve, përkundër thirrjeve për deeskalim”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat