Nënkryetarja e PDK-së: Kurti duhet të përgjigjet se si hynë dhe u larguan kriminelët brenda ditës në Banjskë

Aktuale

Nënkryetarja e PDK-së: Kurti duhet të përgjigjet se si hynë dhe u larguan kriminelët brenda ditës në Banjskë

Më: 24 tetor 2023 Në ora: 00:19
Vlora Çitaku

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet të tregoj se si hynë dhe u larguan kriminelët e sulmit në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i varrë një zyrtar policor i Kosovës, raporton teve1.info

Çitaku është shprehur se sulmi i asaj dite ka treguar më së miri, sipas saj, se sa është i shtrirë sovraniteti i Kosovës në veri.

“Se sa është i shtrirë sovraniteti i Kosovës në veri, u pa më 24 shtator kur Kosova u sulmua brutalisht nga bandat terroriste të sponsorizuara nga shteti i Serbisë. Ai ka qenë një cenim i rëndë, ka qenë një përpjekje për të sulmuar dhe cenuar rendin kushtetutës të Republikës së Kosovës me metoda terroriste. Ka shumë paqartësi se çfarë ka ndodhur atë ditë, si është e mundur që tërë ai arsenal, tërë ato automjete, tërë ai armatim dhe gjithë ata njerëz të uniformuar të hyjnë brenda në Kosovë, meqë siç po thotë kryeministri sovraniteti është i shtrirë gjithandej, dhe të largohen, meqë kemi parë incizimet e policisë teksa shihen duke u larguar nëpër malet e Republikës së Kosovës. Pra ka shumë pikëpyetje për atë se çfarë ka ndodhur atë ditë. Ne kemi kuptuar që bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht një aleat i Republikës së Kosovës është duke kryer një hetim të plotë për atë se çfarë ka ndodhur atë ditë dhe presim që ky hetim të demonstroj për shkallën e lartë dhe të drejtpërdrejtë të përfshirjes së shtetit serb, për atë agresion që iu bë Kosovës më 24 shtator”, deklaroi Çitaku.

Megjithatë, nënkryetarja e PDK-së, ka thënë se për dallim prej kryeministrit Kurti, partia që ajo e përfaqëson ka besuar gjithmonë në Policinë dhe shtetin e Kosovës.

“Për dallim prej kryeministrit Kurti, ne vazhdimisht kemi besuar në Policinë e Kosovës. Për dallim nga kryeministri Kurti i cili vazhdimisht i ka sharë e i ka fyer e i ka përçmuar vazhdimisht policët e Kosovës, ne gjithmonë kemi besuar në profesionalizimin e tyre. Kosova është ndërtuar qe 24 vite dhe profesionalizmin që e ka dëshmuar Policia e Kosovës atë ditë, tregon që në këtë vend është punuar, nuk është rrënuar Kosova. Mirëpo, çfarë ka ndodhur atë ditë, është dështim i politikës dhe inteligjencës do thoja. Si është e mundur që tërë ata njerëz të uniformuar të hyjnë në Kosovë, të mos bien në asnjë radar, të grupohen, të organizohen dhe në të njëjtën kohë të largohen”, ka deklaruar Çitaku.

Ajo ka thënë se PDK do të pres rezultatet e hetimit që është duke e bërë një shtet mik i Kosovës për këtë sulm, derisa ka thënë se shpreson që do të ketë pasja për Serbinë lidhur me këtë sulm.

“Kemi dëgjuar nga kryeministri që ka përpjekje për rigrupim, që rreziku nuk është larguar ende. Megjithatë ne do t’presim rezultatet e atij hetimi dhe po shpresojmë që do të demonstrohet videoja e drejtpërdrejtë e ndikimit dhe e orkestrimit nga ana e Beogradit zyrtar dhe besojmë që pas një hetimi të tillë, të ketë pasoja për Republikën e Serbisë”, deklaroi Çitaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat