Kërkesat e Osmanit, ato të SHBA-së dhe shfajësimi i Bërnabiq: Krejt çka ndodhi dje në seancës e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Aktuale

Kërkesat e Osmanit, ato të SHBA-së dhe shfajësimi i Bërnabiq: Krejt çka ndodhi dje në seancës e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Më: 24 tetor 2023 Në ora: 07:24
Seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në seancën e djeshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka folur për agresionin serb në Kosovë më 24 shtator.

Ajo thotë se ky nuk ishte vetëm sulm ndaj Kosovës por përpjekje për destabilizim te Ballkanit Perëndimor

Osmani tutje thekson faktin qe Milan Radojiçiq endet i lirë në Serbi përkundër që ka pranuar pjesëmarrjen në sulm.

“Më 24 shtator qytetarët e Kosovës u zgjuan me lajmin për vrasjen e policit. Kosova ishte cak i agresionit nga Serbia. Dua ta shfrytëzoj momentin për ta nderuar heroin Afrim Bunjaku që humbi jetën duke mbrojtur integritetin territorial të Kosovës. Pushoftë në paqe dhe ta na shërbej të gjithëve si kujtim. Pas 24 shtatorit çdo gjë ka ndryshuar, nga njëra anë zotimi i Kosovës per ta mbrojtur integritetin mbetet i pandryshueshëm. Vendimi i Serbisë për ta destabilizuar Kosovën po shihet. Serbia priste që Kosova të bëhej si Krime, por u zu në befasi. Kosova vazhdon të bashkëpunojë ngushtë me aleatët për ti ndaluar këto. Serbia zgjat përpjekjet që ta shndërrojë agresionin në viktime, faktet janë të pamohueshme. Grupet terroriste janë trajnuar e furnizuar nga Serbia. Financimi i organizatave “mbrojtja civile” dhe “brigada veriore” kanë ardhë nga Serbia,  u jepen paga mujore. Janë te paguara nga Serbia për ti sulmuar serbët e Kosovës. Sic tregojnë hetimet ka pasur trajnime te këtyre grupeve në Serbi.  Armët qe i kemi konfiskuar, shumica armë ushtarake që prodhohen në Serbi. Radojiçiq që ka pranuar sulmin e 24 shtatorit, ka qenë një prej bashkëpunëtorëve më te afërt të Vuciq, ulet afër Vuciq, endet i lire përkundër pranimit. Serbia shpalli ditë zie për ata te vranë zyrtarin tonë policor. Të bëhet diçka e qarte, nuk është lojë e fajit, ska qene vetëm sulm ndaj Kosovës, por përpjekje për destabilizim të Ballkanit Perëndimor. Të jemi të gjithë së bashku”, tha ajo.

Në këtë takim të Këshillit të Sigurimit, presidentja Osmani e ka përmendur vrasjen e oficerit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, më 24 shtator nga grupi i serbëve që kryen agresion në Banjskë të Zveçanit.

Ajo tha se i ndjeri Afrim Bunjaku e humbi jetën duke mbrojtur integritetin territorial të Kosovës.

Osmani ka dalë më një mori kërkesash për OKB-në që duhet të ndërmarrin ndaj Serbisë, në mesin e tyre edhe vendosjen e masave.

“Kërkojmë nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së dhe kërkesa jonë është e qartë. Kosova ka nevojë për garanci substanciale në kuadër të kornizës euroatlantike që të ecim përpara duhet të përqendrohemi që Serbia të frenohet nga sulmet terroriste në Kosovë, dhe hetim e sulmit të fundit terrorist”.

“Për më tepër rritja e sigurisë në kufijtë e Kosovës me Serbinë, miratimi i masave të rrepta ndaj Serbisë siç kërkohet. Një rezolutë do të shënonte zotimin për të ruajtur paqen dhe sigurinë në tërë rajonin dhe në tërë kontinentin e Evropës, kjo do të thoshte se demokracia nuk është e heshtur përballë regjimeve autokratike”, ka thënë Osmani.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në OKB, Robert Wood, tha se “duhet të ketë përgjegjësi të plotë” në bazë të ligjit për personat e përfshirë në sulm.

“Personat që janë larguar për në një shtet të tretë duhet të ekstradohen dhe ndiqen penalisht”, tha përfaqësuesi i SHBA-së.

SHBA-ja tha se po punon nga afër me Bashkimin Evropian dhe partnerët e NATO-s për të ndihmuar që veriu i Kosovës – i banuar me shumicë serbe – të jetë i qetë. Uashingtoni u bëri thirrje palëve që të kthehen në dialog, të përgatitur “që të ndërmarrin hapa konkretë përpara”.

Është e rëndësishme që palët të bëjnë përparim në të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, tha ambasadori Wood.

Ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzya, akuzoi Kosovën për “shtypje” të serbëve, që tha se mund të rikthejnë edhe një konflikt të armatosur, teksa foli për sulmin e armatosur në Banjskë.

“Kemi shumë pyetje për ngjarjet në Banjskë. E para, pse përfaqësuesit ndërkombëtarë nuk u përfshin. Në ngjarjet të ngjashme në të kaluarën, EULEX-i ka patrulluar zonën dhe KFOR-i ka shkuar menjëherë për të ndarë palët luftuese. Tani e gjithë situata iu la në dorë shqiptarëve të Kosovës, që çoi në këtë përfundim tragjik. Perëndimi nuk priti për hetimet, por menjëherë e quajti sulm të tmerrshëm”, tha ai.

Kurse përfaqësuesi i Kinës në OKB tha se Pekini mbështet një zgjidhje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë. Por, Kina – që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës – akuzoi Prishtinën për rritjen e tensioneve në veri.

“Ne kundërshtojmë veprimet e njëanshme të autoriteteve të Kosovës që rritën tensionet dhe u bëjmë thirrje që t’i kthehen dialogut dhe konsultimet”, tha përfaqësuesi i Kinës, duke kërkuar që Kosova të themelojë menjëherë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

E kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se Serbia nuk ka qenë e përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

Bërnabiq tha se hetimet do të tregojnë se dy nga tre sulmuesit serbë që u vranë gjatë përleshjeve, janë “vrarë pasi janë dorëzuar”.

“Beogradi ose forcat e sigurisë, strukturat e sigurisë nuk kanë qenë të përfshirë në këtë ngjarje dhe jemi të gatshëm të ofrojmë dëshmitë te komuniteti ndërkombëtar për të vërtetuar këtë”, tha ajo, duke thënë se ngjarjet në Banjskë janë “pasojë logjike e terrorit që Prishtina ka zbatuar ndaj serbëve”.

Gjatë fjalimit para Këshillit të Sigurimit, Bërnabiq akuzoi Kosovën se injoron marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Bërnabiq, tha se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është kusht për zbatimin e marrëveshjeve të tjera nga Serbia.

“Asociacioni është një element i pashmangshëm për zbatimin e çdo marrëveshjeje tjetër”, tha ajo.

Kosova, sipas saj, ka tri mesazhe për serbët dhe komunitetin ndërkombëtar. Mesazhi i parë, sipas saj, serbët që janë larguar nga Kosova pas luftës më 1999 “nuk janë të mirëpritur” që të kthehen. Mesazhi i dytë, serbët që jetojnë në Kosovë “duhet të largohen” dhe mesazhi i tretë, “marrëveshjet e arritura nuk do të zbatohen”.

Sipas Bërnabiqit, që kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pushtetin dy vjet më parë, “11 për qind e serbëve janë larguar nga komunat” në veri të Kosovës.

Ajo akuzoi Kosovën për “fushatë të dhunshme” ndaj serbëve, duke pretenduar se vitin e kaluar kanë ndodhur mbi 400 incidente ndëretnike.

Shefja e UNMIK-ut kërkon rikthimin në dialogun e Brukselit

Gjatë mbledhjes, shefja e misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK, Caroline Ziadeh, tha se pavarësisht se nuk përfshihet në raportin gjashtëmujor, përmendi “incidentin e sigurisë” në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Ajo tha se pas hetimeve, përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë. Ajo tha se ngjarja ku u vra një zyrtar policor i Kosovës dhe tre sulmues, “ka përkeqësuar situatën” e sigurisë, e cila sipas saj, edhe para 24 shtatorit ishte e rëndë.

“Është thelbësore që hetimet që po zhvillohen aktualisht të ofrojnë mundësinë për të dokumentuar me fakte këto ngjarje dhe për ti mbajtur autorët përgjegjës”, tha ajo.

Ajo kërkoi që palët t’i kthehen dialogut dhe tha se pret nga Kosova dhe Serbia të zbatojnë masa të shtensionimit të situatës, duke vënë theksin në nevojën e një “kompromisi politik” në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Dialogu është e vetmja rrugë përpara”, tha ajo.

Ziadeh tha se shpreson që takimi i diplomatëve ndërkombëtarë në Kosovë dhe Serbi më 21 tetor do të bëjë që palët t’i kthehen dialogut për normalizimin e raporteve.

Shefja e UNMIK-ut tha se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, përfshirë edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duhet të zbatohen.

Raporti i sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, përfshin periudhën gjashtëmujore nga 19 marsi deri më 18 shtator.

Derisa Franca ka kërkuar nga Kosova themelimin e Asocacionit të komunave me shumicë serbe si dhe organizimin e zgjedhjeve në veri.

Kështu u shpreh përfaqësuesja e Francës në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Franca dënon sulmin e papranueshëm kundër Policisë së Kosovës, ku u vra rreshteri. Shpresojmë që hetimet të zbardhin shkaqet e këtij sulmi. Serbia dhe Kosova të kthehen pakushte në dialogun e lehtësur nga BE. Presim nga palët që të përfshihen pa rezerva për zbatimin e të gjitha zotimeve. Përfshirë themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe organizimin  e zgjedhjeve në veri të Kosovës. Këto janë elemente kryesore..”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat