“Më vjen turp”: Reagime të shumta për deklaratën e Bërnabiqit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Aktuale

“Më vjen turp”: Reagime të shumta për deklaratën e Bërnabiqit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Më: 24 tetor 2023 Në ora: 09:24
Seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Dhjetëra reagime janë bërë në drejtim të deklaratës skandaloze të kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq të bërë gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Këto deklarime po shihen si “rrena” e politikanit serb po i vjen “turp”.

Nuk është hera e parë që kryeministrja serbe, Bërnabiq bën deklarata të rënda ndaj Kosovës, mirëpo si atëherë edhe tash gjuha e saj është kundërshtuar e kritikuar ashpër në Kosovë dhe jo vetëm mes kosovarëve, por edhe serbëve.

Për këtë gjuhë të saj, ka reaguar politikani serb, Boban Bogdanoviq i cili ka thënë se i ka ardhur turp nga fjalimi i Bërnabiqit.

Ai ka thënë se fjalimi i saj ishte autokratike, teksa është mburrur me fjalimin e presidentes, Vjosa Osmani.

“Si serb dhe qytetar i Republikës së Serbisë, më vjen turp nga fjalimi i djathtë dhe autokratik i Ana Bërnabiq në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Si qytetar i Evropës, jam krenar për fjalimin demokratik të Presidentes Vjosa Osmani.” – ka shkruar Bogdanoviq në rrjetin social “X”.

Po ashtu kësaj gjuhet i kanë reaguar edhe njohës të zhvillimeve politike nga Kosova.

Gazetarja, Flaka Surroi, ka thënë se Bërnabiq po “rren” dhe se fjalimi i saj ishte fashist.

“Ana Brnabić po rren kaq shumë, saqë as vetë nuk e beson këtë që e thotë. Veç po pres me thënë se shqiptarët kanë bishta dhe tamam e rrumbullakon fashizmin që e karakterizon atë dhe pushtetin që e përfaqëson” – ka shkruar ajo në Facebook.

Ndërsa, analisti Durim Abdullahu, ka komentuar fjalimin e Bërnabiq duke thënë se ajo ka bërë një paralajmërim për një konflikt të armatosur.

“Ngritja e një pretendimi të tillë nga kryeministrja e Serbisë në OKB, mund të lexohet edhe si një paralajmërim për një konflikt të armatosur, shenjat e para të të cilit tashmë janë shfaqur dhe veçse i kanë shkaktuar viktimat e para. Pretendimi i Serbisë që shqiptarët po i dëbojnë serbët, po i dhunojnë dhe po e spatrojnë Kosovën nga serbët, është i vjetër të paktën një shekull dhe është propaganduar për ta legjitimuar ndërhyrjen me forcë dhe përdorimin e dhunës mbi shqiptarët “dhunues” në Kosovë. Sa herë që ky pretendim i pavërtetë dhe i pafaktueshëm rimerret nga Beogradi zyrtar dhe riaktualizohet politikisht, ai është shenja e parë e përgatitjes së terrenit nga Serbia për t’i përsëritur fushatat e saj kriminale dhe të dhunshme në Kosovë.” – ka shkruar ai në Facebook.

Çka tha Bërnabiq?

Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku po diskutohet për raportin për Kosovën, Bërnabiq ka skandalizuar me deklaratën e saj, duke thënë se Kosova nuk do që serbët të kthehen.

“Nga ajo çka mund të shohim në terren, zyrtarët në Prishtinë fatkeqësisht kanë vetëm 3 mesazhe kyçe për serbët dhe gjithë ajo çka po shohim në këto raporte e ato që ndodhin në terren mund të përmblidhen në këto mesazhe. Ata serbë që janë larguar gjatë vitit 1999, nuk duhet të kthehen më, nuk janë të mirëpritur, është thellësisht shqetësuese, turpëruese.”

“Ky është një mesazh i qartë për serbët e zhvendosur nga Prishtina. Mos u ktheni, sepse nuk jeni të mirëpritur. Kosova mbetet kampione me numrin më të vogël të të kthyerve. Mesazhi i dytë: Ata që kanë mbetur në territorin e Kosovës, me muaj e vite anulim sistematik… çfarë shohim në Kosovë është dhunë gjithëpërfshirëse, ligjore e politike kundër serbëve. E vërteta e trishtë është kjo. 11 për qind(%) e serbëve e kanë braktisur Kosovën në dy vitet e fundit për shkak të dhunës sistematike…” – pretendon ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat