Cakolli përmend emrat e deputetëve që po e pengojnë hetimin parlamentar për rezervat shtetërore

Aktuale

Cakolli përmend emrat e deputetëve që po e pengojnë hetimin parlamentar për rezervat shtetërore

Më: 24 tetor 2023 Në ora: 13:07
Eugen Cakolli

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës të martën ka përmendur emrat e deputetëve të cilët po e pengojnë formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për rezervat shtetërore.

Ai ka pyetur se pse të njëjtit po e pengojnë këtë proces pavarësisht se 69 deputetë kanë votuar për formimin e këtij komisioni – përfshirë edhe partinë në pushtet.

“Armend Muja, Driton Hyseni, Shqipe Meta-Isufi, Halil Thaçi, Salih Zyba dhe Erxhan Galushi, janë deputetët që po e pengojnë hetimin parlamentar të rastit të “rezervave shtetërore”, pavarësisht votës ‘pro’ të 69 deputetëve – përfshirë edhe vet partinë në pushtet”, ka shkruar Cakolli në Facebook.

Për të pestën herë sot do të tentohet të bëhet konstituimi i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.

Ideja për një komision hetimor lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore ka ardhur nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Por, kundër këtij komisioni hetimor ka dalë lëvizja Vetëvendosje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat