15 të dyshuarve në rastin “Fajdeja” iu ndërpriten masat e sigurisë

Aktuale

15 të dyshuarve në rastin “Fajdeja” iu ndërpriten masat e sigurisë

Më: 25 tetor 2023 Në ora: 19:47
Ilustrim

Gjykata Themelore në Ferizaj, nuk ua ka vazhduar masat e sigurisë 15 të dyshuarve në rastin e njohur si “Fajdeja”: Besnik Salihu, Fadil Salihu, Egzon Salihu, Shefik Rexhepi, Ramiz Ademi, Bahri Abazi, Skender Bajrami, Bashkim Osmani, Shukri Haxhiu, Mujë Ademi, Lindrit Haradinaj, Ajvaz Muzaqi, Ardi Saraqi, Nexhmi Abazi dhe Kadri Gerbeshi.

Kjo u konfimua për “Betimi për Drejtësi” nga zyra për informim e kësaj gjykate, ku thuhet se të dyshuarve masat për sigurinë e pranisë së tyre në procedurë, iu kanë skaduar sot (25 tetor).

Ndërsa, u bë e ditur se këto masa ndaj të pandehurve nuk janë vazhduar, për shkak se Prokuroria nuk ka parashtruar kërkesë.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, nuk ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Ferizaj, kërkesën për vazhdimin e masave të sigurisë ndaj 15 të dyshuarve në rastin e fajdesë, andaj gjykata nuk ka marrë vendim për të vazhduar këto masa të sigurisë”, thuhet në njoftim nga zyra për informim në këtë gjykatë.

Në këtë rast, të dyshuarit Besnik Salihu, Fadil Salihu dhe Egzon Salihu, kanë qenë nën masën e paraburgimit, ndërsa të dyshuarit Shefik Rexhepi, Ramiz Ademi dhe Bahri Abazi, kanë qenë nën masën e arrestit shtëpiak deri më 25 tetor 2023.

Gjithashtu, të dyshuarve Skender Bajrami, Bashkim Osmani, Shukri Haxhiu, Mujë Ademi, Lindrit Haradinaj, Ajvaz Muzaqi, Ardi Saraqi, Nexhmi Abazi dhe Kadri Gerbeshi, gjykata nuk ua ka vazhduar masën e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar.

Të njëjtit, kanë qenë nën këto masa të sigurisë nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Fajdeja”, “Shmangie nga tatimi” dhe “Detyrimi”.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, kishte bërë të ditur për “Betimi për Drejtësi” se në rastin e njohur si “Fajdeja”, janë filluar disa operacione të urdhër-kontrollit dhe nën hetim janë rreth 40 persona.

“Pas përfundimit të hetimeve, pritet të ngritët aktakuza për të cilën do të njoftoheni me kohë nga ana e Prokurorisë Themelore në Ferizaj”, thuhej në njoftimin e kësaj Prokurorie.

Ndryshe, fillimisht më 5 mars 2023 Gjykata Themelore në Ferizaj kishte caktuar masën e paraburgimit për 14 të dyshuarit e arrestuar për fajde, i vetmi që nuk ishte dërguar në paraburgim për shkak të arsyeve shëndetësore është pronari i Autosallonit “Alberti”, Skender Bajrami, të cilit gjykata i kishte caktuar masën e ndalimit të afrimit vendit ose personit të caktuar.

Dosja e këtij rasti flet se si të dyshuarit e lartcekur kanë përfituar miliona euro përmes fajdesë, shmangies nga tatimi dhe detyrimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat