Bastiset banesa e pjesëmarrësit në sulmin terrorist në Banjskë

Aktuale

Bastiset banesa e pjesëmarrësit në sulmin terrorist në Banjskë

Më: 25 tetor 2023 Në ora: 20:52
Foto ilustrim

Për gjurmë të sulmit terrorist po kërkohet edhe këtu në kodrën e Zveçanit, në lagjen “Lugina e Diellit”.

Posa arrijnë në destinacion, në terren zbarkojnë hetuesit e të tjerët përkujdesen për perimetrin e sigurisë.

Si zakonisht prapa auto-kolonës, e të fundit në terrenin e bastisjes arrijnë pjesëtarët e EULEX-it, që në vazhdimësi kanë shoqëruar Policinë e Kosovës në bastisjet që ndërlidhen me sulmit terrorist në Basnjskë.

Në asistencë të pranishëm janë edhe njësitet për neutralizimin e ekspozivëve, por të cilët nuk patën nevojë për ndërhyrje.

Për më shumë se një orë hetuesit qëndruan në katin e fundit të ndërtesës.

Forcat speciale u larguan me të përfunduar bastisja,  Nuk dihen rezultatet e bastisjes por një gjë është e sigurt, në katin e sipërm ka jetuar një person i përfshirë direkt në sulmin terrorist në Banjskë.

Ka edhe dëshmi të tjera që tregojnë banesa numër 9 i përket Vladimir Toliqit. Një fletpagesë për shërbime të internetit përkon me muajin shtator të vitit 2023.

Toliq i cili të paktën një banesëe e ka në “Luginën e diellit”, ka qenë i armatosur bashkë me grupin terrorist në Banjskë, ku u plagos nga Policia e Kosovës.

Pas arrestimit, i njëjti u dërgua për mjekim në QKUK, ndërsa tash ndodhet në paraburgim nën dyshimet për vepra kundër rendit kushtetues dhe terrorizmit.

Bastisja në banesën e të dyshuarit për terrorizëm nuk ishte e vetmja.

Gjithashtu edhe buzë lumit Ibër në afërsi të “Tre Rrokaqiejve”, Policia ka kryer bastisje.

Këtu me gjasë pronari, identitetit i të cilit dhe lidhja me sulmin nuk është kuptuar, nuk ishte i pranishëm, për çka dera e hyrjes është hapur me forcë.

“Duke marrë parasysh që ne jemi vetëm në asistencë të njësitit kundër terrorizmit në Prishtinë, unë mund të konfirmoj vetëm bastisjet për arsye se ato i di. Çka është konfiskuar është punë e hetuesve me fol për këtë, por edhe nuk di”, ka deklaruar Veton Elshani, Zëvendësdrejtor i Policisë – Rajoni i Veriut.

Policia e Kosovës, në vazhdimësi ka kryer bastisje në zona të ndryshme në veri të vendit, të ndërlidhura me hetimin për organizimin dhe të përfshirët në sulmin terrorist në Banjskë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat