Kurti ‘godet’ Vuçiqin, përmend kërcënimet e tij – nuk tregon se çka përmban propozimi i BE-së për Asociacionin

Aktuale

Kurti ‘godet’ Vuçiqin, përmend kërcënimet e tij – nuk tregon se çka përmban propozimi i BE-së për Asociacionin

Nga: Bota sot Më: 27 tetor 2023 Në ora: 16:23 Përditësuar në ora: 17:32 më 27.10.2023
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Besnik Bislimi

Bislimi: Një shtet i BE-së do të refuzojë t’i vendosen sanksione Serbisë, mund të ketë vetëm masa për sulmin në Banjskë

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi u pyet rreth paragrafit nga konkluzionet e nxjerra nga Këshilli Europian dje dhe sot se Kosova dhe Serbia do të kenë pasoja në rast se nuk ulin tensionet dhe nëse s’angazhohen në marrëveshjet për normalizim raportesh.

Bislimi tha se meqë Kosova veçse është nën masa, Serbia mund të ndëshkohet, por jo me sanksione siç ka kërkuar deri tash Kosova për shkak të sulmit të Banjskë.

“Diskutimi për masat që mund të ndërmerren në rast të mospasjes së qasjes konstruktive nga ana e Serbisë ose në rast që hetimet përfundojnë me një konstatim që prapa sulmit të 24 shtatorit qëndron Serbia flasim për masat politike dhe ekonomike që mund të vendosen për Serbinë. Por, prapë është e qartë, jo për Kosovën, sepse Kosova s’ka qenë shkaktare e sulmit të 24 shtatorit. Masat do t’i vendosen Serbisë në rast se konstatohet, por është e rëndësishme të dihet që masat s’mund të jenë të tipit të sanksioneve meqë ka një vend brenda Bashkimit Europian, që kategorikisht do të refuzojë vendosjen e sanksioneve, andaj masat pritet të jenë ato që lidhen me integrimin në BE dhe mbështetja financiare që merr serbia nga BE”.

Ndërkaq, nëse Kosova dje në takimet e Brukselit ka kërkuar që t’i hiqen masat, Bislimi tha se këtë çështje e konsiderojnë jashtë diskutimeve për marrëveshjen me Serbinë sepse s’mund ta fusin në një ekuacion me të.

“Ka pasë synim që të ketë ecje tutje të marrëveshjes bazë të 27 shkurtit. Nëse ne do të kishim pranuar që në pjesën zyrtare të fusim në ekuacion edhe heqjen e masave, kjo do të ishte bërë pjesë e marrëveshjes pastaj. Ne mendojmë që pjesa e masave ka të bëjë me hapat që Kosova ka ndërmarrë në deeaskalim dhe këtë e kemi thënë jashtë asaj, mirëpo jo si një koncesion i BE-së për hapat tonë në zbatimin e marrëveshjes”.

Bislimi foli edhe për opinionin informal të shteteve anëtare karshi masave të vendosura ndaj Kosovës.

“Mendoj që në Bashkimin Europian ka një dakordim informal që masat ndaj Kosovës janë të padrejta dhe janë të dëmshme. Se si ata do të gjejnë mekanizimin për largimin e atyre masave dhe momentin e duhur, mendoj që i takon Komisionit Europian. Por, ajo që është e pasaktë është që kërkohet votim në Këshillin e BE-së”. 

Kurti: Nuk e di a i kanë kërkuar liderët e BE’së Vuçiqit nënshkrimin e marrëveshjes

Kryeministri Albin Kurti ka folur për kontradiktat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për të nënshkruar marëveshjen me Kosovë.

“Ai po e merr edhe rolin e Gjykatës Kushtetuese dhe po thotë: nuk e shkeli unë Kushtetutën e Serbisë, në anën tjetër po thotë e zbatoj marrëveshjen ose e zbatoj me limite. Por, si është e mundshme që po thotë e zbaton marrëveshjen që është shkelje e Kushtetutës dhe në anën tjetër thotë ‘nuk nënshkruaj marrëveshjen sepse ajo do të paraqiste shkelje të Kushtetutës’. Përplot kundërthënie që janë logjike para se të jenë juridike”.

Kurti tha se s’mund ta dijë nëse ndërmjetësit i kanë kërkuar Vuçiqit që të nënshkruajë marrëveshjen sepse takimet ishin bilaterale.

“Ndërkaq, ai i është kërkuar në takim që të nënshkruajë marrëveshjen siç kam kërkuar unë, s’e di sepse takimet s’kanë qenë trilaterale po vetëm bilaterale”.

Kurti: Vuçiq me shkresa anësore po i sulmon Marrëveshjen Bazike dhe Planin e Sekuencimit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë ka folur për deklarimet e presidentit të Serbisë dhe deklarimet e tij sa i përket marrëveshjeve të arritura në Bruksel e Ohër.

Kurti ka thënë se Serbia tashmë përmes shkresave shtesë po e sulmon edhe zyrtarisht dhe formalisht marrëveshjen bazike dhe aneksin. Kryeministri i Kosovës ka thënë se mbrëmë e ka marrë vesh që Vuçiq tashmë po kërcënon dhe po i përmbush këto kërcënime duke thënë se Serbia s’e njeh Kosovën, që Serbia është kundër anëtarësimit në OKB dhe që Serbia se njeh integritetin territorial të Kosovës.

Kurti ka thënë se pika e tretë për integritetin territorial është një shtesë dhe sulm ndaj integritetit territorial të Kosovës. Kreu i Qeverisë ka thënë se Rusia pikërisht para se ta sulmonte Ukrainën kishte thënë se nuk e njeh integritetin territorial të Kosovës.

“Serbia gjithmonë insiston që të dërgojë letra anësore, shkresa shtesë të cilat praktikisht e sulmojnë zyrtarisht dhe formalisht marrëveshjen bazike dhe aneksin. Mbrëmë morëm vesh që Vucic kërcënon dhe përmbush kërcënimet me këso letra që thonë tri gjëra, Serbia se njeh Kosovën, është kundër anëtarësimit në OKB dhe nuk e pranon integritetin territorial të Kosovës. Kjo e treta është një shtesë. Është tendencë për sulm ndaj Kosovës, deklaratë e tillë e papërgjegjshme, se integritetit territorial është I papranueshëm. Pikërisht federate ruse thoshte se s’e pranon integritetin territorial të Ukrainës. Kosova më 24 shtator ka përjetuar cenim te integritetit territorial. Kemi kërcënime nga Brukseli nga presidenti i Serbisë se s’mund ta pranojë integritetin territorial. Me ato deklarata e ka shkelur marrëveshja bazike, duke sulmuar integritetin territorial të vendit tonë:”, ka thënë Kurti.

Kurti pyetet çfarë përmban propozimi i BE-së: Emisarët kanë kërkuar të mos flasim

Kryeministri Albin Kurti është pyetur për përmbajtjen e propozimit që solli pesëshja, përfshirë edhe statutin për Asociacionin.

Kurti tha se për këtë i është kërkuar të mos flasë në detaje, por tha se ata e kanë shkruar draftin në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“E respektojmë kërkesën e pesë emisarëve, derisa na kërkohet të mos flasim konkretisht për të. Emisarët kanë deklaruar se e kanë shkruar me kujdes duke pasë parasysh Kushtetutën dhe ligjin. Për bindjen tonë të fuqishme, vetëmenaxhimi i komunitetit serb në Kosovë, s’do të duhet të harrojë sa shumë ka bërë Kosova për serbët që janë të pashembullta edhe për Europën”.

Kurti tha se ka hapa prapa, por për shkak të Serbisë.

“Kemi hapa prapa, për shkak të militarizimit të politikës atje. Politika atje mendon dhe vepron me gjuhën e forcës, e cila kur nuk janë organet e sigurisë, janë grupet paramilitare që sponzorizohen nga shteti”.

Kurti kërkon sanksione ndaj Serbisë: Mos-ndëshkimi mund të sjellë përsëritje sulmi

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ka kërkuar nga BE-ja sanksionimin e Serbisë, i cili është shumë i rëndësishëm që të mos përsëritet sulmi i 24 shtatorit.

Kurti, në një konferencë për medie pas mbledhjes së Qeverisë, ka thënë se Kosova e kërkon një gjë të tillë sepse “mos-ndëshkimi mund të sjellë përsëritje”.

Kurti, mes tjerash, bëri të ditur se ka kërkuar edhe ekstradimin dhe gjykimin e terroristëve serbë në Kosovë.

Kurti po ashtu tha se Kosova e ka pranuar propozimin e BE-së, por Serbia ka qenë ajo që e ka dështuar.

“Ky takim u zhvillua pas vizitës që pesë emisarët i kishim ne vendin tonë ku ata ofruan edhe një propozim për ecje përpara.

“Takimi ishte mundësi e mire për të kërkuar më shumë siguri përreth kufirit me Serbinë e po ashtu kërkova sanksionimin e Serbisë për sulmin pasi mos-ndëshkimi mund të sjell përsëritje. Ne i kërkojmë sanksionet si ndëshkim për hir të mos përsëritjes”.

Kurti: Pesëshja perëndimore tha se drafti do të kontrollohej nga Kushtetuesja

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka folur pas takimit që ka pasur dje në Bruksel me pesëshen evropiane, ku tha se ka kërkuar ndëshkimin dhe sanksionimin e Serbisë.

Kurti bëri të ditur se gjatë takimit, pesëshes evropiane i ka kërkuar edhe ekstradimin grupit terrorist të Radoiçiqit në Kosovë, ku do të përballeshin me drejtësi.

Ai më tej tha se dje, po ashtu ka ofruar nënshkrimin për Marrëveshjen Bazike dhe Aneksin e Ohrit, përfshirë edhe propozimin e pesëshes evropiane të ofruar në takimin e 21 tetorit.

“Unë, nënshkrimin e marrëveshjes e ofrova edhe në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë, ku Serbia përfaqësohej me kryeministren e saj e refuzoi, ndërkaq në takimin e 21 tetorit nga emisarët amerikanë dhe evropianë, na është thënë se drafti për vetëmenaxhim që është sjellur është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe strukturës së Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe që nëse do të nënshkruhej, aty parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë, pra që Gjykata Kushtetuese jep vlerësimin e saj për kushtetutshmërinë ndaj këtij propozimi si përgjigje”.

“Ndërsa dje, para krerëve të BE-së në ofruam që para tyre, si dëshmitarë dhe si garantues të nënshkruhet Marrëveshja Bazë me gjithë Aneksin e Ohrit dhe propozimin e zbatimit të nenit 7 të marrëveshje në lidhje me nenin 10. Pra, për idenë e vetëmeanxhimit të shndërruar në propozim. Nënshkrimi do të nënkuptonte pranim e për rrjedhojë edhe zbatim, mirëpo, pranimi do të thotë nënshkrim e vetëm nënshkrimi do të thotë pranim dhe garanci për zbatim”, tha Kurti.

Më tej, Kurti tha se Samiti i Këshillit të Evropës ishte ngjarja dhe vendi ku do të duhej të ndodhte nënshkrimi, por Serbia sipas Kurtit, refuzoi sërish nënshkrimin, duke refuzuar edhe draftin për vetëmenaxhim.

Kurti bashkë me Bislimin do të dalin në konferencë për takimet e Brukselit

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë njoftoi se sot janë kthyer nga Brukseli dhe tregoi për takimet me liderët e BE-së atje.

“Sot, unë dhe delegacioni qeveritar, jemi kthyer nga Brukseli ku dje gjatë ditës takuam krerët e Bashkimit Evropian, Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin e tij, Miroslav Lajcak. Ftesa për këtë takim erdhi pas vizitës në Prishtinë të 5 emisarëve nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 21 tetor”.

Kurti tha se atje shkuan për të kërkuar nga liderët e BE-së më shumë siguri për kufirin me Serbinë dhe për të diskutuar mbi propozimin e ri të BE-së për zbatimin e marrëveshjes së fundit.

“Iu përgjigjem pozitivisht sepse e konsideruam atë si mundësi të mirë për të kërkuar nga krerët e Bashkimit Evropian më shumë siguri në kufirin e Kosovës me Serbinë, i cili është 381 kilometra i gjatë, më i gjatë se sa kufiri me tri shtete tjera marrë së bashku, pra Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi, por edhe për të diskutuar më tej mbi propozimin e tyre për një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike, pjesës integrale të kësaj marrëveshje që është Aneksi i Zbatimit dhe bashkërisht edhe me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7 Marrëveshjes Bazike”.

Kurti njoftoi se bashkë me zëvendësin e tij, Besnik Bislimi, do të flasin për këto takime më gjerësisht në një konferencë për media pas mbledhjes se Qeverisë.

Në lidhje me mbarëvajtjen e takimeve tona dje dhe qëndrimet e prezantuara atje, ne kemi dhënë një komunikatë për medie mbrëmë, por edhe sot së bashku me zëvendëskryeministrin Bislimi, do të flasim në konferencën për media pas kësaj mbledhje të Qeverisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat