Scholz s’pajtohet se dështuan bisedimet: Kurti e Vuçiq e thanë qartë se do të implementohen marrëveshjet

Aktuale

Scholz s’pajtohet se dështuan bisedimet: Kurti e Vuçiq e thanë qartë se do të implementohen marrëveshjet

Më: 27 tetor 2023 Në ora: 16:31
Pamje nga Brukseli

Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz në një konferencë për media të premten në Bruksel pas përfundimit të Samitit dyditësh, ka folur edhe për takimet e djeshme me Kosovën dhe Serbinë duke thënë se nuk e ndanë vlerësimin se ato kanë dështuar.

Scholz ka thënë se Kurti dhe Vuciq kanë thënë se marrëveshjet do të zbatohen.

”Në këtë situatë vërtetë pikëlluese ishim në gjendje të ecim përpara. Nuk e ndaj vlerësimin tuaj. Por mendoj se nëse e bëjmë një vlerësim politik, besoj se mund të ndahet vlerësimi im se zoti Kurti dhe z. Vuçiq thanë se propozimet konkrete Marrëveshja e Ohrit dhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe se do të implementohen”.

“Këtë ata e thanë qartë. Ky është një hap i rëndësishëm dhe duam ta shohim të ndodhë” ka theksuar Schoz.

Kurti dhe Vuçiq janë pritur një ditë më parë në takime të ndara nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Pas përfundimit të takimeve, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili ndërmjetëson bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ka thënë se “parakushtet e njërës palë kanë qenë të papranueshme për tjetrën” dhe se kjo e ka pamundësuar marrëveshjen.

Në tryezë të diskutimeve ka qenë zbatimi i Marrëveshjes Bazë, si dhe një propozim i ri për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili është prezantuar në Prishtinë dhe në Beograd nga diplomacia perëndimore, më 21 tetor.

Në adresime të ndara, Kurti ka thënë se ka qenë i gatshëm ta nënshkruajë edhe Marrëveshjen Bazë, edhe draftin e ofruar për Asociacionin, ndërsa Vuçiq ka këmbëngulur në zbatimin e “asaj që është nënshkruar”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat