Kurti, Von der Leyenit: E nevojshme ekstradimi i Radojçiqit në Kosovë dhe vendosja e sanksioneve ndaj Serbisë

Aktuale

Kurti, Von der Leyenit: E nevojshme ekstradimi i Radojçiqit në Kosovë dhe vendosja e sanksioneve ndaj Serbisë

Më: 30 tetor 2023 Në ora: 07:33 Përditësuar në ora: 19:39 më 30.10.2023
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe kryeministri Albin Kurti

​Kurti dhe von der Leyen flasin lidhur me draftin për Asociacionin

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, për herë të tretë në pak më shumë se dy vjet ka mirëpritur në Prishtinë, presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Kryeministri Kurti falënderoi Presidenten e Komisionit Evropian, von der Leyen për përkushtimin e saj ndaj agjendës evropiane të Kosovës, teksa e njoftoi atë me rezultatet e deritanishme të qeverisjes, zhvillimet e fundit në vend, takimin e 26 tetorit me liderët evropianë dhe me qëndrimin e Kosovës në raport me propozimin e BE-së dhe ShBA-së për zbatimin e nenit 7, ndërlidhur me nenin 10 të Marrëveshjes Bazike.

Ai e njoftoi edhe për projektet e ndryshme infrastrukturore, përfshirë ato të cilat tashmë kanë mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, por edhe projekte tjera të cilat mund të përfitojnë nga mbështetja, sikurse është ai i hekurudhës Prishtinë-Durrës.

Në lidhje me sulmin terrorist, paramilitar dhe kriminal të 24 shtatorit, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë dhe nevojën e ekstradimit të Milan Radoiçiq në Kosovë, ku do të ballafaqohej me një gjykim fer dhe të drejtë për veprat e tij, dhe në të njëjtën kohë domosdoshmërinë e sanksioneve ndaj Serbisë në mënyrë që sulme të tilla mos përsëriten.

Sipas një komunikate të Qeverisë, në takim u fol edhe për Planin për Zhvillim të BE-së për Ballkanin Perëndimor, përfitimet e mundshme nga ai, si dhe për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe përparësitë e tij për rajonin, përkatësisht Ballkanin Perëndimor.  

​Von der Leyen: Serbia duhet ta pranojë një njohje ‘de facto'

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, tha se shtensionimi gjithmonë kërkohet nga të dyja palët.

"Fuqishëm fajësojmë sulmet e dhunshme të shtatorit. Shpreh ngushëllimet më të thella. Një sulm i tillë është tërësisht i papranueshëm.

Më lejoni t’iu sigurojmë që BE është e zotuar për vendet e Ballkanit, Kosova ka bërë një progres shumë të qëndrueshëm, ju përgëzojmë për punën e madhe për fuqizimin e demokracisë.

Në këtë shteg dhe këtë rrugë, do ta kalojmë së bashku", tha ajo.

Sa i përket liberalizimit të vizave, ajo tha është një gurthemelet për përforcimin e marrëdhënieve.

“Ftojmë edhe Kosovën ta lansojë procedurën për pranimin e Asociacionit të komunave. Kurse Serbia duhet ta pranojë një njohje ‘de facto'”, tha ajo.

Osmani i kërkon Von Der Leyen heqjen e masave: Jemi koordinuar me aleatët

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë të përbashkët për media me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se ka folur edhe për heqjen e masave të vendosura nga BE.

Ajo tha se institucionet e Kosovës kanë treguar angazhim konkret për deeskalim të situatës dhe përkushtim të plotë për bashkëpunim dhe koordinim të vazhdueshëm me aleatë dhe partnerë.

“Në takim potencova edhe rëndësinë dhe nevojën e largimit të masave të vendosura ndaj Kosovës. Institucionet tona përgjatë muajve të kaluar kanë treguar jo vetëm angazhim konkret për deeskalim të situatës, por edhe përkushtim të plotë për bashkëpunim dhe koordinim të vazhdueshëm me aleatët dhe partnerët tanë. Njëkohësisht, institucionet tona kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm për të garantuar zgjedhje të reja e të lira por për fat të keq, adresa e këtyre pengesave vazhdon të mbetet në Beograd. Krahas sfidave kolektive globale, theksova se sfidat komplekse që po kalon Republika e Kosovës janë si rezuxltat i përpjekjeve destabilizuese të Serbisë. Vetëm në javët e fundit kemi qenë dëshmitarë të këtyre ambicieve të destabilizuese që rezultuan me aktin e agresionit kundër Republikës së Kosovës më 24 shtator që u krye nga grupe terroriste, paramilitare të Serbisë. Siç i shpreha von der Leyen, ne duhet të jemi të bashkuar për të refuzuar dhunën si mjet për arritje të qëllimeve keqdashëse të cilat minojnë edhe vetë vlerat mbi të cilat është ndërtuar BE. Kosova është e përkushtuar për të respektuar Kushtetutën e saj e cila ofron të drejtat më të avancuara për komunitetet joshumicë jo vetëm në rajon por në të gjithë kontinentin tonë.”

Poashtu, Osmani i ka bërë thirrje Serbisë që t’i ekstradojë të gjithë personat që janë të përfshirë në sulmin terrorist të 24 shtatorit.

“Grupi terrorit i përfshirë në sulmin e 24 shtatorit duhet të përballet me drejtësinë në Kosovë. Ne do të vazhdojmë të aplikojmë standardet më të larta për gjykim të drejtë dhe i bëjmë thirrje Sebisë që t’i ekstradojë individët dhe zyrtarët që ishin pjesë e  planifikimit, financimit dhe organizimit të këtij akti terrorist.”

Ajo e falënderoi von der Leyen për “vizitën, përpjekjet, punën, mbështjetjen dhe miqësinë”.

Von der Leyen për agresionin e 24 shtatorit: Autorët duhet të sillen para drejtësisë

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, ka folur rreth agresionit të Serbisë në Kosovë më 24 shtator.

Ajo në një konferencë për media të mbajtur pas takimit me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, e dënoi fuqishëm sulmin ku u vra polici Afrim Bunjaku.

“Unë i shpreh ngushëlimet më të sinqerta familjes dhe miqve të policit të vrarë”, tha ajo.

Von der Leyen tha se autorët duhet të sillen para drejtësisë.

“Ky sulm është i papranueshëm dhe bie ndesh me vlerat evropiane”, tha e para e KE-së në konferencën për media pas takimit më presidenten Osmani.

Osmani: Von der Leyen ma prezantoi planin e ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor, hap i rëndësishëm drejt integrimit në tregun europian

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen kishin diskutuar kryesisht për planin e ri të rritjes për Ballkanin Europian.

Osmani tha në një konferencë të përbashkët për media se takimi i sotëm “u fokusua në planin e ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor, të cilin e prezantoi presidentja von der Leyen”, të cilin e quajti “hap të rëndësishëm drejt integrimit tonë në tregun e përbashkët europian”.

“Ky plan parasheh mbështetjen e Bashkimit Europian nëpërmjet rritjes së asistencës financiare për reformat të cilat duhet të ndërmerren në procesin integrues”, tha presidentja.

Ndryshe, vizita në Kosovë është në kuadër të një vizite katërditore në rajon, të cilën von der Leyen e ka nisur të dielën në Maqedoninë e Veriut.

Kryetarja e Komisionit Evropian në Presidencë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka pritur në takim kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Pas takimit do të ketë konferencë për medie.

Më pas ajo do të pritet edhe nga kryeministri Albin Kurti.

Pas vizitës në Prishtinë, Von der Leyen pasdite do të udhëtojë për në Beograd, ku do të takohet me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren, Ana Brnabiq.

Ndryshe, vizita në Kosovë është në kuadër të një vizite katërditore në rajon, të cilën von der Leyen e ka nisur të dielën në Maqedoninë e Veriut.

Ajo gjithashtu do të qëndrojë për vizitë në Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë. Vizita vjen pas takimeve që von der Leyen pati në Shqipëri në fillim të këtij muaji, në datat 15-16 tetor, ku mori pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit.

Von der Leyen sot në Kosovë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, sot do të qëndrojë për vizitë në Kosovë.

Ajo në Prishtinë do të mbajë takime me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Pas vizitës në Prishtinë, Von der Leyen pasdite do të udhëtojë për në Beograd, ku do të takohet me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren, Ana Brnabiq.

Ndryshe, vizita në Kosovë është në kuadër të një vizite katërditore në rajon, të cilën von der Leyen e ka nisur të dielën në Maqedoninë e Veriut.

Ajo gjithashtu do të qëndrojë për vizitë në Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Vizita vjen pas takimeve që von der Leyen pati në Shqipëri në fillim të këtij muaji, në datat 15-16 tetor, ku mori pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit.

                                                                                                                           

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat