Albright në librin e saj: Interesi i Serbisë ishte t’i dëbonte shqiptarët nga Kosova, duke vrarë udhëheqësit e tyre

Aktuale

Albright në librin e saj: Interesi i Serbisë ishte t’i dëbonte shqiptarët nga Kosova, duke vrarë udhëheqësit e tyre

Më: 30 tetor 2023 Në ora: 16:40
Madeleine Albright

Madeleine Albright ka shërbyer në postin e Sekretares së Shtetit Amerikan nga viti 1997 deri më 2001. Gjatë karrierës së saj të shquar, ajo ka punuar në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe si ambasadore e Shteteve të Bashkuara pranë Kombeve të Bashkuara.

Në librin e saj “Të fuqishmit dhe i plotfuqishmi”, ajo shkruan për rolin ndërkombëtar të Amerikës, për fenë dhe etikën. Parathënien e librit e kishte shkruar ish-presidenti amerikan Bill Clinton.

Te kapitulli “Çështja e ndërgjegjës”, ajo kishte shkruar edhe për rolin e saj dhe të ShBA-së në Ballkan, respektivisht në Kosovë gjatë vitit 1999.

“Në fillim të viteve ‘90, diktatori serb Sllobodan Millosheviq kish nisur tre luftëra të pasuksesshme: kundër Sllovenisë, kundër Kroacisë dhe kundër Bosnjës. Në vitin 1999, ai e drejtoi armiqësinë e tij kundër shumicës etnike shqiptare në Kosovë, provincë e Serbisë. Gjatë një viti, studiova çdo rrugë të mundshme për të siguruar një zgjidhje diplomatike që të respektohej nga të dy palët. Shqiptarët më në fund e pranuan propozimin tonë; Millosheviqi e refuzoi, duke ndërsyer forcat e tij të sigurimit kundër popullsisë civile”, kishte treguar në librin e saj, sekretarja Madeleine Albright.

Tutje, ajo kishte treguar sesi Serbia kishte synuar që krahas dëbimit të popullatës t’i vriste edhe udhëheqësit e Kosovës.

“Interesi i tij ishte t’i dëbonte shqiptarët nga Kosova, duke vrarë udhëheqësit e tyre, duke djegur fshatrat e tyre dhe duke përhapur terror. Qëllimi i tij ishte që problemin e Kosovës “ta zgjidhte” njëherë e përgjithmonë”, shkruante Albright.

Albright, duke vazhduar rrëfimin e saj, kishte treguar sesi diplomatët rusë, historikisht në anën e vëllezërve të tyre sllavë, premtuan se do të vinin veton për çdo masë që autorizonte përdorimin e forcës për ndaljen e serbëve.

“Kjo gjë e vuri administratën e Clintonit dhe NATO-n përpara një zgjedhjeje të vështirë. Ose të lejonim Rusinë të përdorte veton me të cilën na kish kërcënuar, duke mos na lënë të vepronim, ose të përdornim forcën për të shpëtuar popullin e Kosovës edhe pa lejen e shprehur të Kombeve të Bashkuara. Punova tej mase shumë dhe ia dola mbanë për përdorimin e variantit të dytë. Arsyet e mia ishin pjesërisht strategjike: Evropa nuk do të ishte asnjëherë plotësisht në paqe, për sa kohë që Ballkani të ishte i pastabilizuar dhe Ballkani nuk do të ishte i stabilizuar për sa kohë që Millosheviqi do të ishte në pushtet. Gjithsesi, motivi im kryesor ishte moral: Nuk doja të shihja të vriteshin njerëz të pafajshëm”, shkruante sekretarja tanimë e ndjerë, Madeleine Albright.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat