“Insistimi i KPK-së për Isufajn”, Miftaraj: Më shumë ka argumentim politik sesa kushtuetues e ligjor

Aktuale

“Insistimi i KPK-së për Isufajn”, Miftaraj: Më shumë ka argumentim politik sesa kushtuetues e ligjor

Më: 1 nëntor 2023 Në ora: 17:36
Ehat Miftaraj

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar pasi Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka dorëzuar sërish në Presidencë emrin e Blerim Isufajt për dekretim në pozitën e kryeprokurorit të Shtetit.

Përmes një postimi në Facebook, Miftaraj ka thënë se kjo shkresë më shumë ka argumentim politik sesa ligjor e kushtetues duke theksuar se e sheh si parapërgaditje të rastit për Gjykatë Kushtetuese nga partitë politike sesa kërkesë serioze për dekretim të Isufajt.

“Shkresa prej tetë faqeve, fatkeqësisht më shume ka argumentim politik dhe shumë ose fare argumentim kushtetues dhe ligjor që e bind publikun se procesi ka qene i drejtë, i paanshëm, meritor dhe i pavarur. Shkresën më shumë e pash si parapregaditje e rastit për Gjykatë Kushtetuese nga partitë politike se sa kerkesë serioze për dekretimin e kandidatit të propozuar nga KPK”, ka shkruar Miftaraj.

Miftaraj ka thënë ndër të tjera se sipas kësaj shkrese, kandidati për Kryeprokuror të Shtetit është “dëm kolateral i vet Këshillit Prokurorial të Kosovës”.

“Se sa jo kompetent është Këshilli Prokurorial e dëshmon pretendimi i tyre se me mos dekretimin e Blerim Isufaj, cenohen të drejtat e tij kushtetuese të përcaktuara me nenin 45 të Kushtetutës”, ka vijuar ai.

Ai ka sqaruar tutje se neni 45 i Kushtetutës thotë se çdo shtetas i Republikës së Kosovës që ka arritur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, gëzon të drejtën të zgjedhë dhe të zgjedhet, me përjashtim kur kjo e drejtë i kufizohet me vendim gjyqësor.

“Ky Këshill do të thotë nuk e kupton se kjo e drejtë është e drejtë politike për të kandiduar per deputet/e, kryetar/ekomune, asambleist/e dhe e drejtë për të votuar në zgjedhje parlamentare dhe komunale e asesi e drejte per tu emëruar në një post publik permes procesit te konkursit. Kjo shkresë të ndërton bindjen se vet KPK po punon qe Blerim Isufaj te mos dekretohet. Dhe kjo nuk i bën nder as Blerim Isufajt e as vet KPK”, ka theksuar ai.

Ndryshe, sot, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka dorëzuar sërish në Presidencë emrin e Blerim Isufajt, për dekretim në pozitën e kryeprokurorit të Shtetit.

Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” anëtarja e KPK-së, Jehona Grantolli.

“Po, është e vërtetë që e kanë dërgu edhe një herë, po po Këshilli me vendim”, tha Grantolli.

Po ashtu, edhe anëtari tjetër i KPK-së, Arian Gashi, tha se ishte formuar një grup që ka analizuar çështjet e ngritura dhe pastaj e ka dhënë secili qëndrimin.

“E di që është formu një grup që ka pas me i analizu qito çështjet e ngritura, është dërgu pastaj të gjeturat lidhur me këtë çështje dhe na kemi dhanë secili qëndrimin tonë. Mbledhje e veçantë nuk është mbajtë, se nëse ish mbajtë mbledhja ishit informu besoj, të gjitha mediat”, tha Gashi.

Kurse, Bekim Kupina, këshilltar për medie i presidentes Osmani, tha për Portalin Dukagjini se kanë pranuar një letër nga kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku.

“Ka ardhë një letër nga z.Maloku, sapo ta shohim ju njoftojmë”, konfirmoi Kupina.

Kujtojmë se presidentja Vjosa Osmani, më 17 tetor 2023, përmes një konference për medie njoftoi se e ka njoftuar KPK-në që duke u bazuar në shkeljet e evidentuara në proces, nuk mund ta dekretojë Isufajn për kryeprokuror të Shtetit.

“Sot e kam njoftuar Këshillin Prokurorial të Kosovës në lidhje me këtë vlerësim të procedurës, duke pasur parasysh të gjitha shkeljet e përmendura, më obligon të mos bëj dekretimin e kandidatit të propozuar për kryeprokuror të Shtetit, sipas propozimit të Këshilit Prokurorial”, kishte thënë Osmani.

Ndërsa, në një intervistë ekskluzive për emisionin “Tempus“, Osmani renditi shkeljet që janë evidentuar në këtë proces, kurse theksoi se për dekretimin e kryeprokurorit ka pranuar edhe kërcënime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat