E kanë bërë rrugë, herë pozita e herë opozita - Nuk kaluan mocionet, opozita lëshon sallën

Aktuale

E kanë bërë rrugë, herë pozita e herë opozita - Nuk kaluan mocionet, opozita lëshon sallën

Nga: Bota sot Më: 2 nëntor 2023 Në ora: 06:53 Përditësuar në ora: 15:45 më 02.11.2023
Kuvendi i Kosovës

​Përfundon seanca, miratohet raporti vjetor financiar për buxhetin e vitit të kaluar

Në mungesë të opozitës, nuk është shqyrtuar pika e rendit të ditës për formimin e komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy anëtarë të Bordit për Ankesa të Mediave.

Pas pauzës, seanca plenare ka vazhduar sërish pa prezencën e partive opozitare.

Këto të fundit kanë propozuar që të miratohen dy mocione për trajtimin e kërkesave të minatorëve të “Trepçës” dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Por të dy këto mocione nuk kanë marrë mbështetjen e shumicës parlamentare.

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sërish nesër, ku për raportim në këtë seancë është ftuar kryeministri Albin Kurti. Ai para deputetëve pritet të përgjigjet lidhur me atë që është dakorduar në takimin e fundit në Bruksel. 

Pozita pa kuorum, Kuvendi shkon në pauzë

Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pauzë deri në orën 13:30. Në mungesë kuorumi nuk ka arritur t’i hedh në votim dy marrëveshje ndërkombëtare dhe tri projektligje.

Në mungesë të deputetëve të opozitës nuk është hedhur në votim as mbështetja e rezolutës së Parlamentit Evropian e datës 19 tetor 2023 mbi zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë situatën në komunat veriore të Kosovës.

Kuorum nuk pati as për emërimin e tre anëtarëve vendor të Këshillit Shtetëror të Cilësisë së Agjencisë së Kosovës për Akreditimit.

Pasi pozita nuk përkrahi dy mocionet e propozuara të partive opozitare për kërkesat e minatorëve të “Trepçës” dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, opozita ka lëshuar sallën.

​Nuk miratohen dy mocione, opozita lëshon sallën

Pozita nuk mbështeti kërkesat e opozitës për votimin e dy mocioneve. Njëra për miratimin e kërkesave të minatorëve të “Trepçës” e tjetra për kërkesat e pjesëtarëve të njësive elite të Policisë së Kosovës. Për të dy këto çështje, përfaqësues të partive opozitare thanë se është me urgjencë që Kuvendi të miratojë rezoluta, ndërkaq shumica parlamentare nuk është pajtuar me një gjë të tillë. Pas dështimit të miratimit të këtyre dy mocioneve, opozita ka lëshuar sallën plenare, ndërkohë që po vazhdohet me pika të tjera të rendit të ditës.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se kërkesa për plotësim të rendit të ditës është tendencë për politizim të vazhdueshëm të kësaj çështje.

Kusari-Lila: Kjo është greva e parë që nuk ka këshill grevist

“Të gjitha përpjekjet për t’u ndërprerë greva apo qëndrimi i grevistëve poshtë në minierë është bërë. Shto këtu faktin që fatkeqësisht kjo është greva e parë në shoqërinë aksionare “Trepça” që nuk ka Këshill grevist, që nuk është në përputhje me ligjin me greva. Në Trepçë ka pasur grevë në vitin 2019, 2020 dhe ka pasur këshill grevist, ka pasur gjithashtu diskutim të drejtpërdrejt mbi kërkesat me këshillin grevist. Tani nuk ka këshill grevist, tani po shkaktohen pasoja ligjore për të gjithë involvuarit në procesin e grevës... Përderisa atje Kishnica dhe Novëbërda janë kthyer në punë, ndërsa një pjesë e atyre që janë në grevë në Stantërg kanë ndërprerë grevën, ne konsiderojmë që sot duhet të vazhdohet me agjendën”, deklaroi Kusari-Lila.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri propozoi që në rend të ditës të futet një rezolutë për gjendjen dhe kërkesat e minatorëve të “Trepçës”.

Tahiri: Kërkojmë që pikë e parë të jetë miratimi i një rezolute për minatorët e “Trepçës”

“Tash e dhjetë ditë minatorët e “Trepçës” janë në grevë. Dhe ne për dhjetë ditë në asnjë rrethanë nuk kemi dashur të sjellim në Kuvend, të politizojmë këtë çështje dhe të ketë një debat politik. Sepse i kemi dhënë kohë qeverisë që të zgjidh këtë çështje dhe minatorët të dalin nga greva. Dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur, ne edhe si komision parlamentar kemi pasur një takim me minatorët ku kanë shprehur pakënaqësitë e tyre, andaj sot duke pasur parasysh që edhe rregullorja lejon që të trajtohen çështje urgjente, të plotësohet dhe ndryshohet rendi i ditës, ne rezolutën veçse e kemi proceduar dhe kërkojmë që sot të hyjë si pikë e parë e kësaj seance miratimi i një rezolute, me të cilën Parlamenti i Kosovës kërkon mbështetjen e kërkesave të minatorëve të Trepçës”, deklaroi Tahiri.

Këtë mocion e përkrahi edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ku shefi i deputetëve të kësaj partie opozitare, Arben Gashi tha se në mënyrë urgjente të trajtohet çështja e minatorëve të Trepçës.

Gashi: Kërkesat e minatorëve janë minimaliste

“Mendojmë që është me rëndësi që kuvendi ta shqyrtojë dhe të kalojë një rezolutë e cila i kërkon qeverisë që kërkesat e tyre të plotësohen, sepse kërkesat e minatorëve të Trepçës janë kërkesa minimaliste. Kërkesat e tyre janë kërkesa minimaliste, çka kërkojnë ata është që të garantohet që pagat do i marrin në fund të muajit. Trepça është ndërmarrje publike, shteti duhet të garantojë që pagat e tyre në fund të muajit do të ju dalin në llogari. Kjo është e palogjikshme, e paarsyeshme që të detyrohen minatorët që të ngujohen në ‘zgafella’ për javë të tëra. Për çka? Të kërkojnë pagat e tyre. Prandaj mendojmë se kjo duhet të trajtohet me karakter urgjent”, shtoi Gashi.

Krahas kësaj, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri kërkoi që të trajtohet edhe çështja e kërkesave të njësive elite të Policisë së Kosovës.

Tahiri: Me urgjencë të trajtohet cështja e policëve të Kosovës

“Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës normal që e mbështet dhe konsideron që është tepër urgjente që të mbahet një seancë dhe të diskutohet çështja e minatorëve. Kjo do të duhej të ndodhte sipas nenit 53 dhe 94 të rregullores së punës të këtij institucioni. Po ashtu është tepër me rëndësi që të diskutohet me urgjencë edhe çështja e policëve të Kosovës. Ne kemi pasur një paralajmërim të një proteste dje të FIT-it, sot ka edhe një protestë tjetër. Duhet me urgjencë të trajtohet për shkak se në qoftë se vazhdon ky zingjir i këtyre protestave, atëherë është duke devalvuar vendi dhe institucionet e Kosovës”, u shpreh ai.

Mocioni i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës u përkrah nga vetëm 33 deputetë, 36 e kundërshtuar dhe shtatë abstenuan. Po ashtu nuk është përkrahur as mocioni Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ku 34 ishin për, 50 abstenuan, kundër asnjë.

Vetëm një pikë votohet në seancën e sotme, Konjufca e fton opozitën të marrë pjesë në seancë

Deputetët e pozitës të cilët ishin të vetmit në sallën e Kuvendit të Kosovës, pasi opozita e lëshoi seancën në shenja pakënaqësie.

Në rend dite ishin për votim pikat e papërfunduara nga seanca plenare të mbajtura më 28 shtator, 4 dhe 26 tetor.

Prej këtyre pikave nuk patën kuorum për votim:

– Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-241 për vlerësimin strategjik mjedisor,

– Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-242 për performancën energjetike të ndërtesave,

– Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-246 për administrimin e ndërtesave dhe lagjeve të banimit në bashkëpronësi.

Kurse u votua “Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-240 për Agjencinë e Regjistrimit Civil”.

Kryetari i Kuvendi të Kosovës, Glauk Konjufca, pas kësaj ka thënë se nuk do të dalë në votim as pika: ” Miratimi i Deklaratës në mbështetje të Rezolutës së Parlamentit Evropian e datës 19 tetor 2023 mbi zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë situatën në komunat veriore të Kosovës (2023/2880(RSP).

Sipas tij, kjo nuk mund të del në votim pasi të pranishëm nuk janë deputetët e opozitës, që sipas tij, duhet ata edhe ta paraqesin për votim këtë pikë që është e veçantë.

Konjfuca, ndër tjera, shtoi se për votim nuk mund ta dalin as pikat për marrëveshjet ndërkombëtare. Ata kanë shkuar në pauzë tashmë dhe do të kthehen nga ora 13:30.

Tre deputetë të VV-së s’i votojnë Projektligjet e propozuara nga ministri Aliu

Tre deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, për të tretën herë më radhë nuk po marrin pjesë në votim të Projektligjeve.

Enver Haliti, Milazim Salihaj e Mirsad Shkreta, nuk i kanë votuar Projektligjet që u propozuan nga ministri i Ambientit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë, Liburn Aliu.

Projektligji i parë që nuk mori votat e mjaftueshme për vlerësimin strategjik mjedisor dhe ai për performancën energjetike të ndërtesave.

Gjatë seancës, shefja e deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari-Lila është parë duke u munduar t’i bind deputetët të votojnë pro.

Kusari – Lila: Propozimi i rezolutës nga opozita për Trepçën, tendencë për politizim

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila ka thënë se kërkesa e opozitës për rezolutën në mbështetje të minatorëve grevist në Trepçë, është tendencë për politizim të vazhdueshëm të kësaj çështje.

Kusari –Lila madje tha se seanca e sotme do të duhej të vazhdonte me agjendën e paraparë për sot.

“Fatkeqësisht kjo është greva e parë në shoqërinë aksionare Trepça që nuk ka Këshill Grevist, që nuk është në përputhje me ligjin për greva. Në Trepçë ka pasur grevë në vitin 2019, 2020 ka pasur këshill grevist, ka pasur gjithashtu diskutim të drejtpërdrejtë mbi kërkesat me këshillin grevist. Tani nuk ka këshill grevist, tani po shkaktohen pasoja ligjore për të gjithë të involvuarit në procesin e grevës”

“Prandaj si grup parlamentar konsiderojmë që diskutimi i mëtutjeshëm sot plotësimi i rendit të ditës, do të jetë tendencë e mëtutjeshme për politizim të vazhdueshëm të kësaj çështje, përderisa atje Kishnica dhe Novobërda janë kthyer në punë. Ndërsa një pjesë e atyre që janë në grevë në Standert e kanë ndërpre grevën, ne konsiderojmë që sot do të duhej të vazhdohej me agjendën e cila është paraparë për sot”, tha Kusali – Lila në Kuvendin e Kosovës.

Opozita e lëshon seancën, VV-ja nuk ia voton rezolutën për “Trepçën” e Policinë e Kosovës

Kërkesa e opozitës që sot të diskutohet për grevën e minatorëve të Trepçës dhe për kërkesat e policisë nuk ka kaluar në Kuvend.

Kjo pasi Lëvizja Vetëvendosje ka dalë kundër këtij propozimi.

VV ka duke thënë se seanca duhet të vazhdojë me rendin e ditës.

Kjo ka bërë që opozita ta lëshojë sallën dhe të vazhdojë vetëm pozita.

Fillon seanca e Kuvendit të Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka filluar seancën e plenare me debate ndërmjet pozitës dhe opozitës.

---

Mblidhet Kuvendi, në rend dite rezoluta mbështetëse e PE-së për veriun

Kuvendi i Kosovës sot në një seancë të veçantë do të ketë në rend dite, miratimin e deklaratës në mbështetje të Rezolutës së Parlamentit Evropian mbi zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë situatën në komunat veriore të Kosovës.

Kuvendi i Kosovës po ashtu do  të bëj shqyrtimin e pikave të papërfunduara nga seancat e kaluara.

Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 28 shtator, 4 dhe 26 tetor 2023 janë: Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-241 për vlerësimin strategjik mjedisor, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-242 për performancën energjetike të ndërtesave, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-246 për administrimin e ndërtesave dhe lagjeve të banimit në bashkëpronësim dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-240 për Agjencinë e Regjistrimit Civil.

Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 5 dhe 12 tetor 2023: Votimi i Projektligjit nr.08/L-251 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”, shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-252 për ratifikimin e Marrëveshjes në mes Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Deutsche Gesellschaft für Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, për projektin mbështetja për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë në zonat rurale përmes diversifikimit të aktiviteteve, votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-211 për Verëra.

Do të formohet Komisioni Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komuniteteve jo shumicë dhe propozimi i grupeve parlamentare për emërimin dhe zëvendësimin e anëtarëve në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës, raporton RTKlive.

Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 19 tetor 2023: Votimi për emërimin e 3 (tre) anëtarëve vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, votimi i Projektligjit nr.08/L-221 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFË, Frankfurt Am Main (KFË) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit, votimi i Projektligjit nr.08/L-222 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”, votimi i Projektligjit nr.08/L-223 për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë, votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore, shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-253 për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm, shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-254 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm, votimi në parim i Projekt Kodit nr.08/L-247 Doganor dhe i Akcizave, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-244 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-043 për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare, shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit për shkarkimin e z. Agron Beka nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, shqyrtimi i Raportit vjetor financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës, për vitin 2022 dhe formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Bordit për Ankesa të Mediave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat