Pozhari për situatën me policët: Fajtori ka emër, veç kush nuk don me pa!

Aktuale

Pozhari për situatën me policët: Fajtori ka emër, veç kush nuk don me pa!

Nga: A.Zh Më: 2 nëntor 2023 Në ora: 09:22
Xhevdet Pozhari

Analisti Xhevdet Pozhari, ka akuzuar ministrin e Financave Hekuran Muratin, pas protestës së Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës dhe të Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive para Qeverisë, të cilët kërkuan rishikimin e kategorizimit për rrezikshmërinë në punë.

Pozhari ka thënë se Murati e ka bërë “hallakamë” edhe në kohën kur diskutohej për pensionistët, përcjell Bota sot.

“Me u pas diskutu problemet e kategorive të ndryshme, jo vetëm policisë, qysh është diskutu aq shumë për Asociacionin, sot do të kishim një situatë ndryshe. Por, jo! Kryefjalë u pat bë një gjë që edhe fëmijët e dinin se problemi kryesor është Serbia.

Kështu barra kryesore për dialogun i ra Kryeministrit, i bindur se ministrat do ta kryenin punën e tyre. Disa edhe e kryen, treguan performancë shumë të mirë.

E, disa si Hekuran Murati, e bënë hallakamë. Këtë e kam kuptuar qysh nga koha kur në vend se të bënte zgjidhje për pensionistët, ankohej lartë e poshtë për presionin publik.

Sindikatat, administrata, minatorët, tash edhe policia, ishin situata që do të ndodhnin pashmangshëm”, ka shkruar Pozhari në një postim në Facebook.

Ndërsa, në një shkrim tjetër, analisti ka vlerësuar se krahasuar me periudhën më herët, policët janë shumë më mirë me paga dhe të ardhura.

“Xhelal Sveçla paska shkruar se:

- Buxheti për policinë është rritur për 30%,

- Buxheti për investimet kapitale për 300%,

- Buxheti për pajisje operacionale është 21-fishuar,

- Buxheti për pajisje operacionale nga gjysëm milioni, këtë vit është rritur në 9 milionë euro,

- Të ardhurat (pagë, rrezikshmëri dhe shtesa) të zyrtarëve që kanë protestuar paskan qenë 2.200 euro.

Ku e keni hallin? Po ju mungon lloji i ministrave të brendshëm si Agim Veliut dhe Skender Hyseni, a?

Krahasuar me dje, sot qenkeni shumë më mirë. E, nesër nuk është larg mendsh se do të jeni më mirë se sot.

Çka me ju thënë pensionistëve që marrin kah 100 euro, se sa për ju, nuk qenkeni bash për mu qajt sa i përket të ardhurave dhe krijimit të parakushteve për punë”, ka thënë Xhevdet Pozhari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat