Gjykimi për krime lufte, dëshmitarja identifikon të akuzuarin Alidemaj: Burrin tem, qeky ma ka vra

Aktuale

Gjykimi për krime lufte, dëshmitarja identifikon të akuzuarin Alidemaj: Burrin tem, qeky ma ka vra

Më: 4 nëntor 2023 Në ora: 11:28
Foto ilustrim

Dëshmitarja Shukrije Osmani, e ka identifikuar të akuzuarin për krime lufte, Muhamet Alidemaj, duke thënë se është ai që ia ka vrarë bashkëshortin.

“Burrim tem, qeky ma ka vra, edhe Xhevdet Dobranin edhe Afrim Behramin janë kanë roje”, ka thënë Osmani në seancën e së premtes, e cila dëshminë e saj e dha nga Gjermania përmes video-linkut.

Alidemaj ngarkohet se kishte marrë pjesë bashkë me policë dhe ushtarë serbë në vrasjen e civilëve shqiptarë në masakrën e Izbicës që ka ndodhur në mars 1999 e ku ishin vrarë e masakruar mbi 130 shqiptarë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitarja tha se i akuzuari Alidemaj ka qenë prijës i masakrës së Izbicës.

“E kujtoj që as me fjet nuk muj qaq që shoh andërr atë masakër, atë tmerr”, u shpreh Osmani, duke thënë se kur kishte shkuar në shtëpinë e saj për t’iu marrë bukë fëmijeve, aty e kishte gjetur tani të akuzuarin Alidemaj, i cili ia kishte drejtuar armën në gjoks.

“Ky automatin ma majke në gjyks, kur kom piskat unë që kom piskat o Zot në dorë tane, m’tha mos u tut, mos u tut, qaty e kom ditë që është shqiptar”, tha dëshmitarja Osmani.

Osmani ka treguar se një natë para masakrës së Izbicës, ishte nisur me vjehrrën e saj nga livadhet poshtë për të shkuar nështëpi dhe për të marrë bukë për fëmijët, e kur ishte ofruar tek ballkoni i shtëpisë, aty ishe ndaluar nga ushtarët serbë, ndërsa i akuzuari Alidemaj ia kishte vendosur automatin në gjoks.

“Ku e keni tha Adem Jasharin, Adem Demaçin, ku e keni Hashim Thaçin, ku e keni Sandokanin, ku e keni Rexhep Selimin, Sylejman Selimin, tanë i ka përmend me emra, ku e keni tha NATO-n, ku e keni tha Klintonin, Albright-in, thash unë nuk di çka është nata-dita unë jom ardhë me marrë bukë”, deklaroi Osmani.

Tutje, ajo tha se i njëjti ia kishte dhënë bukën në dorë dhe i kishte thënë se jeni të gjithë në rreth.

“Edhe tha me u tubu tanë se tha nesër kena me i kallë shpijat, e mos ikni asnjë”, ka thënë ajo, duk shtuar se i kishin ndarë burrat dhe gratë dhe kishin krisë automatat, e sipas saj çdo ushtar kishte pasur për t’i vrarë nga 5 civilë.

Në atë masakër, ajo tha se i plagosur i kishte mbetur vëllai i saj, ndërsa ishte vrarë djali i axhës.

“Tanë i kanë vra, kanë vra fmi, kanë vra pleq, kanë vra gra, i kanë djeg gjinen, në prokolicë i kanë djegë gjinën. Zoja Osmanin e plotë i kanë djegë, i kanë kallë në traktora”, tha Osmani.

Të akuzuarin Alidemaj ajo tha se vetëm një herë e kishte parë, aty ku e kishte gjetur tek shtëpia e saj, për të cilin tha se kishte qenë me rroba civile. Të njëjtin ajo tha se pastaj e kishte njohur edhe nga televizori.

“U kon qeky se tani e ka lajmëru televizori se qeky person është Muhamet Alidemaj, unë thash qeky është që m’ka folë shqip në shpi tem”, deklaroi Osmani.

Për të njëjtin ajo tha se në fytyrë e ka një beng, e të cilin edhe në këtë seancë e ka identifikuar përmes kamerës, e cila bëri me gisht në drejtim të Alidemajt.

Në këtë seancë, me pajtimin e palëve, deklaratat e dëshmitarëve Isen Ramaj dhe Emine Gashi të dhëna në Polici u konsideruan të lexuara, për shkak se nuk ishin në gjendje të mirë shëndetësore.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 29 mars 2022, Muhamet Alidemaj po ngarkohet se gjatë periudhës kohore 24 mars 1999 – 11 qershor 1999, gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës kundër popullsisë civile dhe pasurisë së tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat