Kurti për Deharin thotë se u mbyt në burg, ndërsa e lavdëron Rexhep Selimin

Aktuale

Kurti për Deharin thotë se u mbyt në burg, ndërsa e lavdëron Rexhep Selimin

Nga: H.O. Më: 5 nëntor 2023 Në ora: 21:54
Kryeministri i Kosovës dhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës dhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti në një postim të tij në Facebook ka publikuar fjalimin e tij të plotë sot në mbledhjen e sotme me pikat e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai ka thënë se ky aktivitet tashmë do të jetë i përvitshëm.

Në këtë aktivitet, Albin Kurti foli për ish aktivistin e kësaj partie, Astrit Deharin, për të cilin tha se  u mbyt në burg, ku mbahej padrejtësisht e për arsye politike, shtatë vjet më parë.

Ai foli për të kaluaren e Astrit Deharit, si aktivist dhe si student i dalluar në Fakultetin e Mjekësisë.

“Astrit Dehari, dhe kjo duhet përmendur sa herë që flasim për të, ka qenë një student i shkëlqyer i mjekësisë, me rezultate shumë të larta. Ka qenë i apasionuar pas fushës së tij studimore, por ka qenë edhe aktivist i mjekësisë. Bashkë me studentë të tjerë, ai organizonte grupe që kryenin vizita shëndetësore falas në lagjet e varfra të kryeqytetit të Kosovës. Këto janë vlera të mëdha njerëzore, kaq të thjeshta për t’u bërë, por kaq fisnike kur bëhen. Astriti sot i mungon Lëvizjes si një aktivist i palodhshëm dhe i patrembur që ka qenë. Por ai i mungon edhe Kosovës, sepse sot do të ishte një mjek i ri shumë i përgatitur në spitalet tona, e në politikbërjen për shëndetësinë për Kosovën. E pra, nëse e respektojmë Astritin, nuk mjaftojnë lulet, fjalët e bukura dhe as shkrimet për të”, shkruan Kurti.

Më tutje ai foli edhe për Rexhep Selimin, duke lavdëruar shumë veprat e tij.

“Para se të flas për të arriturat, rezultatet dhe sukseset e qeverisjes sonë, dëshiroj të kujtoj me mall mikun dhe bashkëveprimtarin tonë, luftëtarin e lirisë, dhjetëshin e UÇK-së, Rexhep Selimin. Rexhep Selimi apo më saktë, e më dashur e më drejt, Rexha, tash e tre vjet po vuan në burgun e Hagës. Deputet i yni qysh në 2010 kur vendosëm së pari të marrim pjesë në zgjedhje, gjithmonë fitimtar, gjithmonë çlirimtar. Ish-kryetar i grupit tonë parlamentar, ish-anëtar i kryesisë, të cilin mezi presim të na kthehet, për këto detyra e për detyra të tjera të rëndësishme për Lëvizjen tonë e për mbarë kombin tonë. Mbetemi të patundur në bindjen se UÇK-ja e drejtë, është edhe e pastër. Prandaj i kemi kundërshtuar gjykimet e padrejta, atëherë kur vendosej për to”, thekson Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat