Kica-Xhelili e quan “propagandues patologjik” ministrin Murati

Aktuale

Kica-Xhelili e quan “propagandues patologjik” ministrin Murati

Më: 6 nëntor 2023 Në ora: 18:36
Doarsa Kica

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, e ka quajtur propagandues patologjik, ministrin e Financave, Hekuran Murati.

Reagimi i saj vjen pas deklaratës së ministrit Murati, i cili ka thënë se për shkak të mos ratifikimit të marrëveshjes ndërkombëtare nga opozita, është bllokuar projekti që ka të bëjë me financimin në vlerë prej 80 milionë euro për Termokosin.

Ai i është drejtuar kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut, që “në vend se të bëjë akuza të pabaza drejt Qeverisë, bën mirë të kërkojë nga partnerët e tij të koalicionit që të votojnë për ratifikimin e marrëveshjes që ia siguron 80 milionë euro Termokosit dhe qytetarëve të Prishtinës”.

Lidhur me këtë, deputetja e LDK-së thotë se “nuk e di saktë ku fillon e kulmon domosdoshmëria e njeriut të propagandojë tërë kohën, por ky duhet të jetë kulmi”.

“Ministri Hekuran Murati po kërkon që LDK, e cila ka votuar PËR marrëveshje ndërkombëtare, t’i bind partitë TJERA opozitare të votojnë. Ministri i takon një partie politike që në nivel lokal ka koalicione PIKËRISHT me ata që nuk ja votojnë marrëveshjet, por disi, ‘harron’ kur nuk i konvenon. Kjo nuk është politikë. Të jetosh obsesivisht në trillim ka tjetër dimension patologjik”, ka thënë ajo.

Ministri Murati ka theksuar se nëse është dikush që po bllokon projektet madhore, sipas tij janë pikërisht partnerët e koalicionit qeverisës në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat