Supremja vërteton dënimin ndaj Vukoticit me 13 vjet burgim për dhunë seksuale gjatë luftës

Aktuale

Supremja vërteton dënimin ndaj Vukoticit me 13 vjet burgim për dhunë seksuale gjatë luftës

Më: 7 nëntor 2023 Në ora: 16:25
Zoran Vukotic

Gjykata Supreme ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, me të cilin Zoran Vukotic ishte dënuar me 13 vjet burgim për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Lajmin e ka bërë të ditur nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).

Fillimisht Gjykata Themelore në Prishtinë kishte dënuar Zoran Vukotic me 10 vjet burgim, ndërsa pas ankesës, Gjykata e Apelit e kishte rritur dënimin në 13 vjet burgim.

Mbrojta e të akuzuarit kishte paraqitur kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë, dhe Gjykata Supreme e refuzoi këtë kërkesë dhe përfundimisht e vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit me të cilin Zoran Vukotic ishte dënuar me 13 vjet burgim.

“Kjo shënon përfundimin e epilogut të këtij rasti dhe tani kemi të mbijetuarën e parë e cila me këmbëngulësinë e saj dhe mbështetjen e parreshtur të QKRMT-së gjatë gjithë procesit, triumfoi në të gjitha nivelet e gjykatave”, thuhet në njoftimin për media.

QKRMT vazhdon t’i mbështesë dhe i inkurajon të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës që të kërkojnë drejtësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat