Projekt-buxheti për vitin 2024, opozita akuza se u favorizuan komunat që udhëhiqen nga VV

Aktuale

Projekt-buxheti për vitin 2024, opozita akuza se u favorizuan komunat që udhëhiqen nga VV

Më: 8 nëntor 2023 Në ora: 15:31
Ministri i Financave, Punës dhe Trasnfereve, Hekuran Murati

Me debate e kundërshtime është përcjellë diskutimi rreth Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e vitit 2024 në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere. Kritikat u adresuan në shumën prej 1 miliard euro për subvencione, ndërsa vetëm 200 milionë euro për investime kapitale.

Aty u tha se 805 milionë euro do të shkojnë për paga dhe mëditje gjatë vitit 2024, ndërsa buxheti në total për vitin e ardhshëm do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.

Ministri i Financave, Punës dhe Trasnfereve, Hekuran Murati, shpjegoi në detaje sa i përket këtij buxheti.

“Ky buxhet do të shkojë në implementimin e Ligjit për Paga, prioritizimin e fushës së arsimit, sportit meqenëse jemi organizatorë për lojërat olimpike 2030. Buxheti për vitin e ardhshëm si tërësi i shpenzimeve, pra gjithsej shpenzimet buxhetore janë 3 miliardë e 314 milionë euro. Kjo pastaj financohet nga të hyrat buxhetore që janë 3 miliard e 28 milionë euro, ndërkaq pjesa tjetër parashihet që të jetë deficit dhe i cili financohet përmes huamarrjes së jashtme dhe të brendshme”.

Murati tha se mbushja e këtij buxheti është bërë falë “mbylljeve të kanaleve të kontrabandës”.

“Jemi munduar të bëjmë më shumë gjatë këtyre viteve ka qenë luftimi i informalitetit dhe trajtimi i gjitha palëve në mënyrë të barabartë. Në këtë rast përveç kësaj është luftuar edhe kontrabanda dhe janë mbyllur shumë kanale të kontrabandimit që kanë qenë të hapura ndër vite, dhe tani patjetër se ato mallra vazhdojnë të furnizohen, veçse tani përmes kanaleve zyrtare dhe figurojnë edhe si import zyrtar dhe paguajnë taksat dhe tatimet për këtë import”.

Kryetari i Komisionit, Armend Muja pyeti sa është shtesa e buxhetit për komunat krahasuar me vitin e kaluar.

“Krahasuar me vitin e kaluar është rreth 90 milionë euro, më tepër sesa viti paraprak. Mirëpo, nëse krahasojmë si trend, kemi një kapërcim goxha të madh, sidomos dy viteve të fundit”, u përgjigj Murati.

Kritika për ndarjet buxhetore pati deputeti i PDK-së, Ferat Shala. Sipas Shalës, Qeveria e ka ndarë buxhet më pak për investime kapitale, ndërsa ka shtuar atë për subvencione.

“Asnjë afat nuk e arsyeton këtë buxhet dhe këto janë disa shkarje. Në buxhet ke 24 për qind investime kapitale dhe 30 për qind subvencione. Ju personalisht e keni anashkaluar çështjen e subvencioneve. 1 miliard euro janë në dorën tuaj që të bëni çka të doni, ndërsa janë vetëm 200 milionë euro për investime kapitale”, deklaroi Shala.

Tutje, Shala tha se Qeveria ka diskriminuar komunat e mëdha, ndërsa ka mbështetur ato që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Investime e reja nëpër komunat. Komuna e Shtimes i ka 1.1 milion euro, ndërsa Skenderaj vetëm 15 mijë euro. Edhe Prishtina ka më pak se Shtimja projekte të reja investive”, u shpreh Shala, teksa kritika pat edhe për uljen e buxhetit për kategoritë e dala nga lufta.

Shala vazhdoi kundërshtimin, duke e quajtur mashtrues ministrin Murati. Sipas Shalës, shuma e lartë e ndarë për subvencione është për shkak se të afërsisë së mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, tha se me këtë buxhet nuk do të mund të jetësohen shumë premtime.

“Me këtë buxhet që e keni parapa është e pamundur që të përmbushet programi qeverisës. Te çerdhet në këtë buxhet nuk mund të ndërtohen aq sa janë premtuar, për banim social, ka qenë premtim shumë i madh, sigurimet shëndetësore. A do të thotë se në vitin 2024 nuk do të nisim me sigurime shëndetësore”, pyeti Hoti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat