​Szunyog: Nuk ka notë të keqe për Kosovën në Raportin e KE-së

Aktuale

​Szunyog: Nuk ka notë të keqe për Kosovën në Raportin e KE-së

Më: 8 nëntor 2023 Në ora: 21:06
Pamje nga takimi

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog deklaroi se Kosova nuk ka notë të keqe në Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2023. Ai theksoi se ka progres dhe si i tillë po shkon në drejtim të duhur. Kështu u shpreh pasi ia dorëzoi këtë raport zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, ku theksoi se ende as Kosova dhe as Serbia s’kanë filluar të implementojnë obligimet që dalin nga marrëveshje. Ndërkaq, Bislimi u shpreh se BE-ja, duhet të dëshmojë se Kosovën e do dhe e sheh brenda Bashkimit Evropian.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog deklaroi se Kosova nuk ka notë të keqe në Raportin për Kosovën.

Szunyog: Nuk është notë e keqe, progresi po shkon në drejtim të duhur

“Më e keqja është regresi-kthimi prapa, pastaj nuk ka progres, pastaj është progres i kufizuar, pastaj progres dhe progres i madh. Edhe progresi i limituar është diku në mes, që do të të thotë që nuk është notë e keqe, është një numër i madh i kapitujve, që disa çështje teknike të cilat ndoshta nuk janë atraktive por janë të rëndësishme për integrim. Por është raportuar ca progres apo progres i mirë. Sa i përket balancit të përgjithshëm, është ajo çka ne po përpiqemi të themi, ekziston progresi por progresi po shkon në drejtim të duhur, por ndoshta vetëm duhet të fuqizohet në disa fusha, nuk është notë e keqe, kjo është shumë e rëndësishme të ceket”, deklaroi ai.

Derisa theksoi se e ardhmja e Kosovës është drejt Bashkimit Evropian, ai shtoi se duhet të vazhdohet me reformat. Szunyog potencoi se asistenca financiare nuk do të mungojë për Kosovën dhe se synohet ofrimi më afër BE-së, me planin e ri të zgjerimit.

Ai shtoi se Komisioni Evropian ka propozuar një instrument të ri financiar si mekanizmi të ri financiar për të lehtësuar konvergjencën ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe standardeve ekonomike të BE-së.

Szunyog: Rekomandimet për reformën në administratë publike nuk janë implementuar mjaftueshëm

"Anëtarësimi në BE është çështje strategjike dhe këtu përshtatja e vlerave të Kosovës me politikat e sigurisë së jashtme vlerësohet lartë. Po ashtu, keni paraqitur zgjedhjen tuaj strategjike duke implementuar reformat e reja. Po ashtu, reformat që janë publikuar sot, prandaj është bërë edhe publikimi dhe vlerësimi i tyre. Në veçanti, agjenda e reformës drejt BE-së, është shumë me rëndësi, po ashtu stabiliteti politik i Kosovës ka lejuar që të miratohen një pjesë e mirë e legjislacionit, siç është reforma elektorale. Sidoqoftë mos bashkëpunimi ndërmjet partive dhe mospajtimet ndërmjet mazhorancës vazhdojnë të sfidojnë punën e Kuvendit. Rekomandimet e vitit të kaluar për reformën në administratë publike, nuk janë implementuar mjaftueshëm”, u shpreh ai.

Tutje tha se raporti rekomandon që Kosova të bëjë më shumë përpjekje për të implementuar legjislacionin kundër korrupsionit. Ambasadori i BE-së në Kosovë shtoi se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian.

Szunyog: Edhe Kosova edhe Serbia ende s’kanë filluar të implementojnë obligimet që dalin nga marrëveshje

“Edhe Kosova edhe Serbia ende s’kanë filluar të implementojnë obligimet që dalin nga marrëveshje që është e detyrueshme për të dy palët, në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian. Mirëpresim përpjekjet e Kosovës për progresin në reformat drejt anëtarësimit në BE. Duke shikuar në mundësitë që nuk duhet të ketë hapësirë për mospajtime sa i përket rëndësisë së bashkimit për të miratuar reforma. Këtë vit mund të shohim që progresi ka pasur rezultat në nivel më të mirë të përgatitjes së Kosovës për t’u bashkuar në BE. Kosova është e përgatitur mesatarisht, apo ka një nivel të caktuar të përgatitjes por ende duhet të përgatitet në disa fusha siç është prokurimi publik, qarkullimi i lirë i mallrave, qarkullimi i kapitalit dhe liria për të ofruar shërbime”, shtoi ai.

Pas pranimit të këtij raporti, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se për herë adresohet vendimi final i BE-së, për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Bislimi: Kosova ka nevojë për mbështetje shtesë, e assesi për kushte apo parakushte shtesë

“Nuk duhet të ketë përfitime të BE-së dhe as fonde të BE-së pa përqafuar vlerat e BE-së. Njësoj siç nuk duhet të ketë kushte shtesë apo specifike për njërin nga shtetit. Kosova për shkak të specifikave të saj gjendet më prapa në rrugëtimin drejt BE-së, ka indikatorë më të pafavorshëm në krahasime të nivelit të konvergjencës. Andaj ajo ka nevojë për mbështetje shtesë nga ana e Bashkimit Evropian, e assesi për kushte apo parakushte shtesë, për qasje në fondet e planit për rritje”, u shpreh ai.

Megjithatë, Bislimi tha se disa arritje të fushës së sundimit të ligjit, është dashur të vlerësohen më shumë në këtë raport. Përkundër disa arritjeve të kritereve politike,

Veç kësaj, ai shtoi se Bashkimi Evropian duhet të dëshmojë se e do Kosovën.

Bislimi: Edhe BE-ja duhet të dëshmojë se Kosovën e do dhe e sheh brenda Bashkimit Evropian

“Raporti po ashtu jep edhe sugjerime e rekomandime për hapat e ardhshëm që institucionet e Kosovës duhet t’i ndjekin gjatë rrugëtimet drejt Bashkimit Evropian, e të cilat ne do t’i marrim seriozisht dhe do të përkujdesemi që ato të përfshihen në programin kombëtar për integrim evropian, si dhe në planin e veprimit. Kosova ka dëshmuar që është aleate e Bashkimit Evropian dhe edhe BE-ja duhet të dëshmojë se Kosovën e do dhe e sheh brenda Bashkimit Evropian. Mosnjohja e plotë nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian vazhdon ta dobësojë pozicionin e BE-së jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon...Procesi i anëtarësimit në BE duhet të jetë në plotëni i bazuar në meritokraci. Por, nuk mund të flasim për meritokraci përderisa Kosova nuk është formalisht duke u vlerësuar se a i vlerëson kriteret e Kopenhagës ”, deklaroi më tej zëvendëskryeministri Bislimi.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi deklaroi se largimi i masave ndëshkuese nga BE, do të kthente motivimin dhe do të përshpejtonte edhe më shumë reformat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat