Tërnava: Të zbardhet se nga kush erdhën kërcënimet

Aktuale

Tërnava: Të zbardhet se nga kush erdhën kërcënimet

Më: 9 nëntor 2023 Në ora: 08:04
Hajrullah Tërnava, ekspert i sigurisë

Dy kryetarët e partive opozitare LDK dhe PDK janë marrë nën mbrojtjen e Policisë së Kosovës të hënën. 

Nga Policia e Kosovës nuk kanë dhënë detaje më tepër rreth arsyes pse kryetari i kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku janë nën mbrojtjen e Policisë së Kosovës. 

“Nuk mund të flas sepse këto të dhëna janë konfidenciale”, ka deklaruar Safet Jashari, Udhëheqës i Njësisë për Vlerësimin e Rrezikshmërisë në Policinë e Kosovës në pyetjen e mediave. 

Edhe nga PDK dhe LDK është konfirmuar një gjë e tillë. 

“Po, me rekomandim të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i është ofruar një ekip i njësisë së mbrojtjes së afërt të Policisë”, ka deklaruar Valmir Klaiqi, drejtor i Komunikimit në PDK. 

Derisa zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi ka konfirmuar se Abdixhiku është marrë nën mbrojtje nga Policia. 

”Po, lajmi është i vërtetë! Për të gjitha informacionet e tjera, ju lutem kontaktojeni Policinë e Kosovës”, ka thënë ajo. 

Hajrullah Tërnava, ekspert i sigurisë, kërkon zbardhjen e kërcënimeve dhe frikësimeve ndaj prijësve të partive politike. 

Tërnava shprehet se kur të kuptohen autorët atëherë ndaj tyre duhet të merren masa ligjore. 

“Situatat politike konfliktuoze që po zgjasin me vite të tëra që nga pas lufta e deri më tani nga Serbia ndaj Kosovës, e që u dëshmua me sulmin terrorist të Serbisë ndaj territorit të Kosovës më 24 shtator 2023, na jep të nënkuptojmë që kërcënimet e tilla sikur që po ndodhin ndaj liderëve të partive politike sikur në këtë rast ndaj kryetarit të PDK-se, Memli Krasniqit dhe atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku si dhe disa politikanëve tjerë, janë luftë speciale e kohës, për t’i arritur qëllimet e tyre ata që i bëjnë ato kërcënime dhe frikësime te tyre. Duke e pasur parasysh se shteti i Kosovës tani i ka institucionet profesionale të policisë dhe shërbimet sekrete si që është AKI, tani këto shërbime duhen të merren me zbardhjen e këtyre kërcënimeve, dhe nëse vlerësohen si të vërteta ato kërcënime, ata duhet t’iu qëndrojnë pranë të kërcënuarve në mbrojtje të tyre, për t’iu siguruar jetën e tyre dhe të aktiviteteve që i bëjnë ata. Gjithashtu duhet të punojnë në zbardhjen e atyre kërcënimeve nga kush vijnë ato kërcënime, dhe nëse zbardhen ato kërcënime kush janë autorët, ndaj atyre personave të ndërmerren masa ligjore të përndjekjes se tyre”, deklaron Tërnava. 

Ai hedh dyshime nëse kërcënimet mund të jenë nga Serbia, gjersa shton se nëse do të ishin nga ajo atëherë do të orientoheshin drejt kryeministrit Kurti. 

“Këto kërcënime sikur po vërehen se e kanë edhe prapavijën e tyre që nëse vijnë nga Serbia, qëllimi i tyre është që ta përkeqësojnë situatën politike në Kosovë mes partive ekzistuese, sepse sikur që dihet Vuçiqi disa herë është deklaruar se e ka vështirë të bashkëpunojë me kryeministrin Kurti për çështjet që tani janë aktuale, e që duhet të arrihet megjithatë një marrëveshje sikur që është ajo e Asociacionit të komunave serbe në veri të Kosovës, ai ankohet në Albin Kurtin si “këmbëngulës që dëshiron t’i arritur ato qëllime që i ka në plan, duke mos pranuar themelimin dhe jetësimin e Asociacionit serb”, prandaj kjo sjellje e Serbisë na e krijon atë dyshimin sikur u shpjegua më lartë, sepse Serbia nëse është me Albinin e pakënaqur ato kërcënime ishin dashur të jenë të orientuara kah Albini, se nëse Vuçiq është armiqësor sikur sillet gjithnjë ndaj Kurtit, ato grupe terroriste serbe do ta kërcënonin Albinin”, shton eksperti. 

Ai nuk përjashton që kërcënuesit të jenë edhe shqiptarë, gjersa shton se nëse do të ishin shqiptarë do të duhet profesionalisht të intervenohet ndaj tyre. 

“Nëse ato kërcënime vijnë nga kërcënuesit shqiptarë ndaj të lartë cekurve, atëherë në të njëjtën mënyrë profesionistët policor duhet të intervenojnë ndaj atyre kërcënuesve dhe t’i mbrojnë në përputhshmëri me ligjet e Kosovës, ata prijësit e partive që janë të kërcënuar, prandaj shërbimet profesionale ekzistuese duhet t’i kryejnë obligimet e tyre të përditshme dhe të jenë efikas në kryerjen e tyre, e sidomos t’i zbulojnë ata kërcënues terroristë dhe te marrin masa ndaj tyre gjithnjë edhe duke bashkëpunuar me ndërkombëtarët si dhe shërbime profesionale si me KFOR-it dhe me INTERPOL dhe shërbime sekrete mike tjera që na qëndrojnë pranë dhe na ndihmojnë”, thekson Tërnava. 

Ai shton se situata që mbretëron në regjion e botë, imponon pajtim të mundshëm dhe jetësim të marrëveshjes së Ohrit. 

“Situata politike tani në Kosovë është e tillë që po zhvillohen aktivitete të ndryshme të mbikëqyrura dhe të ndërmjetësuara nga ndërkombëtarët për një pajtim të mundshëm dhe pse jo të detyrueshëm, sepse ky ndërmjetësim tani po zgjatë shumë kohë dhe situata e tanishme që po mbretëron në regjion e në botë, e imponon një pajtim të mundshëm me ndihmën e ndërkombëtarëve e sidomos të jetësimit të marrëveshjes së Ohrit të arritur më parë”, përfundon eksperti. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat