​Bisilimi përmend tri faza për të eliminuar pabarazinë gjinore në Kosovë

Aktuale

​Bisilimi përmend tri faza për të eliminuar pabarazinë gjinore në Kosovë

Më: 10 nëntor 2023 Në ora: 13:51
Foto nga vendngjarja

Zëvendëskryeministrii parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka thënë se eliminimi i pabarazisë gjinore në Kosovë duhet të arrihet në disa faza. Ai tha se fillimisht është e rëndësishme që të fuqizohet gruaja brenda familjes, pastaj pavarësimi ekonomik dhe avancimi në pozitat vendimmarrëse.

Në takimin konsultativ të Zyrës së Kryeministrit me temë "Angazhimi i Kosovës drejt integrimit evropian nga perspektiva gjinore", Bislimi përmendi masat qeveritare që sipas tij kanë kontribuar në barazinë gjinore.

Bislimi: Duhet fuqizimi i gruas brenda familjes

“Eliminimi i pabarazisë në Kosovë duhet të arrihet në disa faza. Për mua faza fillestare dhe më e rëndësishme është fuqizimi i gruas brenda familjes. Unë mendoj se aty fillon pabarazia dhe pastaj bëhet normë dhe fillon të shihet si diçka e pranueshme edhe për shoqërinë. Në vitet e fundit kemi pas prioritet fuqizimin e gruas brenda familjes. Është Ligji për ndihmë juridike falas, janë disa strategji për adresimin e dhunës në familje, janë alokimet shtesë buxhetore për adresimin e dhunës në familje dhe përkujdesjen e atyre që janë nënshtruar dhunës në familje. Pra kemi disa masa që jemi munduar me fuqizua rolin e gruas brenda familjes. Të njëjtën kohë edhe me intervenimet financiare, siç janë shtesat për fëmijë që paguhen në llogari të nënës, po ashtu edhe shtesat për lehoni tregojnë se ne kemi pa bukur shumë si prioritet fuqizimin e gruas brenda familjes. Hapi i dytë që e shoh të rëndësishëm është fuqizimi i gruas në jetën ekonomike”, tha ai.

Pjesë e kësaj tryeze ishte edhe kryetarja e Komisionit parlamentar për integrime evropiane, Rrezarta Krasniqi, e cila tha se Kosova ka bërë hapa drejt barazisë gjinore, mirëpo ende shumë gra përballen me diskriminim në tregun e punës, financa, pronë dhe drejtësi.

Krasniqi: Shumë gra ende përballen me sfida dhe diskriminim në punë, qasje në financa, pronësi dhe drejtësi

“Shumë gra ende përballen me sfida dhe diskriminim në punë, qasjes në financa, pronësi dhe drejtësi. Raportet njohin se korniza ligjore garanton mbrojtjen e të drejtave themelore dhe që është në përputhje me standardet evropiane. Pra ana formale është në përputhje me standardet evropiane... Megjithatë gratë janë ende të nën përfaqësuara në institucionet private dhe publike. Pjesëmarrja e grave në politikë ka filluar të rritet por ende mbetet e ulët”, theksoi Krasniqi.

Në anën tjetër, drejtoresha e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, kërkoi më shumë angazhim nga institucionet për arritjen e barazisë gjinore.

Demolli: Përgjegjësia e institucioneve për të promovuar barazinë gjinore mbetet ende e kufizuar

“Përgjegjësia e institucioneve për të promovuar barazinë gjinore mbetet ende e kufizuar dhe shumë aspekte të barazisë gjinore mbeten ende të limituara. Raporti tregon në mënyrë specifike se ku duhet të adresohen çështjen gjinore që të arrihet një progres sa i përket barazisë gjinore. Është punuar, mirëpo ka ende shumë fusha që nuk janë trajtuar dhe na duhet një bashkëpunim i tillë për të adresuar në mënyrë specifike”, deklaroi ajo.

Edhe penalistët të tjerë që ishin në këtë tryezë potencuan nevojën e arritjes së barazisë gjinore në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat