Rritet numri i përdoruesve të drogave në Kosovë, dominon mosha e re

Aktuale

Rritet numri i përdoruesve të drogave në Kosovë, dominon mosha e re

Më: 10 nëntor 2023 Në ora: 15:19

Raporti i organizatës “Labyrinth” thotë se në gjashtë mujorin e vitit 2023 krahasuar me vitin e kaluar kemi rritje të përdoruesve të drogave në Kosovë.

Memi Ademi nga “Labyrinth”, në një lidhje direkte në emisionin “Rreth e Rrotull” në RTV Dukagjini, për këtë çështje ka thënë se ka shumë faktor që ndikojnë në këtë problem, por ai ka thënë se po ashtu është rritur dhe kërkesa për trajtim.

“Ne aktualisht kemi 2 mijë e 860 persona në databazën tonë dhe çfarë mbetet shqetësuese për neve është se mosha mesatare, fillimi i përdorimit, e cila ka ra në 16 vjeç, që do të thotë se fëmijët veçse i ka prekur kjo dukuri”, ka thënë Ademi.

“Vit pas viti numri i përdoruesve të drogave shkon duke u rritur, ndërsa braktisja e përdorimit të drogave shkon gradualisht më ngadalë”, ka thënë ai, duke shtuar se ka dhe 15 e 16 vjeçarë që kërkojnë trajtim.

Ademi ka treguar se Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) është duke hartuar Strategjinë Kombëtare kundër drogave në Kosovë, ku ndër objektivat kryesore është parandalimi, derisa theksoi pritshmëritë e tij për hartim të një plani parandalues të qëndrueshëm dhe afatgjatë. “Sepse deri më tash kemi pasur projekte të vogla dhe aktivitete të ndryshme prej Policisë së Kosovës”, është shprehur ai.

Por nëse e krahasojmë Kosovën me vendet e rajonit, sipas tij, Kosova qëndron më mirë në këtë aspekt.

“Kur e krahasojmë Kosovën me vendet e rajonit ose të Evropës mund të themi lirisht se punët i kemi më mirë sepse numri i përdoruesve të drogave në Kosovë bazuar në dendësinë e popullsisë është më i ulëti në rajon. Por për ne është shqetësuese me qenë vetëm një përdorues i drogave, e jo që ne besojmë që në Kosovë janë diku rreth 35 mijë  përdorues aktivë të drogës”, ka shtuar Ademi nga “Labyrinth”.

Mes tjerash, ai ka theksuar se ka dhe raste ku personat pas marrjes së trajtimit iu kanë rikthyer përdorimit të drogave, derisa ka potencuar se si “Labyrinth” nuk operojnë në vendet rurale dhe në qytete më të vogla të vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat