Ndeshja Kosovë – Izrael po zhvillohet nën masa të rrepta sigurie në Prishtinë

Aktuale

Ndeshja Kosovë – Izrael po zhvillohet nën masa të rrepta sigurie në Prishtinë

Më: 12 nëntor 2023 Në ora: 20:56
Dy policë duke qëndruar pranë stadiumit Fadil Vokrri në Prishtinë, në të cilin Kosova dhe Izraeli po përballen nën masa të rrepta sigurie, 12 nëntor 2023.

Kosova është duke u përballur me Izraelin këtë mbërmje në një ndeshje kualifikuese për Euro 2024 nën masa të rrepta sigurie në Prishtinë, e cila është e para për kombëtare izaelite prej se nisi lufta mes Izraelit dhe grupit radikal palestinez, Hamas, më 7 tetor.

Autoritetet kosovare i rritën masat e sigurisë prej kur futbollistët izraelitë mbërriën në Kosovë të premten dhe i shtoi ato në ditën e ndeshjes të dielën, duke bllokuar rrugët përreth stadiumit Fadil Vokrri dhe duke kryer kontrolle të rrepta për tifozët me bileta.

Ndeshja ishte paparë të luhej më 15 tetor, por u shty për 12 nëntor pasi militantët e grupit radikal i sulmuan qytetet e Izraelit jugor, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke i rrëmbyer mbi 240 të tjerë. Ky sulm nxiti luftë dhe bombardime të pareshtura hakmarrëse të Izraelit në Rripin e Gazës.

Një numër shumë i vogël i tifozëve shkuan në Stadiumin Fadil Vokrri, i cili zë 14 mijë tifozë, për ta parë këtë ndeshje, që është e pazakontë duke e ditur përkrahjen që ekipi kombëtar dardan gëzon kur luan në shtëpi.Por, forma e dobët e kombëtares dhe moti i keq, si dhe rrethanat në të cilat u zhvillua ajo mund të kenë ndikuar.

Disa orë para ndeshjes, një slogan i madh me mbishkrimin “Free Palestine”, apo në shqip “Liri për Palestinën”, u vendos në ndërtesën e Hotelit Grand në qendër të qytetit pranë një flamuri ukrainas nga grupi aktivist Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist - por u hoq shpejt.

Disa ditë para kësaj ndeshjeje, një grup pro-palestinez kishte kërkuar leje për protestë paqësore në ditën e ndeshjes, por Policia e hodhi poshtë kërkesën e tyre për shkaqe sigurie.

Të shtunën, Policia e Kosovës njoftoi se i ka shtuar masat e sigurisë dhe se i ka ndaluar materialet me përmbajtje fetare dhe politike përreth dhe pranë stadiumit në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat