U përfol se është babai biologjik i Vuçiçit, flet gazetari Fahri Musliu, tregon se si e përjeton etiketimin

Aktuale

U përfol se është babai biologjik i Vuçiçit, flet gazetari Fahri Musliu, tregon se si e përjeton etiketimin

Më: 13 nëntor 2023 Në ora: 21:11
Fahri Musliu

Gazetari Fahri Musliu, e vuan prej vitesh përfoljen mediatike si në Serbi ashtu edhe në Kosovë se është babai real i presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

Kjo për shkak të një ngjashmërie si dhe për faktin se ka qenë dikur koleg me të ëmën e Vuçiçit, Angjelinën, për të cilën ka një konsideratë të lartë.

Së fundi, kjo temë është riaktivizuar në Serbi, në kuadër të luftës politike të atjeshme, çfarë e detyroi dhe presidentin serb Vuçiq që të reagonte me anë të një deklaratë, duke e mohuar kategorikisht atësinë e aluduar kosovare, siç është sulmuar nga opozita.

Në një intervistë për Al Jazeera Balkans, Musliu rrëfen se si e përjeton këtë aludim ndaj tij.

“Sigurisht që nuk është hera e parë, pasi emri im përmendet prej 13 vitesh në media të ndryshme dhe në mesin e qytetarëve anembanë Ballkanit, si ato të serialeve spanjolle apo turke dhe mesa duket nuk do të jetë as hera e fundit. Emri dhe reputacioni im si gazetar tani po keqpërdoret në luftën politike në Serbi. Dhe presidenti Vuçiq reagoi ndaj disa shpifjeve të portaleve të panjohura dhe në pak ditë përmendi emrin tim disa herë në disa dalje televizive. Më vonë u shfaq edhe një video me babain e tij, nuk e di për çfarë arsye. Ajo video po qarkullon në rrjetet sociale dhe portale dhe Vuçiç dëshmon se unë nuk jam babai i tij, gjë që shkaktoi një ortek reagimesh në Serbi dhe Kosovë dhe në mbarë Ballkanin. Më e neveritshmja ishte një deklaratë e shkruar e shefit të kabinetit të presidentit të Kosovës në platformën X, e cila u raportua nga pothuajse të gjitha mediat në Kosovë. Për këtë ka pasur reagime të ashpra nga një koleg dhe disa personazhe të tjerë publikë që kërkuan dorëheqjen e tij, dhe vajza ime, e cila është gazetare, ka reaguar shumë ashpër në një tekst të gjatë në Facebook. Ishte një deklaratë monstruoze e një personi nga Kosova në Top News nga Tirana. Kjo është në fakt atmosfera e krijuar nga përsëritja e shpifjeve.”, ka thënë Musliu.

Ai tha se të flasësh për origjinën kombëtare të dikujt, i cili është babai ose nëna e tij dhe të kërkosh që ajo të përcaktohet me analiza të ADN-së, duke e bërë çështje kombëtare – është dëshmi e gjendjes mendore dhe e frustrimit të njerëzve dhe shoqërisë në tërësi. Kjo po ndodh në Serbi, në Kosovë.

Musliu u shpreh se nuk e ka takuar e ka takuar asnjëherë Aleksandër Vuçiqin.

“E vetmja gjë është se disa vite më parë kam kërkuar disa herë, përmes shërbimit të kontaktit të tij mediatik, të më priste për të diskutuar për këtë shpifje, por vetëm një herë mora përgjigjen se “presidenti nuk mund të më presë sepse është shumë i zënë”.”, ka treguar ai.

Ai ka treguar se nënën e Vuçiqit, Angjelinën e ka njohur që nga viti 1985 apo 1986,

“Ishte një grua me klas, e arsimuar dhe e kulturuar, një gazetare e vërtetë profesioniste, një kolege dhe shoqe e sinqertë, një grua e mirë dhe një nënë shumë e përkushtuar. Dhe më vjen keq që edhe ajo në kohët e vjetra ka përjetuar trauma të tilla nga njerëz të pandershëm, të cilëve nuk u intereson e vërteta dhe faktet.”, ka thënë Musliu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat