Opozita nuk do ta votojë buxhetin për vitin 2024

Aktuale

Opozita nuk do ta votojë buxhetin për vitin 2024

Më: 16 nëntor 2023 Në ora: 00:25
Kuvendi i Kosovës

E enjtja do t’i mbledhë deputetët për vetëm një pikë të rendit të ditës.

Ata do të diskutojnë e më pas edhe të votojnë projektligjin për buxhetin e vitit të ardhshëm.

Por, deputetët e partive opozitare nuk do ta votojnë draft-buxhetin që është miratuar nga Qeveria.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala thotë se buxheti për vitin tjetër është social e aspak zhvillimor.

“Ne kemi një buxhet social jo zhvillimor kemi një buxhet i cili është përsëritje në shumicën e sektorëve nga viti i kaluar nuk kemi investime të reja ose janë minimaliste, nëse marrim shifrat ne llogarisim që nga 26% e investimeve kapitale 92% janë bartje ose projekte të vjetra”, ka thënë Shala.

Shala tutje thotë se në seancën e nesërme do të paraqesin vërejtjet e tyre, pavarësisht që sipas tij, në të kaluarën nuk janë marrë parasysh.

Kritika ndaj këtij buxheti ka paraqitur edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila në një tryezë ku është diskutuar për këtë çështje, ka thënë se ndarjet buxhetore janë diskriminuese dhe politike.

“Ne kemi parë që edhe në këtë projektbuxhet, për vitin 2024 që qasja është politike, dhe duke marr parasysh shifrat që është një komunë Shtimja e cila ka mbështetje më të madhe nga ministritë e linjës sesa komuna e Prishtinës”, ka deklaruar deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

Buxheti i hartuar nga Ministria e Financave, nuk do ta ketë as votën e deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

“AAK-ja që në start e them që nuk do të votojmë sepse është një buxhet i varfërisë, është i regresit dhe mund të them se në investime kapitale nëse janë promotor i zhvillimit dhe në subvencione të ndërmarrjeve ekonomike mendoj se kemi dështuar dhe ne si AAK, nuk do e votojmë u pa edhe në tryezën që e patëm që mungon dialogu social mungon komunikimi me kryetarët e komunave”, ka deklaruar Pal Lekaj – Deputet i AAK-së.

Buxheti për vitin e ardhshëm i cili është votuar në qeveri, pritet të jetë 3.3 miliardë euro, derisa sivjet ishte 3.2 miliardë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat