Ish-drejtori i Policisë: Policia të ketë pagë dinjitoze, ngritja e koeficientit për 5 euro qesharake

Aktuale

Ish-drejtori i Policisë: Policia të ketë pagë dinjitoze, ngritja e koeficientit për 5 euro qesharake

Më: 16 nëntor 2023 Në ora: 17:18
Rashit Qalaj

Pjesëtarët e NJSI-së kanë protestuar më 1 nëntor për të shprehur pakënaqësitë lidhur me pagën, rrezikshmërinë dhe shtesat e tjera.

Të njëjtit kishin paralajmëruar edhe një protestë tjetër, por që të njëjtën e anuluan pasi kryeministri Albin Kurti u premtoi që do t’i takonte.

Por, se a pritet që pas vendimit të ketë përsëri protesta, ish-drejtori i Policisë Rashit Qalaj, thotë se është çështje e Sindikatës.

“Nuk e di, kjo është çështje e secilit pjesëtar të Policisë, është çështje e Sindikatës së Policisë, është çështje e Njësive të Policisë. Por, atë çka unë mund të them si ish-drejtor i Policisë dhe po ashtu si deputet i PDK-së mund të them që është gabim i madh që fillimisht policët nuk janë trajtuar si duhet me paga, me koeficientin e pagave e pastaj janë dëmtuar skajshmërisht edhe me këto shtesa mbi rrezikshmërinë. Mendoj, që qasja e Qeverisë ndaj Policisë dhe organeve të sigurisë nuk është e duhur dhe duhet sa më shpejtë që është e mundur të rishikohet qasja ndaj Policisë”, është shprehur ai.

Qalaj, thotë se ngritja e koeficientit prej 5 euro për vitin e ardhshëm është qesharake.

“Unë mendoj se edhe buxheti që e diskutojmë sot është gabim meqenëse nuk shoh ndonjë rritje të pagave për policët. Kjo, ngritja e koeficientit prej 5 euro mendoj që është qesharake dhe është fyese. Duhet që Policia e Kosovës të ketë një pagë dinjitoze dhe po ashtu duhet që t’i ketë të gjitha ato të drejta që u takojnë me ligj”, ka shtuar Qalaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat