Ky është raporti hetimor për sulmin në Banjskë, të cilin “BE-ja nuk e pranoi”

Aktuale

Ky është raporti hetimor për sulmin në Banjskë, të cilin “BE-ja nuk e pranoi”

Më: 17 nëntor 2023 Në ora: 10:43
Milan Radoiçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe strukturat serbe të sigurisë janë të implikuara në agresionin paraushtarak të Serbisë në Kosovës, sipas raportit preliminar hetimor të Qeverisë së Kosovës rreth ngjarjeve të 24 shtatorit.

Ky raport, të cilin e ka siguruar media është përgatitur më 20 tetor të këtij viti, pothuajse një muaj pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Raporti përshkruan lidhjet e Millan Radojçiqit, kryeterroristit serb, me regjimin e Aleksandar Vuçiqit.

“Siç tregohet në këtë raport, Radoiçiq është thellësisht i ngulitur në strukturën e sigurisë së shtetit të Serbisë, duke filluar nga policia e deri te ushtria dhe shërbimet e inteligjencës në nivele të ndryshme të zinxhirit komandues”, thuhet në raport. “Kjo nuk është e mundur pa dijeninë, pëlqimin dhe mbrojtjen e niveleve më të larta të shtetit serb”.

Sipas raportit të përgatitur nga Qeveria e Kosovës, Vuçiqi ka përgatitur një skenar në të cilin do të “kërkohej ndërhyrja urgjente e Ushtrisë serbe në Kosovë”. Këtë e ka bërë përmes ngritjes së ushtrisë në gatishmërinë më të lartë ushtarake, por edhe duke propaganduar për situatën kinse të vështirë të serbëve në Kosovë.

Në përgatitje për një skenar të tillë, Vuçiq shpesh përdor fushata të gjuhës së urrejtjes dhe poshtëron situatën e qytetarëve serbë në Kosovë. Ai ka përdorur terma nënçmues për të përshkruar figurat politike në Kosovë, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, dhe ka lejuar mediat e tij të përdorin ofendime që kanë objektiv etninë shqiptare”, thuhet në raport.

Raporti përmban edhe dëshmi të organizimit dhe logjistikës së grupit terrorist, të udhëhequr nga Millan Radojçiq.

Për këtë raport, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri tha të enjten se nuk është pranuar nga Bashkimi Evropian.

Haziri tha se pjesa që është përgatitur nga ekspertët ligjorë të Policisë ka qenë profesionale, por pjesa tjetër kur janë futur pjesë politike, ka bërë që raporti të mos pranohet.

“Me vetë faktin që raporti jonë është në tavolinë, por nuk është marrë seriozisht kur është parë se cfarë përbën. Nëse e merr e lexon pjesën Policisë, ekspertiza është profesionale. Kur i kanë futur raportet politike…”, tha ai.

Numri dy i LDK-së tha se ka qenë mundësi e artë e Kosovës nëse do t’i lejonin njerëzit që e kanë kryer operacionin në Banjskë, t’i kryenin edhe hetimet dhe ta përpilonin një raport, i cili sipas tij, do të pranohej nga ndërkombëtarët.

Pjesë nga raporti:

Raporti preliminar

Analiza fillestare e agresionit paraushtarak të Serbisë ndaj Kosovës

Bazuar në provat e mbledhura, elementët kryesorë të mëposhtëm mund të zbulohen në këtë fazë:

Sulmi i Banjskës më 24 shtator 2023 u krye nga një grup paraushtarak i cili ishte rekrutuar, trajnuar dhe caktuar posaçërisht për këtë qëllim, i pajisur me armatim të rëndë të siguruar nga shteti i Serbisë. Grupi paraushtarak vepronte nën komandën operative të strukturave qeveritare serbe, përkatësisht ushtrisë serbe dhe agjencive të inteligjencës.

Qëllimi i sulmit ishte nxitja e një konflikti dhe përshkallëzimi më të gjerë duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në strukturat shtetërore të Republikës së Kosovës, duke përfshirë edhe humbjen e jetëve. Kjo përfshinte sfidimin, kërcënimin dhe vrasjen potenciale të anëtarëve të forcës ndërkombëtare paqeruajtëse KFOR-it, si dhe të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Vrasja e qëllimshme e policit të Kosovës z. Afrim Bunjaku dhe tentativa për të vrarë policët e tjerë, ilustron brutalitetin e pamëshirshëm me të cilin u zbatua strategjia. Është e qartë se në rast se do të realizoheshin planet për zgjerimin e konfliktit, do të ishte përfshirë KFOR-i dhe personeli tjetër ndërkombëtar i sigurisë.

Vendndodhja e Manastirit dhe mënyra se si u planifikua dhe u ekzekutua operacioni nuk lë asnjë dyshim se llogaritja e viktimave gjatë një operacioni policor kundër terroristëve në një manastir të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, kishte për qëllim të kontribuonte në pretekstin për një ndërhyrje ushtarake për të shpëtuar gjoja qytetarët serbë të rrezikuar të Kosovës dhe pelegrinët nga Serbia.

Provat vërtetojnë se zinxhiri komandues i këtij operacioni e ka origjinën në strukturat shtetërore të Serbisë, duke e bërë këtë sulm një akt agresioni kundër integritetit territorial të një vendi fqinj. Çdo përfshirje e mundshme nga shteti i Rusisë përmes oficerëve të saj të inteligjencës dhe aktorëve të tjerë shtetërorë brenda Serbisë dhe strukturës së sigurisë serbe është ende subjekt i hetimeve të mëtejshme. Përdorimi i forcës nga Serbia kundër Kosovës, inkursioni në territorin e saj dhe vrasja e pjesëtarëve të personelit të sigurisë me plane për të zgjeruar zonën e operacionit, së bashku me përfshirjen e paqeruajtësve ndërkombëtarë në përplasje të mundshme me pajisje ushtarake, përbëjnë një krim sipas të drejtës publike ndërkombëtare. Përgjegjësinë për këtë krim e ka presidenti i Serbisë dhe strukturat e tij të sigurisë.

Pamundësia e përkohshme për të ndjekur penalisht anëtarët paraushtarakë të grupit terrorist si pasojë e refuzimit të Serbisë për t’i ekstraduar ata promovon mosndëshkimin e krimeve dhe përbën shkelje të së drejtës penale ndërkombëtare, e cila mund të shërbejë si një liri veprimi për ndërmarrjen e përpjekjeve të reja të sulmeve paraushtarake terroriste, madje edhe në të ardhmen e afërt.

Përveç mbështetjes operative dhe organizative, lidershipi i Serbisë vazhdon të nxisë konflikt në Kosovë, deri në një revoltë të armatosur. Ky agresion, përmes propagandës dhe detyrimit të popullatës në pjesën veriore të Kosovës, u shkatërrua vetëm pas operacionit të dështuar. Presidenti Vuçiq iu drejtua qytetarëve serbë të Kosovës duke sugjeruar se do të vijë koha që ata të largohen nga Kosova “me traktorë”. Këto paralajmërime janë absolutisht të sajuara dhe kanë për qëllim përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës deri në rebelim të armatosur kundër institucioneve demokratike të Kosovës. Për të mbajtur të hapur mundësinë për një pushtim ushtarak të Kosovës në çdo kohë, Serbia po mban deri në 48 baza “përpara” të ushtrisë së saj afër kufirit të Kosovës. Për të forcuar përgatitjet për luftë, Vuçiq po organizon murale dhe grafite të mëdha në të gjithë Serbinë, duke promovuar sloganin “Kur ushtria jonë të kthehet në Kosovë”. Propaganda e përgjithshme në Serbi për një luftë të ardhshme ka arritur nivele të paprecedentë edhe në krahasim me gjuhën e vazhdueshme të urrejtjes të promovuar nga udhëheqja agresive, nacionaliste serbe përmes mediave të saj.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat