Llugaliu thotë se doganierët bënë lëshime për përfitime personale

Aktuale

Llugaliu thotë se doganierët bënë lëshime për përfitime personale

Më: 18 nëntor 2023 Në ora: 21:49
Agron Llugaliu

8 zyrtarë të Doganës së Kosovës dhe një zyrtar policor janë arrestuar mëngjesin e së shtunës gjatë një aksioni të Doganës, të asistuar nga Policia e Kosovës.

Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu ka thënë për RTK-në se nuk bëhet fjalë për kontrolle vetëm në pjesën veriore të vendit, por në 11 lokacione të ndryshme në territorin e Kosovës, ku këta zyrtarë kanë qenë duke vepruar.

“Në bazë të dëshmive që janë mbledhur nga masat e fshehta të hetimit, konsiderohet që kanë bërë vepra që kategorizohen si keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe korrupsion për disa zyrtarë. Nuk është se lidhen shumë me kontrabandën, më shumë lidhen me keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë zbatimit të autorizimeve ligjore, kanë bërë lëshime të ndryshme për përfitime personale”, tha ai.

Prokoruria Speciale ka njoftuar se kontrolli është bërë me qëllim të mbledhjes së provave dhe ndalimit të nëntë zyrtarëve për veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrja e ryshfetit”.

Gjatë këtij aksioni janë grumbulluar prova që mbështesin dyshimin se këta nëntë zyrtarë, tetë të Doganës dhe një zyrtar policor nga Policia kufitare, kanë qenë të përfshirë në veprat për të cilat dyshohen.

Nga ky aksion janë sekuestruar gjësende të tjera të rëndësishme për procedurë të mëtutjeshme hetimore si:

Njëzet (20) pllomba zyrtare të Doganës së Kosovës

Dhjetë (10) telefon së bashku me katër (4) sim kartela

Një pistoletë e kalibrit 9 mm me tre karikatorë dhe 9 fishekë, me leje

Gjashtëmbëdhjetë (16) copë municion jozyrtar.

Aksioni erdhi pas një hetimi të gjatë, rreth dy vjet, të udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat