Shqetësimet e Kurtit për sigurinë në veri, Gashi: Të mos krijojmë panik pa nevojë

Aktuale

Shqetësimet e Kurtit për sigurinë në veri, Gashi: Të mos krijojmë panik pa nevojë

Më: 20 nëntor 2023 Në ora: 14:03
Arben Gashi

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti të mos krijojë panik pa nevojë për situatën në veri.

Një ditë pas paralajmërimeve të Kurtit se në Rashkë të Serbisë po riorganizohet grupi paramilitar e terrorist i Millan Radoiçiq, me instruksione dhe mbështetje të shtetit të Serbisë, Gashi tha se Kurti në vazhdimësi po tenton të krijojë kriza në veri, në mënyrë siç thotë ai të ketë për çka të mburret.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Gashi para gazetarëve përmendi edhe vizitën e sotme të sekretarit të NATO-s, Jens Stoltenberg, ku nënvizoi se është një mesazh që dërgohet se NATO është e pranishme në rajon dhe garanton siguri.

Gashi: Duhet të jemi të kujdesshëm me deklaratat, të mos krijohet panik pa nevojë

“Sa i përket deklaratave të kryeministrit Kurti për sigurinë, duhet të jemi të kujdesshëm në mënyrën si deklarohem dhe mos të krijojmë panik pa nevojë. Uroj të mos jetë një deklaratë e tentimit populisit të frikësimit të qytetarëve në mënyrë që të mbajë të mobilizuar për interesa partiake dhe politike. Nëse do të kishte një situatë të tillë do të ishte fatkeqësi për Kosovën. Në vazhdimësi zotëri Kurti ka tentuar të krijojë kriza në veri në mënyrë që të ketë për çka të mburret pasi asgjë në këtë qeverisjen e tij tre vjeçare nuk mund të konsiderohet si sukses të tij”, tha ai.

I pyetur për mosdhënien e nënshkrimeve për dërgimin e presidentes Vjosa Osmani në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me vendimin e saj për të mosdekretuar Blerim Isufajn për kryeprokuror, ai tha se çështja është ende në proces dhe do të shohin për të gjitha mundësitë porsa të përfundojë i njëjti.

Gashi: Do të shohim kur të përfundon procesi

“Procesi është në zhvillim e sipër, me sa di Këshilli Prokurorial e ka ridërguar emrin e kandidatit për kryeprokrur të shtetit. Çështja është ende në proces, do të shohim kur të përfundon procesi në tërësi”, shtoi Gashi.

Ai ripërsëriti sërish se LDK-ja i voton marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat