Pjetër Shala i reagon Speciales: Kjo është gjykatë me renome botërore dhe jo me bë skenarë të filmave

Aktuale

Pjetër Shala i reagon Speciales: Kjo është gjykatë me renome botërore dhe jo me bë skenarë të filmave

Më: 21 nëntor 2023 Në ora: 12:04 Përditësuar në ora: 16:55 më 21.11.2023
Pjetër Shala

Pjetër Shala i reagon Speciales: Kjo gjykatë nuk është për të bërë skenarë të filmave

Gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit Zijadin Hoxha nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka reaguar i akuzuari Pjetër Shala. Ai tha se Gjykata Speciale është me renome botërore dhe jo që të bëhen aty skenarë të filmave.

“… Nuk është duke ba skenar filmi. E kthen tri herë. Dëshmitari i tha për mua: është i panjohur nuk e njoh. Dje ka thanë, ka qenë në formë private, nuk kam pas akces atje që i ka pas çelësat pronari i shtëpisë, prapë të njëjtën gja e qet, jo kmisha jo… Skenare për skripta të filmave vizatimor me kanë tu bo. Kjo është një gjykatë me renome botërore, nuk është këtu skenar filmash me ba. Kaq pata, ju falënderoj”, tha Shala.

Lidhur më këtë, gjë reagoi edhe kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia e cila ia tërhoqi vërejtjen Pjetër Shalës që të ketë kujdes.

Zotëri Shala, kjo që thoni ju nuk qëndron hiç, kështu që ju lutem keni kujdes kur e thoni në këtë mënyrën siç e thatë ju. Neve, trupi gjykues e vlerëson këtë relevante që këto pyetje të bëhen, kështu që nëse neve na duhen si relevante dhe të rëndësishme këto pyetje, vazhdojmë në këtë mënyrë”, tha kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Deklarata e Pjetër Shalës erdhi pasi prokurori Cezary Michalczuck pyeti disa herë dëshmitarin lidhur me disa ambiente në uzinën e metalit në Kukës për të cilën tha se nuk i kujtohet.

Dëshmitarit Hoxha iu prezantuan edhe disa fotografi ku shihej edhe një këmishë e varur për të cilën prokurori pyeti atë nëse ka kaluar në derën që shihej në atë fotografi.

Për mua për vitin 1999 ky ambient është faktikisht i panjohur, nuk kam kalu asnjëherë kësajde”, tha dëshmitari Hoxha, duke u përgjigjur për të disatën herë në pyetjet e prokurorit lidhur me këto pamje.

Hoxha tha se të plagosurit nga beteja në Goruzhup i kanë intervistuar shokët e tij.

Dëshmitari tha se më këtë çështje është merr Ismet Thaçi dhe Latif Zejnullahu dhe se këtë gjë sipas tij e kanë bërë për të mbetur si dëshmi dhe jo për ndonjë qëllim tjetër.

“Kemi shku me i marrë në pyetje, me mbetë si dokumentacion dhe jo për diçka tjetër”, tha Hoxha.

Ai tha se intervistimin e këtyre ushtarëve të plagosu i kanë bërë në spitalin e Kukësit ku edhe kishin shkuar që të marrin trajtim. Hoxha thotë se ai është marrur vetëm me xhirimin.

Lidhur me Spitalin e Kukësit, prokurori Cezary Michalczuk i përmendi dëshmitarit një deklaratë që ky i fundit e kishte dhënë kohë më parë për ZPS-në

“Po po, ishte spitali i qytetit e kishin të gjithë personelin mjekësor. Nuk i ishin të gjitha pajisjet që i nevojiten se Shqipëria në atë kohë ishte në situatë të vështirë. A e konfirmoni se në atë kohë ka pas kirurg?”, citoi prokurori fjalët që sipas tij i kishte thënë dëshmitari në deklaratën për ZPS-në. Ndërsa, dëshmitari tha se e konfirmon një gjë të tillë.

“Me siguri që e konfirmoj se ata të plagosurit që kanë qenë të plagosur prej arme dikush ka pas me i operu, përveç kirurgut ata nuk i operon kërkush”, tha dëshmitari Hoxha.

Megjithatë, lidhur me punën e tij për riparimin e armëve, dëshmitari tha se çdo armë e ka provuar vetë para se t’ua jep ushtarëve.

“Çdo armë që e riparoi me e provu unë a o në gjendje të rregullt a jo pastaj me ja dhanë ushtarit. E kemi pas një depo në uzinë dhe çelësat i kam pas vetëm unë e i kemi deponu aty”, tha dëshmitari Hoxha.

Dëshmitari Hoxha është pyetur edhe për largësinë që ka pasur uzina e metalit në Kukës me vendbanimin e Cahanit.

“Faktikisht prej Kukësi deri në Krumë, prej Krume deri në Cahan 3 orë, 2 orë e gjysmë diku i bojshim. Nuk e di saktësisht”, tha dëshmitari.

Ai tha se rruga për në Cahan ishte rrugë malore dhe nuk mund të shkohej me vetura të vogla.

“Ka qenë rrugë malore, nuk ka qenë as e shtrume as kurrgjë hiq. Aty ose është dashtë me pas foristradë ose me traktor me depertu lartë se ndryshe shansë nuk ke pas. Po ka qenë shumë e ngushtë, dy vetura me u taku nga ana e kundërt, nuk kanë mujtë me e tejkalu njona-tjetrën. Ka qenë veç ni vend që ka mujtë me u skaju njona veturë me ja lshu rrugën tjetrës së përndryshe ka qenë shumë e ngushtë. Grui komplet ka qenë”, tha Hoxha.

Hoxha tha se në Cahan ka shkuar 4-5 herë gjatë periudhës sa ka qenë si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me 1999.

Ai tha se nuk ka qëndruar atje për ta kaluar natën, mirëpo zakonisht ka qëndruar 3-4 orë dhe është kthyer mbrapa.

“Zakonisht 3-4 orë dhe jam kthy mbrapa. Vetëm s’kam qenë asnjëherë, gjithmonë e kam pas një shofer me vete. Unë për vete nuk kam pas guxim me vozitë në atë rrugë. Unë voziti qe 30 vite, po nuk kam pas guxim të voziti në atë rrugë. Nuk ka ndodhë asnjëherë (me fejtë në Cahan)”, tha dëshmitari Hoxha.

Për riparim të armëve, dëshmitari th ase ka shkuar vetëm në Kukës, Cahan dhe Krumë ndërsa as për arsyeje të tjera nuk ka shkuar në vende të tjera përveç në fshatrat përreth të Kukësit.

Ndryshe, fotografitë dhe videot të cilat iu prezantuan dëshmitarit nga mbrojtja e Pjetër Shalës u pranuan si prova materiale.

Kontradikta mes datave kur ka shkuar në Kukës, Hoxha thotë se gabimisht ka deklaruar për ZPS-në

Dëshmitari Zijadin Hoxha, gjatë dëshmisë të tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, tha se ka deklaruar gabimisht më herët kur kishte thënë se në maj të vitit 1999 ka arritur në Kukës.

“Nuk e di as vetë. Faktikisht, gabim. Gabimisht kam deklaru”, tha dëshmitari Hoxha, duke u përgjigjur në kundërpyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Përpara kësaj, prokurori Cezary Michalczuk i prezantoi Hoxhës dy klipe nga intervistat e tij për ZPS-në, ku dëgjohej të ketë thënë se ai kishte arritur në Kukës më 22 apo 23 maj 1999, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Dy herë që iu ka intervistuar prokurori qartazi keni thënë që më 22 apo 23 maj të 1999”, tha prokurori Michalczuk.

Pas kësaj, dëshmitari tha se nuk është problemi tek transkripta, por që ai kishte gabuar me deklaratën.

“Klipi i parë nuk nuk u dëgju mirë. Klipin e dytë e dëgjova mirë, por ka qenë gabimisht, unë kam gabu dhe jo transkripti, unë kam gabu. Faktikisht të gjitha aktivitetet që i kam pas në uzinën e Kukësit brenda një jave nuk kam pas mundësi me i arritë të gjitha ato punë… unë për më shumë se 1 muj e gjysmë kam qëndru në atë uzinë. Është data gabim që e kam dhënë”, tha Hoxha.

Ndryshe, gjatë dëshmisë së tij dje, dëshmitari Hoxha ka thënë se ai kishte arritur në Kukës për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 22 apo 23 prill 1999.

Pyetjet për këtë dëshmitar i ka mbaruar mbrojtja e Pjetër Shalës përmes avokatit, Jean-Louis Gilissen. Ndërsa, përfaqësuesit e ZPS-së kanë parashikuar që ta marrin në pyetje Hoxhën sot gjatë tërë ditës.

Sipas prokurorit Michalczuk, kundërpyetjet për dëshmitarin do të mundohen t’i përfundojnë brenda orarit të sotëm të seancës, por pa përjashtuar mundësinë që të vazhdohet edhe në seancën e nesërme.

---

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë, edhe të martën po vazhdon dëshminë dëshmitari Zijadin Hoxha në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës, i cili shpjegoi pamjet që i kishte xhiruar gjatë luftës më 1999.

“Më 2 qershor 1999, Latif Fejzullahu u kanë mrena në uzinë. Kjo dhomë ka qenë faktikisht, iu kam tregu edhe më përpara se në këtë dhomë kam flejt edhe unë. Kanë qenë tre shtretër dhe kemi flejt katër veta. Përafërsisht 9 metra apo 10 metra katrorë nuk është ma e madhe. Kjo faktikisht ka qenë pas një dite të lodhshme e të mërzitshme, varrimi i dëshmorit Abdurrahman Gardellaj. Në mbrëmje faktikisht pas një dite të lodhshme dhe të mërzitshme, thotë një fjalë e jona popullore që trimat këndojnë por nuk vajtojnë. Kjo ka qenë hera e parë edhe e fundit (që kemi kënduar)”, tha dëshmitari Hoxha, derisa sqaroi pamjet që iu prezantuan.

Këtë deklarim, Hoxha e bëri kur u pyet nga mbrojtësi i Shalës, avokati Jean-Louis Gilissen, lidhur me pamjet të cilat i kishte xhiruar personalisht gjatë periudhës së luftës në uzinën e metalit në Kukës, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në një pamje tjetër, dëshmitari tha se shihen Latif Fejzullahu dhe Shefki Abdullahu, ndërsa emri i personit të tretë nuk u dëgjua. Hoxha tha se të gjithë ata që shiheshin në pamje kanë qenë nga logjistika.

Në pyetjet e avokatit, disa herë ndërhynte edhe kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, e cila pyeti dëshmitarin se çka nënkuptohej me “sanitet”. Lidhur me këtë, dëshmitari tha se ishte dhoma e personelit mjekësor.

Ndërsa, lidhur me uniformat që mbanin motrat medicinale që punonin në uzinën e metalit në Kukës, ai tha se i kanë mbajtur vetëm mantelet e bardha.

“Në kohën kur nuk kanë pas nevojë me intervenu dikun i kanë mbajtë këto uniforma, përndryshe i kanë pas mantelet e bardhë asgjë tjetër për me identifiku diçka”, tha dëshmitari.

Ndërsa, në një pamje të prezantuar në vazhdim, dëshmitari tha se shihej një person me emrin Bedri Azemi. Ndërsa, dhoma në të cilën ishin xhiruar këto pamje, dëshmitari tha se ndodhej në katin përdhesë në objektin ku ka qenë komanda e logjistikës.Ndryshe, para se të fillojë me marrjen e dëshmitarit në pyetje, gjykatësja Veldt-Foglia udhëzoi avokatin Gilissen që të bëjë pyetje të hapura.

Gjykatësja njoftoi se dje, avokati ka shfrytëzuar 1 orë e një çerek për marrje në pyetje të dëshmitarit, si dhe ka njoftuar se i nevojiten edhe rreth një orë tjetër.

Ndryshe, gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

Ndryshe, Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat