​Humbjet e ujit, ndëshkohen KRU “Hidrodrini” Pejë dhe “Hidroregjioni” Prizren

Aktuale

​Humbjet e ujit, ndëshkohen KRU “Hidrodrini” Pejë dhe “Hidroregjioni” Prizren

Më: 21 nëntor 2023 Në ora: 13:46
​Humbjet e ujit, ndëshkohen KRU “Hidrodrini” Pejë dhe “Hidroregjioni” Prizren

Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit ka ndërmarrë veprime ndëshkuese ndaj Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini” në Pejë dhe “Hidroregjioni” në Prizren për shkak të humbjeve të ujit si pasojë e mos vendosjes së ujëmatësve në burimet e ujit.

Drejtoresha e ARrU-së, Hajrie Morina, duke raportuar në Komisionin parlamentar për mbikëqyrjen e financave publike, tha se disa kompani rajonale të ujësjellësit kanë vlerësuar në baza paushallë për shpenzimet e ujit. Kjo sipas saj ka dëmtuar resurset ujore të vendit, andaj kanë marrë vendim për ta ndërprerë këtë dukuri, duke kërkuar nga të gjitha kompanitë rajonale të vendosin ujëmatës në të gjitha burimet e ujit.

Ajo tha se momentalisht pjesa dërmuese e tyre kanë të vendosur ujëmatës, përveç në disa zona më thella ose kur ka prishje të tyre.

Morina: Kemi ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj disa KRU-ve

Ndryshimin më të madh sa i përket deklarimit dhe të dhënës së saktë të ujit të pa faturuar ka KRU Prizrenit dhe ajo e Pejës. Prizreni menaxhon ose i shfrytëzon diku 80 burime të ujit për t’i furnizuar qytetarët e regjionit të Prizrenit. Një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk ka pasur ujëmatës. Natyrisht, se ne kemi marrë masat ligjore që i kemi në dispozicion dhe kemi dërguar paralajmërim te Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni” për t’i ndëshkuar për këto veprime që kanë bërë deri tash. Jemi në proces të dënimit të tyre për këtë vepër dhe jo vetëm për Prizrenin, por edhe për të tjera ndërmarrje që kanë dërguar të dhëna të pasakta. Në Pejë tashmë kemi marrë vendim për ndëshkim. Rasti është në shkallën e dytë të ankesës, pra është në procedurë. Për “Hidroregjionin” kemi dërguar shkresën për paralajmërim, po ashtu edhe në Gjakovë dhe brenda dy dite e dërgojmë edhe për “Hidromoravë”. Qëllimi jonë është që këto dukuri të ndërpritet tash e tutje”, tha ajo.

Shqetësuese këtë e konsideroi anëtari i komisionit, deputeti i LVV-së, Halil Thaçi, i cili tha se në Prizren janë deklaruar 17 milionë litra kub të shpenzuar, ndërkaq pas instalimit të ujëmatësve ka dalë në pah se brenda periudhës së njëjtë janë deklaruar 29 milionë litra kub ujë.

Thaçi: Ka diferencim të madh të deklarimit dhe shpenzimit të ujit në Prizren

“Kur i kemi disa shifra, këtu te Prizreni për shembull që janë deklaruar 17 milionë litra kub ujë, ndërsa pas instalimit të ujëmatësve janë 29 mijë litra kub ujë. Nuk po mendoj se është vetëm çështje e performancën për të treguar se cila KRU po del mirë në performancë”, theksoi Thaçi.

Ndërsa, kryetarja e komisionit, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se në bazë të raporteve ndërkombëtare Kosova është vendi më i varfër në rajon sa i përket resurseve ujore. Ajo shtoi se mungesa e ujëmatësve ka dërguar në një rangim jomeritor të kompanive rajonale të ujësjellësve.

Bajrami: Jemi vendi më i varfër në rajon sa i përket resurseve ujore

“Disa raporte tregojnë se ne jemi vendi më i varfër në rajon sa i përket resurseve ujore, por ka shumë gjasa që renditemi të parët në keqmenaxhim të këtyre resurseve, të cilat i kemi shumë në mungesë. Çështja e mungesës së ujëmatësve ka ndikuar në një rangim jomeritor të ndërmarrjeve, mirëpo prapa tij nuk është që qëndrojnë keqpërdorime financiare, pasi është uji që e kanë qitur në sistem dhe nuk kanë arritur ta faturojnë”, theksoi ajo.

Në anën tjetër, Komisioni shtyu për javën e ardhshme shqyrtimin e raportit të auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Agjencionit Kosovar të Privatizimit për vitin 2022. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat