“Seanca e rrahjes”: Kushtetuesja rrëzon PDK-në, nuk i anulon vendimet e 13 korrikut

Aktuale

“Seanca e rrahjes”: Kushtetuesja rrëzon PDK-në, nuk i anulon vendimet e 13 korrikut

Më: 21 nëntor 2023 Në ora: 17:12
Foto nga vendi i ngjarjes

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, të bërë në korrik të këtij viti në lidhje me anulimin e vendimeve të seancës plenare të 13 korrikut ku kishte përleshje fizike mes pushtetit dhe opozitës.

PDK-ja e kishte kontestuar vazhdimin e asaj seance ku ishin miratuar projektligje të rëndësishme, njëri prej tyre edhe projektligji për pagën minimale.

Tahiri përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ pati thënë se kjo seancë ishte ftuar në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, prandaj partia të cilës ai i përket kishte kërkuar që të gjitha vendimet të anulohen.

“Seanca e fundit plenare e Kuvendit, ishte caktuar dhe ftuar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, prandaj si e tillë, duhet të anulohet dhe bashkë më të, edhe të gjitha vendimet që janë marrë në këtë seancë jokushtetuese”, thoshte deputeti Tahiri.

E Gjykata Kushtetuese, në njoftimin e sotëm për media, tha se kërkesa me parashtrues Abelard Tahirin dhe dhjetë deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Vendimit Nr. Ref. L-VIII, SP-119 të datës 11 korrik 2023, për caktimin e seancës plenare të datës 13 korrik 2023, i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, është “e papranueshme për shqyrtim në merita sepse e njëjta nuk është ratione materiae në pajtim me Kushtetutën”.

Aktvendimi i Gjykatës sqaron që parashtruesit e kërkesës kërkuan vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Vendimit Nr. Ref. L-VIII, SP-119 të datës 11 korrik 2023, për caktimin e seancës plenare të datës 13 korrik 2023, i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, përkatësisht shkresës së 11 korrikut 2023 drejtuar deputetëve të Kuvendit nga Kryetari i Kuvendit, përmes të cilës të njëjtit u njoftuan dhe u ftuan për seancën plenare të 13 korrikut 2023, duke bashkëngjitur rendin e ditës.

Parashtruesit e kërkesës, sipas Gjykatës, pretenduan që akti i lartcekur nuk është në përputhshmëri me disa nene të Kushtetutës duke theksuar, ndër tjerash, që “nuk është respektuar afati për thirrjen dhe caktimin e seancës plenare” dhe që në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 19 (Detyrat e Kryesisë) të Rregullores së Kuvendit, “rendi i ditës nuk është paraqitur për miratim në seancën plenare të Kuvendit të 13 korrikut 2023, duke marrë parasysh që nuk ka pasur konsensus në Kryesinë e Kuvendit lidhur me rendin përkatës të ditës”.

Rrjedhimisht, Kushtetuesja thotë se parashtruesit e kërkesës kërkuan nga Gjykata që aktin në fjalë ta shpallë në kundërshtim me Kushtetutën; dhe për pasojë të anulojë seancën plenare të Kuvendit të Republikës, të mbajtur më 13 korrik 2023, me pasojën e anulimit të të gjitha vendimeve, përfshirë ligjet e miratuara në këtë seancë.

Aktvendimi i Gjykatës gjithashtu rikujton që, parashtruesit e kërkesës kërkuan nga Gjykata që deri në vendosjen meritore të saj lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktit të kontestuar, të vendos masën e përkohshme ndaj aktit të lartcekur, duke pezulluar për pasojë edhe efektin e të gjitha vendimeve të miratuara nga Kuvendi në seancën plenare të 13 korrikut 2023, përfshirë edhe hyrjen në fuqi të ligjeve të miratuara në atë seancë.

Por, Gjykata thotë se, përmes Vendimit për Masë të Përkohshme në rastin KO 160/23, të datës 1 gusht 2023, kishte vendosur për “refuzimin e masës së përkohshme përkitazi me aktin e kontestuar”.

“Në kontekst të përmbushjes së kritereve kushtetuese për shqyrtimin meritor të kërkesës, Aktvendimi i Gjykatës sqaron se, në mënyrë që një kërkesë e parashtruar bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës të jetë e pranueshme, e njëjta (i) duhet të parashtrohet nga së paku 10 (dhjetë) deputetë të Kuvendit; (ii) duhet të parashtrohet brenda afatit prej 8 (tetë) ditësh nga dita e miratimit të aktit të kontestuar; si dhe (iii) parashtruesit duhet të kontestojnë kushtetutshmërinë e çfarëdo ligji ose vendimi ‘të miratuar’ nga Kuvendi, për përmbajtjen dhe/ose për procedurën e ndjekur, kritere këto të cilat duhet të plotësohen kumulativisht”, tha Gjykata.

Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata Kushtetuese thotë se çështje kontestuese ishte nëse akti i kontestuar i Kuvendit është akt i cili i është nënshtruar “miratimit” nga Kuvendi, siç kërkohet specifikisht në paragrafin 5 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës.

Në këtë kontekst, Aktvendimi sqaron që “para Gjykatës është kontestuar ‘Vendimi Nr. Ref. L-VIII, SP-119 të datës 11 korrik 2023, për caktimin e seancës plenare të datës 13 korrik 2023, i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës’ dhe që i njëjti nuk i është nënshtruar votimit nga deputetët e Kuvendit dhe për pasojë nuk mund të cilësohet si ‘vendim i miratuar nga Kuvendi’ për qëllime të paragrafit 5 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës dhe rrjedhimisht nuk mund të i nënshtrohet vlerësimit meritor të Gjykatës”.

Aktvendimi më tej nënvizon që, “një qëndrim i tillë i Gjykatës është konsistent që nga viti 2013, përkatësisht Aktvendimi për Papranueshmëri në rastin KO115/13, me parashtrues Ardian Gjini dhe njëmbëdhjetë (11) deputetë të tjerë të Kuvendit, ndërsa gjithashtu sqaron që bazuar në praktikën e konsoliduar gjyqësore të Gjykatës, përderisa emërtimi formal i akteve, përfshirë ato të miratuara nga Kuvendi, nuk është përcaktues për vlerësimin e pranueshmërisë së një kërkese, Gjykata, bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, ka vlerësuar vetëm kushtetutshmërinë e akteve të Kuvendit të cilat i janë nënshtruar ‘miratimit’ nga Kuvendi, ndërsa në rrethanat e rastit konkret ky nuk është rasti”.

Aktvendimi i Gjykatës në fund sqaron që, kjo vendimmarrje nuk ndërlidhet dhe/ose nuk afekton dy vendime të Kuvendit të miratuara në seancën plenare të 13 korrikut 2023, të cilat janë kontestuar ndaras në Gjykatë nga deputetë të Kuvendit, “përkatësisht (i) kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit [nr. 08-V-583] për shkarkimin e znj. Kimete Gashi nga pozita e anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit, të regjistruar në Gjykatë si kërkesa KO 157/23; dhe (ii) kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit  nr. 08/L-142 për ‘ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore’, të regjistruar në Gjykatë si kërkesa KO 158/23”, potencoi Gjykata Kushtetuese në këtë aktvendim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat