LIVE: Safete Hadergjonaj tregon se kur dëgjoi për herë të parë për Pjetër Shalën

Aktuale

LIVE: Safete Hadergjonaj tregon se kur dëgjoi për herë të parë për Pjetër Shalën

Më: 22 nëntor 2023 Në ora: 08:12 Përditësuar në ora: 17:16 më 22.11.2023
Pjetër Shala

Hadergjonaj thotë se për Pjetër Shalën ka dëgjuar vetëm atëherë kur ai është arrestuar nga Specialja

Dëshmitarja Safete Hadergjonaj tha se për Pjetër Shalën ka dëgjuar vetëm atëherë kur ai është arrestuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK).

Po ashtu, Hadergjonaj tha se iu është dukur qesharake kur e ka marrë ftesën si dëshmitare në këtë proces, për një person që kurrë nuk e kishte parë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Personin Pjetër Shala, emrin e tij për herë të parë dhe figurën e Pjetër Shalës e kam pa atë ditë që e kanë arrestu Dhomat e Specializuara. Kurrë përpara nuk e kam pa, as kurrë nuk e kam dëgju emrin e tij. Kështu që kur kam marrë ftesën nga Gjykata që e kam hapë ftesën dhe e kam pa që do të marrë pjesë në procesin si dëshmitare për Pjetër Shalën, ka qenë edhe e befasishme dhe qesharake sepse ish një njeri që kurrë në jetën time nuk e kam pa”, tha dëshmitarja.

E pyetur se a ka dëgjuar për ndonjë person me pseudonimin “Ujku”, dëshmitarja Hadergjonaj u përgjigj me “Asnjëherë, kurrë”.

Pas kësaj, mbrojtësi i Shalës, avokati Jean-Louis Gilissen tha se nuk ka pyetje të tjera për dëshmitaren, kurse me pyetje ka filluar përfaqësuesja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, prokurorja Gaia Pergolo.

Hadergjonaj thotë se nuk ka shkuar kurrë në Kukës gjatë luftës dhe s’ka qenë motër medicinale

Safete Hadergjonaj, gjatë dëshmisë së saj, të mërkurën në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës, ka thënë që asnjëherë nuk ka qenë në Kukës dhe se nuk ka qenë motër medicinale.

Avokati Jean-Louis Gilissen i tha dëshmitares së në dosjen e cila tani është duke u trajtuar, kanë prova që e nxjerrin atë në Kukës.

“E thash në fillim dhe është një deklaratë nën betim dhe po e them nën betim se kurrë, kurrë, kurrë në jetën time, asnjëherë nuk kam qenë në Kukës”, tha dëshmitarja.

Kurse, e pyetur se a ka pasur ndonjë aftësim mjekësor ose ka ofruar ndonjëherë ndihmë mjekësore, Hadergjonaj tha se kurrë nuk e ka bërë një gjë të tillë.

“Unë as para luftës, as gjatë luftës, as pas luftës, asnjë trajnim nuk e kam bërë për shëndetësi, unë jam ekonomiste. Unë e kam bërë shkollën për ekonomi dhe paslufte kam bërë trajnime për ekonomi. Unë krejt çka kuptoj prej mjekësisë është me pi paracetamola kur më dhemb krytë dhe nëse nuk më kalon me ikë te mjeku”, tha Hadergjonaj.

Ajo tha se edhe në shtabet ku kanë qenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk ka qenë asnjëherë.

“Asnjëherë në asnjë shtab se unë nuk kam qenë në Kosovë”, tha dëshmitarja Hadergjonaj, duke theksuar se nuk ka asnjë lidhje me profesionin e mjekut.

Pas kësaj, me kërkesën e avokatit Gilissen, seanca kaloi në sesion privat me arsyetimin se duhet identifikim i një personi nga Safete Hadergjonaj.

 

Safete Hadergjonaj thotë se nuk ka qenë asnjëherë pjesë e UÇK-së

Gjatë dëshmisë së saj në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, Safete Hadergjonaj ka thënë se nuk ka qenë asnjëherë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Për fat të keq nuk kam pas atë fat me qenë ushtare e UÇK-së dhe me e mbajtë krenarinë me qenë ushtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Hadergjonaj, duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Shalës, Jean-Louis Gilissen.

Hadergjonaj tha se nga qershori i vitit 1998 deri në fund të korrikut të vitit 1999, kanë qëndruar në një fshat të Durrësit në Shqipëri.

“Me sa mua më kujtohet me datën 2-3 ne kemi qenë në Durrës, qershor të vitit 1998, se është edhe pak e vështirë t’i kujtojmë datat dhe të them të drejtën është vështirë të kthehemi në atë kohë se kemi përjetuar gjëra të vështira dhe nuk duam fort t’i kujtojmë. Në Durrës kam qëndru deri në fund të korrikut të viti 1999. Pasi është çliru Kosova kemi ndejtë atje edhe pak kohë se ka qenë gjithçka e djegur”, tha dëshmitarja Hadergjonaj.

Ai shtoi se sa ka qëndruar atje, ka lëvizur vetëm në fshatin Arapaj edhe një fshat të quajtur Shkozet.

“Në Shqipëri unë kam lëviëe… jemi vendos në fshatin Arapaj që është një fshat afër plazhit të Durrësit dhe lëvizja ime ka qenë deri në këtë fshat dhe në Durrës. Krejt çka kam mujtë me lëvizë është me shku deri në Shkozet që ka qenë 2-3 kilometra prej fshatit ku jemi vendos na”, tha Hadergjonaj.

Safete Hadergjonaj fillon dëshminë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

Në Dhomat e Specializura të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar dëshminë ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Safete Hadergjonaj me kodin W0441, në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës.

Hadergjonajn ka filluar që ta marrë në pyetje avokati i Pjetër Shalës, Jean-Louis Gilissen, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ajo në fillimin e dëshmisë, tha se para luftës ka qenë mësimdhënëse në Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan.

“Po kam punuar, pasi kam përfundu Fakultetin Ekonomik, në vitin 1997 kam fillu punën në Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan si mësimdhënëse e lëndëve ekonomike, aty kam punu shtatë vite, katër vite kam punu në institucionin e shkollës në gjimnaz. Në vitin 1990 na e kanë mbyllë shkollën pushtuesit serbë, përmes policisë na e kanë vu bllokadën në derë dhe kemi mbet jashtë, nxënësit dhe profesorët dhe jemi detyru ta organizojmë mësimin nëpër oda, në shtëpi private, ku kam punu edhe katër vite aty”, tha Hadergjonaj.

Dëshmitarja tha se ka pasur edhe një biznes me vëllanë e saj, të cilin ia kishin mbyllur pushtuesit serbë.

“Bashkë me vëllaun tim kemi hapë një agjencion turistik dhe kam punu deri në vitin 1998 kur kanë ardhë policia e Serbisë na e kanë mbyllë atë agjencion dhe jemi detyru që të qëndrojmë në shtëpi”, shtoi Hadergjonaj.

Ajo tha se që nga viti 2004 deri në vitin 2019 ka qenë deputete në Kuvendin e Kosovës. Ndërsa, tani është profesoreshë në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë.

Pas mbrojtjes, pyetjet për dëshmitaren Safete Hadergjonaj do t’i parashtrojnë përfaqësuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Ndryshe, Hadergjonaj në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës është dëshmitarja e gjashtë e mbrojtjes.

Dëshmitari Zijadin Hoxha përfundon dëshminë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka përfunduar dëshminë e tij dëshmitari Zijadin Hoxha.

Pas pyetjeve të përfaqësuesve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), avokati i Pjetër Shalës, Jean-Louis Gilissen pati dy pyetje sqaruese për dëshmitarin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avokati Gilissen kërkoi nga dëshmitari Hoxha që ta identifikojë dhomën e Latif Fejzullahut, për të cilën ai kishte thënë se në të 95 % të rasteve kishte fjetur aty.

Pas kësaj, Prokuroria nuk pati pyetje shtesë, mirëpo për dëshmitarin nuk pati pyetje as nga mbrojtja e viktimave dhe as nga trupi gjykues.

Ndryshe, pushimi i drekës zgjati pak më shumë se zakonisht pasi sipas kryetares së trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, kishte probleme teknike me video-lidhjen me të akuzuarin Shala.

Dëshmitari pyetet për veprimtaritë në uzinën e Kukësit, thotë se s’kanë pasur vetura ushtarake

Gjatë dëshmisë së tij në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës, dëshmitari Zijadin Hoxha tha se nuk kanë pasur automjete ushtarake.

Kjo deklaratë e Hoxhës, erdhi pasi prokurori Cezary Michahlczuck pyeti dëshmitarin lidhur me uzinën e metalin në Kukës dhe veprimtaritë e saj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Po faktikisht, na asnjë veturë ushtarake nuk kemi pas. Na i kemi pas vetura civile të gjitha kanë qenë. Unë e thash edhe dje, që na shtet nuk kemi pas, ushtri tonën të rregullt nuk kemi pas, ajo ka qenë ushtri vullnetare faktikisht. Qysh i kanë dhuru njerëzit mjetet me vullnetin e mirë ashtu edhe i kemi përdorë edhe mjetet. Dikush e ka pru ni veturë, dikush e ka pru ni xhip, dikush ni diçka si dhurata faktikisht se obligim nuk e ka pas kurrkush. Ato kanë qenë civile të gjitha. Nuk muj me cek një me thanë kjo ka qenë ushtarake”, tha Hoxha.

Dëshmitari u pyet edhe për disa kamionçina, të cilat janë parë në disa video të prezantuara gjatë seancave gjyqësore.

“Ato kamionçina kanë ardhë prej Zvicre. Ngjyrat i ka pas të ushtrisë zvicerane e përndryshe tabela ushtarake nuk kanë pas. Shumicën e veturave aty i kemi vozitë pa tabela fare se nuk kemi pas të drejtë me ua vu tabelat e ushtrisë shqiptare”, tha dëshmitari Hoxha.

Ndërsa, lidhur me uzinën e metalit në Kukës, dëshmitari tha se ka pasur shumë lëvizje pasi që aty ka qenë logjistika kryesore.

“Po ajo ka qenë faktikisht logjistika kryesore, ka qenë për frontin e operacionit “Shigjeta”. Të gjitha brigadat që kanë hy në Kosovë në atë pjesë kah ana e Cahanit  e Krumës, faktikisht kanë ardhë kah kazerma jonë aty. Janë furnizu me ushqime, janë furnizu me uniforma me të gjitha. Ka pas qarkullim pa ndërprerë, ka pas qarkullim asajde. Ka ndodhë edhe natën, le më ditën, po ka ndodhë edhe natën”, tha Hoxha.

Dëshmitari tha se nuk ka qenë vend i zhurmshëm, por ka pasur qarkullim të njerëzve vazhdimisht.

“Jo që me thanë i zhurmshëm faktikisht. Normal kur ka qarkullim të njerëzve shumë normal, që bahet edhe zhurma ajo dihet, por secili ka pas detyrën e vetë, secili e ka pas punën e vetë”, tha dëshmitari.

I pyetur për jelekët anti-plumb, dëshmitari tha se i ka sjellë 20 copë nga Gjermania në vitin 1998.

“Njëherë e di që i kam sjellë 20 copa. Ka qenë viti 1998”, tha dëshmitari Zijadin Hoxha.

Ndryshe, pyetjet për dëshmitarin Hoxha i kanë përfunduar përfaqësuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ndërsa pas pushimit të drekës pyetje do të parashtrojë mbrojtja e Pjetër Shalës.

Avokati i Shalës, Jean-Louis Gilissen tha se ka një pyetje për dëshmitarin, ndërsa lidhur me këtë ndërhyri i akuzuari i cili tha se kanë dy pyetje.

Kurse, mbrojtja e viktimave deklaroi që nuk ka pyetje për dëshmitarin Zijadin Hoxha.

Gjykimi ndaj Pjetër Shalës po vazhdon në seancë private

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon gjykimi ndaj Pjetër Shalës.

Me kërkesën e kryetares së trupit gjykues, Mappie Veld-Foglia seanca kaloi në sesion privat.

Kryetarja e trupit gjykues tha se në seancë private do të diskutojë lidhur me një çështje.

Ndryshe, gjatë kësaj seance pritet që të vazhdojë dëshminë dëshmitari Zijadin Hoxha, dëshmia e të cilit ka filluar ditën e hënë me 20 nëntor.

Këtë dëshmitar parashihet që ta marrë në pyetje përfaqësues nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Ndërsa, mbrojtja e Pjetër Shalës ka paraparë maksimumi 2-3 pyetje për këtë dëshmitar.

Ndryshe, gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Vazhdon procesi gjyqësor në Hagë ndaj Pjetër Shalës

Në Dhomat e Specializuara në Hagë vazhdon, sot nga ora 09.30, procesi gjyqësor ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, dje, ka vazhduar dëshminë e tij dëshmuari i pestë i mbrojtjes, Zijadin Hoxha, në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës.

Ai është pyetur në lidhje me qëndrimin në Uzinën e Metalit në Kukës, për çka ka pranuar se ka dhënë deklaratë të gabuar kur ka thënë se në maj të 99-s kishte mbërritur në Kukës. Hoxha ka pranuar se gjatë asaj kohe është marrë me riparimin e armëve.

Nga mbrojtja e Pjetër Shalës, Hoxha u pyet në lidhje me pamjet që kishte xhiruar gjatë periudhës së luftës në Uzinën e Kukësit.

Në çështjen gjyqësore Shala, për këtë javë pritet të mbahen pesë seanca

Ai ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, n bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat