Dhjetë të lënduar, Policia jep detaje të reja për shpërthimin në tregun e kafshëve në Prizren

Aktuale

Dhjetë të lënduar, Policia jep detaje të reja për shpërthimin në tregun e kafshëve në Prizren

Më: 22 nëntor 2023 Në ora: 09:34 Përditësuar në ora: 14:59 më 22.11.2023
Pamje nga vendi i ngjarjes

​Policia jep detaje të reja për shpërthimin në tregun e kafshëve në Prizren

Sot në tregun e kafshëve në Prizren ka ndodhur një shpërthim ku kanë mbetur të plagosur dhjetë persona.

Sipas policisë, dyshohet se të lënduarit kanë pësuar lëndime nga një shpërthim i një granate dore.

Detaje për KosovaPress ka dhënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, i cili tha se nga shpërthimi që ndodhi në ora 4 e 50 të mëngjesit, në fillim është raportuar për 9 persona të lënduar, por që më vonë u konfirmuan 10 të tillë.

Gashi: 10 persona janë duke marrë trajtim në Emergjencën Rajonale në Prizren

“Fillimisht është pranuar informata që nëntë persona kanë qenë të lënduar, por më vonë këtij numri iu shtua edhe një person. Pra për momentin 10 persona janë duke marrë trajtim mjekësor në Emergjencën Rajonale në Prizren si pasojë e hedhjes së një granate dore”, tha Gashi.

Zëdhënësi Gashi bëri gjithashtu të ditur se Policia ka identifikuar 3 persona të dyshuar për rastin, por që të njëjtit janë larguar në drejtim të panjohur.

Gashi: I kemi identifikuar tre persona të dyshuar për rastin

“Nga informatat e para bëhet e ditur se policia ka identifikuar 3 persona të dyshuar, por nga momenti i kryerjes së veprës të njëjtit janë larguar në drejtim të panjohur, kurse njësitet policore janë në kërkim të tyre. Prokuroria e shtetit dhe njësitet hetimore përfshirë stacionin policor dhe hetuesit rajonalë në koordinim me prokurorin e shtetit kanë iniciuar rast dhe rasti po hetohet dhe trajtohet si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, theksoi ai.

Gashi shtoi se njësitë relevante janë duke i marrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe sapo të grumbullohen informatat, ato do të bëhen publike.

Gashi: Sapo t’i kemi informata do t’i publikojmë

“Jemi në pjesën fillestare të hetimeve, hetuesit janë duke marrë të gjitha veprimet dhe po sa të kompletohet të gjitha të gjeturat në vendin e ngjarjes, por edhe informatat të cilat do të grumbullohen në lidhje me këtë rast ne do t’i bëjmë publike”, përfundoi ai.

Shpërthimi në Prizren, arrestohet një i dyshuar e dy të tjerët në kërkim

Prokuroria Themelore në Prizren njofton se është arrestuar njëri nga të dyshuarit për shpërthimin e granatës së dorës në tregun e kafshëve në Prizren, ku si pasojë u lënduan 10 persona.

Në komunikatën e Prokuroisë thuhet po ashtu se nga ky shpërthim dhjetë persona kanë pësuar lëndime trupore, pesë prej tyre janë dërguar ne QKUK në Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor, ndërsa pesë persona tjerë janë liruar në shtëpi pas trajtimit në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

“Sot rreth orës 04:50 të mëngjesit ka ndodhur një shpërthim në Tregun e Kafshëve në Prizren.

Lidhur me rastin, tre persona të dyshuar janë identifikuar, njëri prej tyre është arrestuar dhe gjendet nën masën e ndalimit, ndërsa dy të dyshuarit tjerë janë në kërkim. Prokuroria dhe policia janë duke punuar intensivisht për kapjen e tyre”, thuhet në njoftim.

Dhjetë të lënduar nga shpërthimi në Prizren, pesë prej tyre transferohen në QKUK

Numri i të lënduarve nga shpërthimi i granatës së dorës në tregun e kafshëve në Prizren ka shkuar në dhjetë.

Shefi i Emergjencës në Prizren, Hekuran Veçgishti ka thënë për Klankosova që pesë prej tyre, pas trajtimit mjekësor, tashmë janë liruar në shtëpi, ndërkaq pesë të tjerët janë transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ai ka thënë që gjendja e pesë të transferuarve në QKUK është megjithatë stabile, teksa lëndimet që ata i kanë marrë janë në pjesë të ndryshme të trupit si në qafë dhe gjoks.

---

Nëntë persona kanë mbetur të lënduar nga shpërthimi me bombë në tregun e kafshëve në Prizren.

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit Vesel Gashi.

“Sot me datë 22.11.2023.  rreth orës 04:50, policia ka pranuar informatë për një rast plagosje te tregu i kafshëve ne Prizren. Nga informatat e para  është kuptuar se 9 perona kanë pësuar lëndime nga shpërthimi i një granate dore”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, të gjithë te lënduarit janë ne emergjencën e Spitalit Rajonal te Prizrenit.

“Policia ka dal në vendngjarje dhe është informuar prokurori kujdestar gjithashtu.  Në vendngjarje kanë dal hetimet rajonale të Prizrenit dhe janë duke mbledhur provat dhe dëshmitë. Tre të dyshuarit janë identifikuar dhe janë në kërkim policor”, ka thënë më tutje Gashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat