Letra e hapur e Marko K. Jakshiq për Aleksandër Vuçiq-in: Dëshironim 36,7% të territorit të Kosovës, pranove më pak se 11%

Aktuale

Letra e hapur e Marko K. Jakshiq për Aleksandër Vuçiq-in: Dëshironim 36,7% të territorit të Kosovës, pranove më pak se 11%

Më: 22 nëntor 2023 Në ora: 16:19
Foto ilustrim

Pse serbet e Kosovës e luftojnë shtetin e Kosovës?

A dinte Vuçiqi për sulmin terrorist në Banjë?

Sa komuna i dëshironin serbet?

Nga u pasurua Aleksandër Vulin?

Sa serb kanë braktisur Kosovën gjatë regjimit të Vuçiqit?

A kishte urdhëruar Vuçiq djegien e makinës së doktorit?

Letra e hapur e Marko K. Jakshiq* kryetarit serb Aleksandër Vuçiq

Arsyeja pse po të drejtohem kështu është intervista jote që u dha mediave në Paris, në të cilën ti akuzon Vojisllav Koshtunicën, mua dhe të tjerët se qenkemi fajtorë për faktin se separatistët shpallën pavarësinë e Kosovës dhe Metohisë në vitin 2008.

Kjo akuza jote vjen pas pyetjes së porositur gazetares të “TV Pink” Gordana Uzelac. E marr me mend se sipas teje, gjatë kohës tënde, Serbia e cila u mposht ushtarakisht, duhej të hynte në luftë me paktin e NATO-s për të penguar shpalljen e pavarësisë nga separatistët. Sa i ëmbël që je maestro, loçka e mamit.

Më duket asgjë. Në atë kohë, maestro, ti merreshe me Slavko Curuvija-n dhe mbushje me mobilie banesën tënde shumë të madhe në Beogradin e Ri.

Dhe, gjersa qindra mijëra serbë nga Kosova e Metohija po largoheshin nga vatrat e tyre shekullore me autokolona traktorësh, ti trumbetoje me ditë të tëra nëpër media të regjimit tënd për një lloj fitoreje serbe ndaj paktit të NATO-s.

Në ato ditë fatale dhe të vështira, i ndjeri Oliver Ivanoviq, unë dhe shokët tanë, për të mos numëruar të gjithë, të paarmatosur dhe duarthatë në veri të Kosovës e Metohisë, i shpëtuam serbët e qytetarët dhe të gjitha institucionet e shteti serb.

Gjatë pogromit të marsit të vitit 2004, si drejtor i spitalit, të prita në zyrën time në Mitrovicë për të prezantuar ty se si e organizuam mbrojtjen e qytetit.

Të prita ty si sekretar të përgjithshëm të Partisë Radikale Serbe. Do të ishte sikur drejtori i sotëm i spitalit Zlatan Elek të priste Dragan Gjilas-in, gjë që është e paimagjinueshme. Maestro, ne ishim demokratë dhe patriotë dhe kam frikë se ti nuk je as njëri, as tjetri.

Në atë intervistën tënde thua se nuk ke tradhtuar asgjë. Ke, ke, "zoti kryetar". Me marrëveshjen e Brukselit në vitin 2013, ti i dorëzove Prishtinës të gjitha ato institucione që ne i kishim ruajtur.

Ministrinë e Punëve të Brendshme, e cila deri atëherë kishte funksionuar dhe ekzistuar, ia dorëzove ti Prishtinës. Kështu bëre edhe me mbrojtjen civile (Civilna Zashtita), të njëjtën gjë me telekomunikacionin. Çfarë është kjo nëse jo tradhti maestro dhe shkelje e Kushtetutës në të cilën ti je betuar.

I ke bërë thirrje publike përmes mediave gjykatësve serbë që të betohen në Kushtetutën e Republikës së vetëshpallur të Kosovës.Ti si avokat do të më thuash mua se edhe kjo nuk është tradhti?

I Mundësove anëtarësimin në të gjitha organizatat sportive pushtetit separatist të Prishtinës dhe me këtë iu ndalove të rinjve serbë nga Kosova e Metohia të merren me sport. O zot, çfarë paraziti dëmtues politik që je.

Sipas zakonit, çdo serb që jeton në Kosovë dhe Metohi është kundër krijimit të një shteti tjetër shqiptar në Ballkan. Për këtë shkak, përndjekja dhe dhuna ushtrohet ndaj serbëve, madje edhe ndaj atyre që janë të moshuar dhe të pafuqishëm, sepse janë një pengesë me numrin e tyre.

Gjatë pushtetit tënd gati 12 vjeçar, 40 mijë serbë kanë braktisur Kosovën e Metohinë dhe ti nuk ke bërë asgjë për ta parandaluar atë eksod. Vërtet, maestro, për kë punon? Për ne apo për ata?

Vogëlsia ime, Dragana Trifkoviq, Dejan Miroviq, Milo Lompar dhe Kosta Çavoski, kemi dorëzuar kallëzim penal për veprën e tradhtisë së lartë kombëtare. Ndonëse kanë kaluar më shumë se katër vite, prokuroria as e pranon dhe as nuk e hedh kallëzimin penal. Shpresoj se do të vijë koha që të shqyrtohet seriozisht.

Me dorëzimin e policisë dhe “Mbrojtjes Civile“ Prishtinës, ti rrezikove sigurinë e serbëve, duke i lënë ata pa asnjë mbrojtje, dhe i mundësove ROSU-së të dominojë veriun e Kosovës e Metohisë. Policia speciale ROSU në veri të Kosovës dhe Metohisë është trashëgimia jote dhe trashëgimia jote politike. Para teje, nuk gjendej asnjë prej tyre në këtë hapësirë.

Përmes Listës tënde Serbe ke krijuar kushtet për formimin e ushtrisë së Kosovës. Komandanti suprem i ushtrisë serbe nuk e kundërshton krijimin e ushtrisë armike në territorin e shtetit të Serbisë. Dhe jo vetëm kaq.

Ministri në qeverinë separatiste, deri vonë kryetar i Listës Serbe, Goran Rakiq në qeverinë e Kosovës, me shumë gjasa me lejen tënde, voton ndërtimin e bazave të shumta të policisë speciale ROSU në veri të Kosovës.

Të lartpërmendurin Goran Rakiq për një besnikëri të tillë e shpërbleve me një karrige deputeti në Kuvendin e Serbisë, ku personi në fjalë duhet të betohet në Kushtetutën e Serbisë. Vetëm pak kohë më parë ai në disa raste bëri betimin në Kushtetutën e papranuar të Kosovës. Ti je vërtet një bishë e rrallë, maestro.

Në disa raste më ke quajtur mua si zot të jetës dhe vdekjes. Vetëm i jetës dhe kam frikë se ti je i vdekjes. Në fund të fundit, ngjarjet në Banjë e vërtetojnë këtë. Nuk mund të më bindësh se nuk e ke ditur dhe nuk e ke organiuzuar të tërën. Unë mendoj se ti duhet t'i kesh në ndërgjegje të gjitha ato viktima dhe të vrarë.

Zgjedhjet lokale serbe në Kosovë e Metohi i zëvendësove me ato lokale separatiste, gjë që është në kundërshtim me Kushtetutën e vlefshme të Republikës së Serbisë.

Dhe meqenëse jemi te zgjedhjet lokale, më duhet të të pyes përse je pajtuar me këta kufij aktualë të komunave serbe në Kosovë dhe Metohi.

Në negociatat në Vjenë me palën shqiptare kërkuam që numri i komunave joshqiptare të jetë 15. Dhe sipërfaqja që do të zinin ato komuna ishte 36.7 për qind e territorit të Kosovës dhe Metohisë me shumicë bindëse serbe.

Ti pranove propozimin e shqiptarëve, i cili ishte që numri i komunave të jetë 10, dhe territori që kanë ato së bashku është më pak se 11%. Në hartën e Kosovës dhe Metohisë duken si pika të vetmuara.

Komuna të tilla janë në fakt rezervate indiane pa mundësi për të marrë frymë, dhe pa mundësi zhvillimi. Dhe rrëfimet tua për Bashkësinë e Komunave Serbe janë një tjetër gënjeshtër lara-lara, mashtrim dhe manipulim. Me atë mendon t'i dorëzosh Prishtinës kompetencat e mbetura të Republikës së Serbisë: si arsimin, shëndetësinë, çështjet sociale dhe kulturën.

Dhe ajo Bashkësia jote, ti tashmë je pajtuar, nuk ka asnjë kompetencë dhe funksionon në mënyrë rigoroze në kuadër të kushtetutës së Republikës së vetëshpallur të Kosovës. Zot, në çka je duke e shndërruar këtë shtet.

Përndryshe në disa raste ke thënë se ne në Kosovë nuk kemi asgjë. Pastaj je tallur me mitin e Kosovës dhe Serbinë Qiellore dhe ke madhëruar Sulltan Muratin.

Për vrasjen e fëmijëve serbë në kafenenë Panda në Pejë në vitin 1998 ke akuzuar strukturat serbe të sigurimit dhe me vite nuk dëshiron dhe nuk do t'i pranosh prindërit e fëmijëve të vrarë që të ndash me ta atë që di ti vetë.

Në Banja Lukë pak kohë më parë thatë se ne serbët në Kosovë dhe Metohi kemi një mentalitet rajan (i thjeshtë, i rëndomtë, laper: “raja” quheshin edhe taksapaguesit e krishterë në kohën e Kalifatit Osman) dhe prandaj jemi më pak të vlefshëm. Megjithatë, zoti na dënoi neve serbëve që ti me pikëpamje të tilla, maestro, duhet ta zgjidhësh çështjen më të rëndësishme kombëtare serbe.

Pak më shumë se 10 vite më parë, ti erdhe në Mitrovicë për të na shpjeguar të gjitha përfitimet e Marrëveshjes së Brukselit në një takim publik. Atëherë të pata pata pyetur pse i gjithë qyteti po thotë se ti qëndron pas djegies së makinës sime?

Unë pata kërkuar prej teje se nëse nuk qëndroje ti pas atij akti, të më tregoje emrin e fajtorit, duke pasur parasysh se ke kontrolluar punën e të gjitha strukturave të sigurisë në Serbi. Edhe pse kanë kaluar më shumë se 10 vjet, nuk kam asnjë informacion për rastin.

Para disa ditëve, supozoj me sugjerimin tënd, BIA (Shërbimi Sekret Serb, LB ) më vendosi masën e përgjimit dhe ndalimit në vendkalimet administrative. Në moshën 73-vjeçare u bëra interesant për këtë Shërbim.

Para 21 viteve u gjeta në listën e zezë amerikane dhe tani në listën tënde të kuqe. Megjithatë, maestro, unë jam në listën e zezë të SHBA-së për rrezikimin e interesave kombëtare të SHBA-së, ndryshe nga bashkëluftëtari yt Aleksandër Vulin, i cili gjendet në atë listën e zezë amerikane për veprimtari kriminale, si kontrabanda me narkotikë dhe armë.

Dhe në fund, kam përshtypjen se gati për 12 vjet të regjimit tënd, ke qenë mjaft i zënë dhe je bërë jashtëzakonisht i pasur. Dhe ato pohime, “gjeni diçka në emrin tim”, janë të konsumuara dhe boshe, mos vallë do të vidhje dhe do të lije gjithçka në emrin tënd?!

Nuk je aq naiv. Duhet të ketë shumë mënyra të tjera për të fshehur një pasuri të tillë të fituar në mënyrë të paligjshme. Në fund të fundit, çfarë kuptimi ka të të mësoj kur ti e di shumë më mirë.

Si të punojmë, ashtu na ndihmoftë zoti.

* Autori i letrës Vuçiqit, është specialist në pension i kirurgjisë ortopedike dhe traumatologjisë. Ish-deputet, anëtar i kryesisë së Lëvizjes Kombëtare të Serbëve nga Kosova “Atdheu”.

Nga serbishtja Lis Bukuroca

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat