“Zbutet” opozita, më në fund votohen marrëveshjet ndërkombëtare

Aktuale

“Zbutet” opozita, më në fund votohen marrëveshjet ndërkombëtare

Nga: Bota sot Më: 23 nëntor 2023 Në ora: 07:30 Përditësuar në ora: 17:14 më 23.11.2023
Kuvendi i Kosovës

​Debati për raportin e progresit shtyhet për seancën e ardhshme

Kuvendi i Kosovës ka ndërprerë punimet e seancës së sotme plenare, pas dështimit të miratimit edhe të tri marrëveshjeve ndërkombëtare.

Legjislativi nuk pati kuorum për t’i miratuar të njëjtat, megjithëse gjatë ditës së sotme pozitë dhe një pjesë e opozitës u bënë bashkë për t’i kaluar disa nga marrëveshjet ndërkombëtare.

Kësisoj, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, mbylli punimet e seancës së sotme, rrjedhimisht shtyu edhe debatin për raportin e progresit për Kosovën.

Konjufca tha se ky debat do të mbahet si pikë e parë e rendit të ditës në seancën e radhës.

​S’ka konsensus në Kuvend për marrëveshjen me Danimarkën për burgun e Gjilanit

Kryeparlamentari Glauk Konjfuca nuk e ka hedhur në votim Traktatin ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, pas polemikave të shumta mes ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe deputetëve, kryesisht nga Lidhja Demokratike të Kosovës.

Pasi deputetët e LDK-së ngritën një mori shqetësime për këtë ujdi ndërkombëtare, ministrja Haxhiu, tha se të njëjtën e ka gjetur mbi 90 për qind të gatshme nga ish- Qeveria Hoti, madje tha se ka gjetur disa mos përputhje me Ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare, andaj e ka rikthyer në pikën zero.

“Ministrat kur futen në marrëveshje të tilla të njoftojnë kryeministrin. Selimi mund të na njoftojë nëse ju ka njoftuar ose jo ju po thoni që jo dhe le të mbetet në mes juve dyve. Unë e kam gjetur marrëveshjen në mbi 90 për qind të përfunduar. Mirëpo çfarë kam kuptuar pastaj se kemi marrë informacione nga MPJD se asnjë procedurë nuk ishin respektuar. Unë kam thënë se nuk mund të procedoj këtë marrëveshje pa respektuar Ligjin për marrëveshje ndërkombëtare”, tha ajo.

Pas kësaj deklarate, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se e tërheqin mbështetjen ndaj kësaj marrëveshje.

“Është e paarsyeshme që ne të vazhdojmë t’i japim përkrahje kësaj marrëveshje. Mbi faktin edhe që ministrja e Drejtësisë insuon që në gjenezë marrëveshja është e paligjshme, pasi është bërë një marrëveshje e cila nuk e ka pasur miratimin e qeverisë. Nëse kjo qëndron çka tha ministrja kjo është e papërkrahshme dhe na detyron neve si grup të tërheqim përkrahjen për këtë marrëveshje”, theksoi Gashi.

Kundër kësaj ujdie u shfaq edhe deputeti i LVV-së, Gazmend Gjyshinca. Duke parë këtë pozicion, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se kjo marrëveshje do të tejkalohet për t’i dhënë mundësi sqarimeve të mëtutjeshme, ndërkaq vendosi që Kuvendi të shkojë në pauzë deri në orën 15:30. 

Miratohet marrëveshja ndërkombëtare për Rehabilitimin e linjës hekurudhore 10 B

Kuvendi i Kosovës ka miratuar marrëveshjen ndërkombëtare për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10 B.

83 deputetë e dhanë votën e tyre për këtë marrëveshje ndërkombëtare.

Kjo është një marrëveshje e financimit në mes të Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”.

Haki Abazi akuzon Haxhiun: Ma keni dërgu një polic matrapaz me revole gjatë intervistimit në Prokurori

Deputeti i pavarur, Haki Abazi ka thënë se është kërcënuar me revole derisa po intervistohej nga prokuroria për rastin e Astrit Deharit.

 Derisa po replikonte me ministren Haxhiu e cila i tha se duhet të flasë me fakte e “jo të deklarohesh si herën e kalume e kur ke shku ne prokurori e menxi  ke fol”.

Pas deklaratës së Haxhiut ka replikuar Abazi duke treguar se arsyeja se përse s’ka fol ka qenë sepse gjatë dhënies së dëshmisë ka shkuar një polic me revole.

“Njerëz që vijnë me revole me i intervisut njerëzit që kanë informacione. Një matrapaz (polic i dërguar nga Xhelal Sveçla) ka ardhur gjatë intervistimint tim me revole”, tha Abazi.

Pas kësaj Haxhiu i tha se Nëse ke informacione shko në Prokurori Speciale.

“Del këtu me fol vetëm sa për të qenë në ballina të portaleve. Nëse ke informacione shko në Prokurori Speciale e jo si herën e fundit që dole në hollin e Kuvendit me shfaqje të lodhtë”, i tha Haxhiu deputetit Abazi.

Haxhiu e Tahiri përplasen në Kuvend: Të isha në vendin tënd do të më vinte turp

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka pasur një përplasje me deputetin e PDK-së Abelard Tahiri. Këtij të fundit, Haxhiu i ka thënë se “do t’i vinte turp po të ishte në vendin e tij”.

“Me qenë sikur ti me kish ardh turp për ty. Cili ka qenë veprimi yti për krijimin e kushteve në këtë Institut sepse nuk e ke pasur rastin me rregulluar ndonjë gjë”.

“Keq ma ke lënë IML e keq ma ke lënë SHKK-në. Më mirë hesht por nëse nuk hesht mos tento me hedh hi në këtë Kuvend”.

Sa i përket ato raportimeve në media për djegien e mustaqeve të Adem Jasharit e gishtit të Isa Boletinit, Haxhiu tha se ato kanë qenë dhuratë nga familja për njërin prej punonjësve aty.

E ndaj këtij fjalimi reagoi deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, duke shtuar se po të zhdukeshin mustaqet e Adem Jasharit “i kishte ardhur marre”.

“Me pas qenë ministër i Drejtësisë dhe me pas humb mostrat e Astrit Deharit nuk kisha mundur me qenë në skenën politike. Besoni se nuk kisha mundur me qenë në skenë politike”.

“Së paku në mandatin tim nuk ka pasur gjëra të tilla. Me ardh me dhënë një arsyetim kaq të tillë e me fol për mustaqet e heroit Adem Jashari me kaq lehtësi, më kish ardh marre”.

Haradinaj i kërkon kuvendit një rezolutë për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit që ta aprovojnë një rezolutë me të cilën do t’i kërkohej qeverisë ta paraqesë kërkesën për anëtarësim në NATO.

Sipas tij, deputetët duhet të ndërmarrin vendime për ta ndihmuar sigurinë e vendit.

“Ne mund ta aprovojmë një rezolutë dhe t’i kërkojmë qeverisë që ta bëjë kërkesën për anëtarësim në NATO”, ka thënë ai.

“Duhet të krijohet një komision parlamentar për NATO-n dhe një agjendë parlamentare për me i bindë vendet skeptike që të ecim përpara”, ka shtuar ai.

Rexhaj: Serbia ka 48 baza ushtarake përgjatë vijës kufitare me Kosovën

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj deklaroi se Serbia nuk ka tërhequr ende forcat ushtarake nga afërsia e kufirit me Kosovën. Ai theksoi se janë 48 baza ushtarake të cilat ende po qëndrojnë përgjatë vijës kufitare dhe se së fundmi ka vendosur edhe sisteme kundërajrore.

Në seancë plenare, e cila nisi me një orë vonesë, Rexhaj u shpreh se Milan Radojiçiq dhe grupi tjetër terrorist po mbrohen nga shteti i Serbisë.

Rexhaj: Serbia ka 48 baza ushtarake përgjatë vijës kufitare me Kosovën

“Pesë muaj që nga rrëmbimi i policëve tanë kufitarë në Leposaviq dhe tetë javë nga vrasja e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, Milan Radojiçiq dhe grupi i tij terrorist vazhdojnë të jenë të lirë dhe të mbrohen nga shteti i Serbisë me të vetmin qëllim të saj, realizimin e veprimtarisë shtetërore të politikës hegjemoniste kundër Republikës së Kosovës. Serbia asnjëherë nuk ka pushuar së rrezikuari sigurinë e Republikës së Kosovës edhe pas presionit ndërkombëtar dhe veçanërisht pas presionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ajo ende nuk i ka tërhequr forcat ushtarake nga afërsia e kufirit me Kosovën. Ka 48 baza ushtarake, operuese përgjatë gjithë vijës kufitare me Kosovën dhe së fundmi ka vendosur sistemet kundër ajrore ‘Panstires’ të prodhimit rus dhe sistemi ‘FK3’ të prodhimit kinez”, deklaroi ai.

Ai u bëri thirrje ndërkombëtarëve që të rrisin presionin ndaj Serbisë për ekstradimin e Millan Radojiçiq.

Rexhaj: I bëjë thirrje BE-së dhe ShBA-ve të rrisin presionin ndaj Serbisë

“Mungesa e një politike ndëshkimore e sanksionuese kundër Serbisë po e mundëson ri përsëritjen dhe shtimin e sjelljeve kërcënuese dhe të agresionit kundrejt fqinjëve të saj. Në të kundërtën, Qeveria e Kosovës do të vazhdojë kryerjen e detyrave të saj kushtetuese, të zbatojë ligjin dhe të ruaj rendin publik në të gjithë territorin e Republikë së Kosovës...Ndërsa, institucionet tona të sigurisë dhe të mbrojtjes të jenë vigjilente përballë çdo aktiviteti paramilitar, terrorist dhe agresioni që mund të rrezikojë sigurinë e qytetarëve të vendit. Së fundmi, i bëjmë thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe të rrisin presionin ndaj Serbisë për ekstradimin e krye terroristit Millan Radojiçiq dhe grupit të tij në Kosovë”, shtoi ai. 

Haxhiu: Mustaqet e Jasharit dhe gishti i Boletinit s’kanë qenë pronë e IML-së

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se mustaqet e Adem Jasharit dhe gishti i Isa Boletinit nuk kanë qenë pjesë e Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Sipas saj, familjarët e dy legjendarëve ia kanë dhuruar mustaqet e Jasharit dhe gishtin e Boletinit si dhuratë njërit prej mjekëve ligjorë.

Tutje, ajo ka thënë se po ta dinte që mustaqet e Jasharit dhe gishti i Boletinit ndodheshin në atë zyre, ato do të bëheshin pronë shtetërore.

Specialja ua ndalon vizitat e telefonatat ish-krerëve të UÇK-së - Musliu: Të reagojë Kuvendi

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganinete Musliu, ka reaguar pasi Gjykata Speciale gjatë fundjavës ka ndaluar telefonatat dhe vizitat e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Sipas saj, duhet që Kuvendi të reagojë kundër këtij vendimi.

“Sot dua të shpreh shqetësimin tim për vendimi e ndalimit të vizitave dhe telefonatave nga Dhomat e Specializuara në Hagë, për ish-krerët e UÇK-së, e cila po bën çdo veprim për të mbuluar dështimin e tyre”.

“Ne bashkërisht duhet që të reagojmë kundër këtij vendimi. Ky Kuvend e ka votuar këtë gjykatë dhe do duhej që të reagonim kur shkelen të drejtat e tyre”.

Edhe zyrtarisht janë zbuluar arsyet pse Gjykata Speciale e Hagës i ka ndaluar vizitat dhe telefonatat për ish-krerët e UÇK-së që ndodhen në paraburgim. Sipas një parashtrimi thuhet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, kanë zbuluar detaje të dëshmitarëve për vizitorë. Bisedat e tyre me vizitorë janë të incizuar.

Prokuroria e Specializuar në Hagë po pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, kanë shfrytëzuar vizitat nga vizitorët e ndryshëm që atyre t’iu zbulojnë detaje për dëshmitarët e mbrojtur.

Me këtë qëllim Prokuroria ka incizuar bisedat në Qendrën e Paraburgimit ku krerët e UÇK-së, sipas Prokurorisë, kanë biseduar me shumë vizitorë duke i udhëzuar ata të bisedojnë me dëshmitarët potencialë, dhe t’iu tregojnë atyre çka të flasin.

Tahiri: Do propozojmë një komision hetimor për zjarrin në IML dhe zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se javën tjetër do të propozojnë themelimin e një komisioni hetimor për zjarrin në Institutin e Mjekësisë Ligjore, por që komisioni do të ngarkohet edhe me hetimin e zhdukjes së mostrave në rastin e Astrit Deharit.

Tahiri akuzoi partinë në pushtet se po hesht që tri vjet prej se ka ardhur në pushtet për rastin e aktivistit të tyre.

“Asnjëherë s’e kemi pasë një raport të qartë se çka ndodhi me mostrat e rastit Dehari. Pra, tani e tutje e kemi parë një heshtje, një qetësi absolute nga VV, duke mos e trajtuar asnjëherë rastin Dehari. Pra, ju kemi pritur për tri vite për ta trajtuar një çështje të tillë”.

Tahiri ka thënë se Vetëvendosje ka bërë përpjekje në vazhdimësi që të pengojë punën e IML-së.

“Prej ardhjes së VV në pushtet, kemi parë përpjekje të vazhdueshme të këtyre njerëzve për të penguar punën e Institutit të Mjekësisë Ligjore. Para disa kohësh jeni ballafaquar me një tendencë për zjarrvënie, e cila fatmirësisht ishte e pasuksesshme. Pas një kohe u ballafaquam me humbjen e mostrave të rastit Dehari, pra pikërisht kur ishte në drejtimin e Vetëvendosjes ky institucion humben mostrat e rastit Dehari. Hiç më larg se në këtë javë u ballafaquam me një dëm jashtëzakonisht të madh me një zjarrvënie të dyshimtë, i cili përpos që krijoi dëme milionëshe në kuadër të këtij instituti, pra ende nuk e kemi të qartë se cilat janë dëmet që ky zjarr i ka shkaktuar në punën përmbajtjesore të këtij instituti. Pra, çfarë raportesh, çfarë ekspertizash janë djegur në këtë periudhë.  A është e vërtetë që mbetjet mortore të heroit tonë kombëtar Isa Boletini janë djegur. A është e vërtetë që mustaqet e komandantit legjendar, Adem Jashari, janë djegur?”.

Ai tha se përgjegjësit duhet të tregojnë se çfarë raporte dhe çfarë ekspertiza janë djegur për raste të dyshimta janë zhdukur nga kjo djegie.

“Ne, Grupi Parlamentar i PDK-së, do të propozojmë një komision hetimor, që do të hetojë dëmet që ka shkaktuar zjarri në IML. Ju që po i mbani të fshehta, qytetarët duhet të dinë. Duhet të hetojë edhe po ashtu edhe humbjen e mostrave të rastit Dehari, para pak ditësh patëm edhe përvjetorin e vdekjes së zotëri Dehari dhe ne do të kërkojmë bashkë me ju që t’i dëgjojmë të gjitha dëshmitë se si ka ardhur deri te zhdukja e mostrave. Javën që vjen do të propozojmë themelimin e këtij komisioni”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat