Provokimet e Serbisë, Octopus: Rrëshqitje e pakontrolluar drejt militarizmit shovenist

Aktuale

Provokimet e Serbisë, Octopus: Rrëshqitje e pakontrolluar drejt militarizmit shovenist

Më: 23 nëntor 2023 Në ora: 15:18
Octopus

Instituti Octopus ka reaguar edhe njëherë karshi lëvizjeve të fundit të Serbisë, pasi kjo e fundit ka lëshuar një thirrje për të rinjtë e moshës 19 – 30 vjeçare për angazhim vullnetar ushtarak. Octopus një hap të tillë nga pala serbe e konsideron shpërthim të retorikës nacionaliste nga politikanët serbë, derisa konstaton se ndryshimi konstant i dinamikave gjeopolitike ndërkombëtare rrezikon të ndikojë në eskalimin e mëtejshëm të paqes rajonale.

Sipas Institutit, ky vendim shënon një zhvillim shqetësues dhe një rrëshqitje të pakontrolluar drejt militarizmit shovenist.

“Ky vendim i institucioneve të Serbisë shënon një zhvillim shqetësues dhe një rrëshqitje të pakontrolluar drejt militarizmit shovenist. Kjo sjellje, e shoqëruar me qasjen armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës, etjen e pangopur të fqinjit verior për dominim regjional dhe përqafimi i revizionizmit rrezikon të rindez flakët e dhunës që pllakosi Ballkanin gjatë viteve 90-ta.”

Octopus theks të veçantë i jep kërcënimit publik të Serbisë ndaj Kosovës, për të cilin vlerëson se po rritet çdo herë e më shumë.

“Ne i shohim këto zhvillime në kuadrin e një indoktrinimi në rritje të militarizmit, dhe shpërfaqjes së shovenizmit ekstrem dhe autoritarizmit që po etablohet në Serbi. Militarizmit, si glorifikim i fuqisë ushtarake dhe besimit se forca është mënyra më e mirë e zgjidhjes së problemeve; shovenizmit, si shpërfaqje e urrejtjes ndaj vlerave demokratike dhe të paqes rajonale; autoritarizmit si akumulim i pushtetit nga Aleksandar Vuçiqi, duke asgjësuar opozitën, mediet dhe shoqërinë civile. Ëndrrat dhe iluzionet e Vuçiqit janë fantazi e rrezikshme që mund ta hedh këtë pjesë të Evropës përsëri në një kaos me pasoja të paparashikueshme... Kjo tregon që Serbia nuk është e interesuar për fqinjësi të mirë, dhe se aspiratat për integrime euro-atlantike i ka vetëm parullë për të mashtruar komunitetin ndërkombëtar, të fokusuar në konflikte të tjera të armatosura e shumë të përgjakshme”, thuhet në reagimin e Institutit.

Po ashtu, Octopus iu bën thirrje nstitucioneve të Kosovës që t’i monitorojnë zhvillimet e fundit në Serbi me shumë kujdes dhe të hartojnë politika dhe vendime në përputhje me vlerësimin real të rrezikut ndaj vendit tonë. Derisa apelon edhe komunitetin ndërkombëtar që të marrë në konsideratë rrezikun e madh që paraqet qasja revizioniste e Serbisë dhe indoktrinimi militarist i kohëve të fundit, dhe të shqyrtohen edhe mundësitë e sanksioneve për të kufizuar Serbinë dhe për ta shtyrë atë drejt demokratizimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat